Dita ndërkombëtarë e romëve, Berisha: Lehtësi që këto shtresa të shkollohen Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë vizitës në shkollën “7 marsi” në kryeqytet

Kryeministri Berisha, në kuadër të ditës ndërkombëtare të popullsisë rome, vizitoi sot shkollën “7 marsi” në kryeqytet, në të cilën janë hapur klasa të posaçme, ku mësojnë fëmijë romë, të moshave të ndryshme, që nuk kanë frekuentuar asnjëherë shkollën. Pasi vizitoi disa mjedise ku zhvillohet mësimi, Kryeministri shqiptar, i shoqëruar nga Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore, të Tiranës, si dhe pjesëtarë të stafit pedagogjik, u takua dhe bisedoi me nxënësit romë. Duke i përshëndetur ata, Berisha u shpreh se sot është dita kur mbarë bota nderon romët, një popullatë e mrekullueshme me talente të mëdha, me dhunti të veçanta, por edhe një popullatë e cila ka nevojë të domosdoshme që të mbështet fuqishëm nga qeveria shqiptare dhe çdo qeveri në botë. Duke qëndruar tek shkollimi, si investimi më imediat për këtë shtresë, Kryeministri tha se Ministria e Arsimit duhet të krijojë çdo lehtësi që këta fëmijë të ndjekin shkollën, që përfshin si pajisjen me libra e mjete të tjera mësimore, po ashtu dhe lehtësira për sa i përket ushqimit. “Ne i kemi të gjitha mundësitë. Zoti Ministër i Arsimit, duhet ta ndërmarrim një program ushqimor për të gjithë fëmijët romë që ndjekin shkollën. Një projekt i tillë duhet të shtrihet në të gjitha rrethet,në mënyrë që shkollën dhe ndjekjen e saj tua bëjmë më të lehtë”, u shpreh Berisha. Kryeministri thekoi se kjo ditë është një ditë apeli për të gjithë shoqërinë shqiptare, dhe për të gjithë shqiptarët, që të mund të japin kontributin e tyre. Ai tha se përveç shkollimit, edhe strehimi e punësimi i tyre zënë një vend të veçantë në masat e qeverisë për ti ardhur në ndihmë këtij komuniteti. Ne përfundim, kryeministri Berisha shpërndau dhurata për nxënësit.