E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e verës, larmi aktivitetesh në Elbasan

ELBASAN- Një sërë aktivitetesh po zhvillohen në qytetin e Elbasanit me rastin e festës pagane të “ Ditës së Verës” që prej shekujsh festohet në datën 14 mars, duke lajmëruar kështu edhe ardhjen e pranverës. Një ekspozitë me piktura të ndryshme nga piktorë elbasanas, të rinj të shkollës së mesme artistike “ Onufri”, është çelur në Galerinë e Arteve "Qaja" në qendër të qytetit.

Gjithashtu, në skenën e improvizuar sërish në qendër të qytetit që në orët e paradites jane shfaqur nëpërmjet një monitori të madh këngë dhe valle të trevës së Elbasanit, ndërsa në mbrëmje grupe valltarësh të Elbasanit, Rrajzës, Belshit, Librazhdit, organizojnë koncerte për qytetarët elbasanas.

Edhe këtë vit bashkia ka vendosur tenda edhe në qendër të qytetit, ku biznese të ndryshme prezantojnë punimet e tyre kryesisht artizanale, si dhe ato ushqimore si, mjalti, zahiretë e dimrit, etj.

Zëdhënësi i Qendrës së Artit, Aldi Kozaria, thotë se “aktivitete do të ketë deri në mesditën e datës 14 mars, ku për këtë qëllim janë përgatitur edhe vendet turistike, me qëllim që familjet elbasanase dhe miqtë e tyre të kenë mundësi të drekojnë në natyrë këtë festë pagane të përtëritjes së natyrës".
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›