Kryeministri mbledh Task Forcën: Konkurrenca e ndershme, përcaktuese për fatin e lirisë së tregut Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një mbledhje të Task Forc

Kryeministri Berisha drejtoi sot në mesditë mbledhjen e Task Force-s për konkurrencën, e cila përmbylli shqyrtimin e projektligjit të ri “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen konkurrencës””, që synon një garantim më të mirë dhe eficent të konkurrencës së lirë. Ai i vlerësoi ndryshimet që i bëhen këtij ligji të një rëndësie përcaktuese për lirinë e tregut. “Asgjë nuk ka më përcaktuese për fatin e lirisë së tregut, sesa një konkurrencë e ndershme. Institucioni i konkurrencës ka bërë një përpjekje të madhe serioze dhe gjatë këtyre viteve, ka krijuar një praktikë të pasur, serioze dhe ka konstatuar se ligji ekzistues në tërësi qëndron, por dinamika e zhvillimit të tregut kërkon disa ndërhyrje të tjera shumë të rëndësishme, në mënyrë që konkurrenca e lirë të jetë e më e garantuar”, u shpreh Kryeministri. Ai tha se ky projektligj është produkt i konsultimeve të gjera të Autoritetit të Konkurrencës, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave dhe grupeve të interesit dhe se në shqyrtimin e tij është marrë e gjithë koha e duhur për shqyrtimin më të plotë e më serioz të mundshëm të ndryshimeve ligjore shumë të rëndësishme. Në analizën e tij, Kryeministri Berisha theksoi se ekonomia shqiptare, në reforma të thella e të gjithanshme, ia ka dalë të jetë në krye të listës në botë për barrën fiskale dhe lirinë fiskale, por dinamika e ekonomisë kërkon ndryshime cilësore në konkurueshmërinë e saj.