E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita shpresëdhënëse deri në përjetësi

“Me emrin e Allahut Fuqiplotë, Mëshirues, Mëshirëbërës!  Ditët e Bajramit janë kohët shpresëdhënëse që përcjellin për në përjetësi përkushtimin tonë ndaj besimit, ndaj adhurimit të Mëshiruesit, janë momentet ngazëlluese që skaliten në faqen e historisë së çdo shoqërie, duke treguar aq me paqe dhe plot vetëdije, bindjen tonë ndaj Krijuesit Mëshirëplotë”, thuhet në mesazhin e urimit.

 Më tej, Muça shkruan se “në harkun kohor të çdo viti, Bajramet janë ripërtëritja e vetëdijes sonë të besimit, vetëdijes sonë myslimane, të mbajtjes vitale të vullnetit tonë kombëtar, të unitetit dhe vëllazërimit, si edhe janë ditët e veçanta të mëshirës dhe begative që dërgon Allahu Dhurues i pashoq”.

Ai apeloi më tej për ndihmë ndaj njëri-tjetrit për të qenë pranë, duke përmbushur misionin e Kur’anit Famëlartë:  “Ata që në zemrat e tyre nuk ndjejnë aspak rëndim për atë që u është dhënë, por duan që t’u bëjnë mirë të tjerëve më tepër sesa vetes, edhe pse janë vetë nevojtarë.” El-Hashr 9”.

“Kurbani është sihariq i një bote të re që ka për kufi sublimitetin për Krijuesin Mëshirëplotë, është dëshmia e një  bote profetike, dëshmia e një bote prindërore Ibrahim dhe Ismail, babë e bir, ku dashuria dhe sakrifica ngrihen në piedestal përjetësisht dhe i përcjellin njerëzimit lidhjen, bindjen ndaj të Madhit Zot (xh.sh.), ku Kur’ani Fisnik e përcjell: “Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit”Es-Saffat 103 dhe “I lamë kujtim të mirë për brezat e mëvonshëm” Es-Saffat 108. Kurban Bajrami është korniza e artë dhe më e plotë  e përkushtimit deri në flijim për atë që urdhëron Zoti Mëshirues, për atë që reflekton shembulli profetik i Mëshirës së Botërave Hz. Muhamedi (a.s.), dashuria aq e thellë e ngritur në qiejt e lartë për të gëzuar zemrat e të privuarve nga jeta, nga liria, nga prindërit, nga familja, nga atdheu e nga paqja me vetveten”, thotë më tej Muça.

Sipas tij, në Ditët e Kurban Bajramit janë koha kur në sytë e jetimëve përcillet dhembshuri e dashuri, kur në sytë e prindërve përcillet respekt e vlerësim.

“Kurban Bajrami është jehona e thirrjes sa fetare po aq dhe qytetare, sa humane po aq dhe dashamire, sublime që vjen nga thellësia e para 14 shekujve, nga brendia e zemrës Profetike së: “Nuk mund të jetë prej të drejtëve, prej nesh ai, fqinji i të cilit e kalon natën në skamje, në mjerim e dhimbje varfërie”. Në atmosferën e këtyre ditëve të sakrificës, të sublimit, të përkushtimit deri në lartësim të njeriut për Krijuesin Mëshirëplotë, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, qytetarëve shqiptarë, vëllezërve tanë shqiptarë kudo në Evropë e botë më shumë përzemërsi gëzuar festën e Kurban Bajramit”, tha më tej Muça.

Në fund, kreu i KMSH-së, u shpreh se i lutej Zotit që ta begatojë dhe lartësojë Shqipërinë në radhën e kombeve “ku liria, drejtësia dhe shërbimi ndaj popullit është shërbim ndaj Zotit Mëshirëplotë”. /Start/

                                                                                             2011-11-05 14:45
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›