E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, ndëshkim për bashkitë debitore

Korçë - Ato bashki dhe komuna të qarkut Korçë që deri më tani nuk kanë derdhur kontributin e tyre financiar për llogari të Këshillit të Qarkut do të përballen me bllokimin e përdorimit të të ardhurave, pasi vetëm kështu mendohet që këto njësi të qeverisjes vendore do të detyrohen të jenë korrekt me detyrimet e tyre. Aktualisht nga Drejtoria e Financës së këtij institucioni u është dërguar të gjitha njësive të qeverisjes vendore fatura e arkëtimit ose e shprehur ndryshe, shuma e detyrimit që ato kanë ndaj Këshillit të Qarkut. Në të njëjtën kohë, në të gjitha degët e thesarit nëpër rrethe ka mbërritur ose është duke mbërritur edhe autorizimi i Këshillit të Qarkut që kërkon bllokimin e përdorimit të transfertës së pakushtëzuar.

Në këtë rast bëhet fjalë vetëm për ato njësi të qeverisjes vendore që nuk kanë shlyer detyrimet e sipërpërmendura. Informacioni në fjalë për bllokim të të ardhurave u bë i ditur nga Drejtoresha e Financës pranë Këshillit të Qarkut Korçë, Liljana Pleqi. Me këto të ardhura që vijnë nga komunat dhe bashkitë, Këshilli i Qarkut mbulon pagesat e administratës së saj, të punonjësve të ndërmarrjeve që i ka në varësi, pagesat e këshilltarëve, por edhe shpenzimet. Nëse të ardhurat nuk mblidhen, veprimtaria e tij bie në vështirësi serioze, por ndërkaq edhe njësitë e qeverisjes vendore nuk janë të interesuara të heqin nga vetja një pjesë të të ardhurave të tyre, madje është kjo arsyeja që loja e forcës shfaqet nga të dy krahët.

Sipas Drejtoreshës Liljana Pleqi, nëse si 4-mujor ishte parashikuar të arkëtoheshin 7.8 milionë lekë, në fakt u mblodhën vetëm 3.1 milionë lekë, por ndërkaq, vuri në dukje Pleqi, komunat dhe bashkitë janë duke derdhur kontributin e tyre financiar dhe ecuria është e mirë, madje ajo theksoi se komunat dhe bashkitë e rrethit Korçë, si 4-mujor, i kanë shlyer detyrimet e tyre, ndërsa mbetet problematik rrethi i Pogradecit, por detyrime të pashlyera kanë edhe dy rrethet e tjera: Kolonja dhe Devolli. /Vepror Hasani/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›