E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria u gdhi me një noter partiak si President!

“Ne bëmë gjithçka mundëm me javë të tëra që ti jepnim vendit një shtytje të fortë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Bëmë gjithçka mundëm që t’i jepnim shoqërisë një President konsensual”, tha Rama duke shtuar se “sot fatkeqësisht Shqipëria u gdhi me një noter partiak si President të Shqipërisë duke i dhënë Brukselit mesazhin më të keq. Dje u humb një mundësi e madhe.”

Rama tha se çështja më e madhe e Shqipërisë sot, ajo e bashkimit me Evropën, mori një goditje të madhe. Evropa sot është më larg se dje. Ndërsa ne, socialistët dhe progresistët shqiptarë jemi sot më të bindur se dje për ndryshimin e nevojshëm për ta barë Shqipërinë pjesë të familjes së madhe evropiane.

“Zgjedhjet e ardhshme janë afër, vetëm pak qindra ditë. Është e lehtë të jesh në opozitë, është e lehtë të kritikosh, të shohësh ata që qeverisin dhe të tregosh për gafat e tyre, për ekonominë që nuk ecën, për varfërinë, për korrupsionin në shëndetësi dhe arsim, është e lehtë ta tregosh me gisht qeverinë që për shkak të keqqeverisjes është bërë gazi i botës, dhe për kryeministrin që i bën punët keq e më keq.  Kjo është pjesë e detyrës sonë, por jo pjesë kryesore e saj. Detyra jonë kryesore është që t’i paraqesim rrugëdalje nga kjo, se si do ta rregullojmë ekonominë dhe se si do ta ribashkojmë Shqipërinë me Evropën”, tha Rama.

Më tej Rama falënderoi të gjithë të rinjtë që kanë marrë pjesë në këtë proces të jashtëzakonshëm, në reformimin e FRESH-it. “Është mbresëlënës numri i të rinjve që kanë ardhur në takimet për të ndjekur debatet e gjashtë të rinjve që sot kanë debatin final. Por, unë kam bindje se shumë më shumë do të bëhet deri në zgjedhjet e ardhshme dhe në këtë mënyrë të shkojmë drejtë fitores në zgjedhjet e ardhshme”.

Kandidatët për t’u zgjedhur kreu i ri i FRESH-it janë Juxhin Çela, Joleza Koka, Maria Myridinas, Erlis Hoxha, Artur Micko dhe Elisa Spiropali.

/Start/

                                                                                             2012-06-12 10:54
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›