Dita/Rama, me veton kundër heqjes së Imunitetit, penalizon shqiptarët
Letra e komisionerit për zgjerim të BE-së, Stefan Fyle, drejtuar kryeministrit Berisha ka nervozuar jo pak shefin e opozitës. Edi Rama është acaruar jo vetëm për fjalën përgëzuese të komisionerit Fyle për reformat e arritura, por dhe për faktin që nuk dukej gjëkundi interesimi i BE-së për ndryshime të tjera Kushtetuese.
Mesazhi i Brukselit përmbante ftesën për bashkëpunuar në kuadër të reformave integruese.
Së pari e rëndësishme për BE-në është që "heqja" ose "kufizimi" i imunitetit parlamentar të jetë sipas standardeve europiane. Kjo garanci është marrë parasysh në draftin e përbashkët të dy palëve pasi sugjerimet e misionit “Paca” dhe “Euralius” janë fiksuar një për një.
Së dyti, Rama kërkon ndryshime të reja Kushtetuese gjoja për të forcuar sistemin e drejtësisë. Mirëpo letra e komisionerit Fyle theksonte përparimin në ngritjen e gjykatave Administrative dhe përgëzonte punën përgatitore për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe ligjin për Gjykatën e Lartë.
Sigurisht, Brukseli zyrtar e ka të qartë pamundësinë për t’i lidhur këto dy çështje: kufizimin e imunitetin me emërimin e trupës së Gjyqtarëve dhe Kryeprokurorit, përpos faktin që pamundësia teorike e realizimit të së dytës, rrezikon të shkaktojë mosrealizimin praktik të së parës. Dhe duke mos pasur guximin për të dalë ballazi për ta kontestuar, ahere Rama po përdor një strategji të vjetër: vë një sërë kushtesh.
Nuk është hera e parë që kreu i opozitës kushtëzon veprimtarinë sovrane të parlamentit për interesa të ngushta personale në dëm të interesave kombëtare. Ekzistojnë akte politike për të bllokuar një nismë ligjore: një veprim është ta bllokosh direkt siç ka bërë Rama shpesh herë, një akt është të vendosësh një numër të madh kushtesh. Pra sa më shumë kushte të vendosësh aq më shumë mund ta pengosh nismën parlamentare.
Megjithatë Bashkimi Europian nëpërmjet komisionerit Fyle theksoi domosdoshmërinë që mazhoranca dhe opozita të arrijnë një pikëtakim për të votuar kufizimin e imunitetit. Në fakt, mazhoranca e ka ftuar ditë për ditë partinë Socialiste të gjejë kurajën për të votuar bashkërisht kufizimin e imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë. Por opozita nga ana e saj vijon të deklarojë se do të jetë në 6 gusht në parlament, por nuk do ta votojë draftin sepse 6 gushti nuk është as një datë historike as datë simbolike. Ndonëse do të behej datë e rëndësishme për ecjen përpara në rrugën e integrimit Europian. Përkundër asaj që mendon shefi i opozitës, simbolika do të ishte e fuqishme sepse do të jepte një mesazh pozitiv Brukselit.
Gjithashtu justifikimi i partisë Socialiste për të mos e votuar draftin e kufizimit të imunitetit bazohet në paqartësi procedurale.
Nënkryetari i komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj deklaroi se vendosja e datës 6 gusht për votimin e çështjes së imunitetit nuk është konsensuale. megjithëse drafti ka kuptim të votohet me 6 gusht, në mënyrë që të sjellë dhe efektin e përmbushjes së njërit prej 12 rekomandimeve e për pasojë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Jo vetëm kaq, porse data 6 duket datë e panegociushme, sepse që nga momenti që konferenca e kryetarëve pranoi të fuste në procedurë shqyrtimi amendamentin kushtetues, kalendari i hapave proceduralë është i paracaktuar prej rregullores. Nuk ka mundësi ligjore të spostohet kjo datë, pas një apo dy javëve apo për në shtator. Rama këtë gjë e di mirë.
Padyshim opozita ka gjetur si sjellje politike të saj një spërdredhje qëndrimesh, qoftë përballë ndërkombëtareve e qoftë përballë publikut. PS-ja dhe Rama, nuk kanë bërë asnjë përthyerje nga qëndrimi i tyre kundërshtues dhe kokëfortë, për “dëmtim” të sukseseve të mazhorancës nëpërmjet dëmtimit të interesave të gjithë shqiptarëve. Nëse dy vite më parë, mjeti që përdorte ishte bojkoti, demonstrata të pakuptimta, bllokim rrugësh, djegie gomash dhe sulme mbi selinë e kryeministrisë, tashmë keqpërdorin veton e votave që duhen për realizimin e reformave. PS-ja nuk po bën asgjë për të fshehur që ajo nuk do, nuk e dëshiron, madje ethshëm po keqpërdor nevojën e votave të tyre, drejt mosrealizimit të reformës së imuniteteve.