E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita kundër punës së fëmijëve, qeveria të marrë masa

Fëmijët rom duke punuar, foto arkiv

Sot është Dita Botërore kundër punës së fëmijëve. Në vendin tonë grupet që mbrojnë të drejtat e tyre bëjnë apel qeverisë dhe pushteti vendor ti thonë “stop” shfrytëzimit të fëmijëve.

Llogaritet se në Shqipëri ka mbi 500 fëmijë, të cilët janë në situatë rruge megjithëse statistikat zyrtare në këtë rast mungojnë. Por fakt është që ka një shtim të numrit të fëmijëve që lypin apo që shesin në rrugët e qytetit.

Daniela Shkalla, drejtuese e një koalicioni për të drejtat e fëmijëve thotë se, ata që janë në rrugë janë fëmijët romë, egjiptianë dhe fëmijët e familjeve të varfra dhe jetimët.

Fëmijë që punojnë në rrugë gjenden më shpesh në zonat urbane, kryesisht në qytetet e mëdha. Kjo edhe për arsyen se fëmijët në fshat punojnë në bujqësi, por nuk identifikohen lehtë.

Sipas studimeve lokale shumica e fëmijëve që punojnë në rrugë e kanë braktisur shkollën. Ndërsa, janë prindërit ata të parët që u kërkojnë të miturve të punojnë në rrugë për të ndihmuar familjen. Ky fenomen është i përhapur në të gjithë botën. Sipas organizatës së punës, në botë ka rreth 215 milionë fëmijë që punojnë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre shfrytëzohen në format më të këqija të punës. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›