E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, reduktohet dëmtimi i pyjeve

Tropojë Mbrojtja e pasurisë pyjore nuk është vetëm përgjegjësi e specialistëve të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor, por e të gjithë komunitetit, edhe pse thuajse e gjithë sipërfaqja pyjore e rrethit është në inventarin e pyjeve shtetërore. Drejtori i drejtorisë së shërbimit pyjor, Rifat Dushaj, thotë se ka rënë ndjeshëm dëmtimi i masiveve pyjore.

Në realitet në rrethin e Tropojës është ndalur dëmtimi i mëtejshëm i pasurisë pyjore, një fenomen i zakonshëm deri pak vite më parë. Po ashtu edhe zjarret këto 2-3 vitet e fundit janë minimizuar,falë punës sonë dhe bashkëpunimit me strukturat vendore,thekson ai për Shekullin.

Në Tropojë, masivet pyjore zënë 41 për qind të sipërfaqes së rrethit. Kështu, sipërfaqja e pyjeve arrin në 43 mijë ha, nga të cilat 40 mijë ha pyje shtetërore me volum 6.19 milionë metër kub, lëndë drusore dhe 3 mijë ha pyje komunale me 110 mijë metër kub, lëndë drusore.

Masivet pyjore janë të përqendruara më shumë në zonën e Valbonës, në Nikaj Mërtur, Berishë, etj.

Funksionet e fondit pyjor janë dyfishe: së pari, pyje prodhuese që zënë një sipërfaqe prej 25000 ha ose 58 për qind të sipërfaqes së fondit pyjor dhe pyje mbrojtëse, me sipërfaqe prej 18000 ha ose 42 për qind të fondit pyjor.

Ende ka ekonomi pyjore që nuk janë vënë në shfrytëzim, gjë që kërkon një kontroll të përhershëm për të parandaluar dëmtimin e tyre. Të tilla janë ekonomia pyjore Lumi i Gashit, me sipërfaqe 3000 ha dhe volum të lëndës drusore prej 950 mijë m3 dhe ekonomia Curraj i Epërm, me sipërfaqe prej 3300 ha, me volum të lëndës drusore prej 850 mijë m3.

Masivet pyjore dhe sasia e madhe e lëndës drusore e bëjnë të domosdoshëm mbrojtjen e kësaj pasurie nga keqpërdorimi, që deri pak vite më parë ishte një fenomen i zakonshëm. Parandalimi i prerjeve pa kriter po sjell, jo vetëm shtimin e sipërfaqes pyjore, por edhe të lëndës drusore. /Gjon Neçaj/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›