E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cili eshte Boshti i Tiranes

Çdo skuadër që i thotë vetes e fortë dhe pretendente duhet të ketë një bosht tek i cili të mbështetet për të kaluar çdo vështirësi dhe për të arritur çdo sukses.

E tillë është edhe kjo Tiranë që ka në përbërje 6 lojtarë që krijojnë shtyllën nga porta deri në majë të sulmit dhe me këta futbollistë trajneri Hulian Rubio Sançez ka krijuar një ekip harmonik dhe që prodhon futboll e gola.

Ilion Lika është siguria e katërkëndëshit, portier me përvojë dhe klas, duke qenë jo për pak kohë pjesë e ekipit kombëtar. Në qendër të mbrojtjes janë Arian Pisha dhe Erion Dushku, një barrikadë e fortë dhe me nivel të kënaqshëm për kampionatin shqiptar, si dhe me kontribut golash nga ana e Dushkut.

Në mesfushë, në krah të Gilman Likës ka ardhur edhe një figurë tjetër e ekipit kombëtar. Shkodrani shënon dhe ndërton, por tashmë nuk është i vetëm pasi Klodian Duro vendosi ta vishte për herë të tretë fanelën bardheblu, duke shtuar personalitet dhe përvojë në radhët e ekipit.

Në sulm ka mjaftuar Bekim Bala, ndonëse Morina është gjithashtu aty. Shkodrani tjetër është një nga shënuesit më të mirë të kampionatit, me 6 gola në Superligë, ndërsa ka shënuar edhe në Kupë.

Kjo është Tirana, bashkëkryesuesja e kampionatit, në nivel të njëjtë pikësh me Teutën, ndërsa ka shënuar më shumë gola se gjithkush tjetër në këtë Superligë, plot 13 të tillë. Madje, të 13 këta gola kanë ardhur në 5 ndeshje, pas humbjes 0-1 javën e parë me Teutën në “Qemal Stafa”. Është një mesatare prej gati 3 golash për çdo përballje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›