E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet, themeli i mandatit të ri të kryeministrit Berisha

03-08-2012 / Gazeta 55

Shefi i ekzekutivit inauguron përfundimin e segmentit rrugor Levan - Damës, pjesë e superstradës Levan – Tepelenë. Duke i cilësuar investimet, si themelin e një strategjie që do sjellë edhe fitoren e 2013-s, ai u kujtoi shqiptarëve se për energjinë negative që po prodhon opozita, s’mbetet veç të pritet që Edi Rama të vendosë të udhëtojë nëpër segmentet e vjetra rrugore të epokës komuniste

“Me këtë rrugë ne kemi shtruar themelet e fitores së zgjedhjeve në 2013”. Kështu është shprehur dje Kryeministri Sali Berisha, ndërsa ka marr pjesë në përurimin e 38 km të para të superstradës Levan-Tepelenë, në segmentin Levan-Damës, një investim me vlerë prej 42 milion euro.
Duke e konsideruar këtë një ngjarje të rëndësishme për jugun e Shqipërisë dhe gjithë vendin, Berisha tha se, “kjo rrugë përbën ndryshimin më rrënjësor në historinë e zhvillimit të Tepelenës, Gjirokastrës, Përmetit e Mallakastrës dhe përbën njëkohësisht ndërtimin e njërës prej rrugëve më të bukura të Shqipërisë. Ata që nuk kanë njohur luginën e Vjosës nga Levani në Damës, nuk kanë njohur jugun e Shqipërisë dhe bukuritë e tij mahnitëse. Kjo rrugë, kjo superstradë, shkurton distancën  Memaliaj-Levan me më shumë se një orë”.
Duke e konsideruar këtë aks rrugor si një shërbim ndaj qytetarëve shqiptarë, Kryeministri Berisha e vlerësoi ndërtimin e rrugëve moderne edhe si një kusht për një Shqipëri moderne.
“Në një hark kohor të shkurtër pothuajse një javor, ne inauguruam së bashku autostradën Levan –Vlorë dhe sot superstradën Levan-Damës. Unë mendoj se për turizmin shqiptar, për qytetarët shqiptar nga Saranda deri në Levan, ky është shërbimi më i madh që ne mund tu bënim atyre. Ndërtimi i një rrjeti rrugor modern është kushti më themelor për një Shqipëri të zhvilluar e moderne, për një Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë të zhvilluar dhe moderne”, vijoi më tej Kryeministri Sali Berisha.
Sipas tij, “studimet më të besueshme të Bankës Botërore kanë faktuar se, çdo dollar i investuar në asfaltimin e rrugës kthehet me një fitim prej 4.6 deri ne 5 dollarë pra 460 deri ne 500 për qind më shumë. Rrugët janë para së gjithash dhe mbi të gjitha punësim, sepse rrugët janë korridoret e energjisë së tregut. Vetëm lugina që qarkon kjo rrugë, me prodhimet e saj mund të mbajë për një kohë të mirë tregun e Tiranës, por përpara ,natyrisht , nxjerrja e prodhimeve në treg ishte e vështirë për të mos thënë  e pamundur. Distanca që shkurton rruga është punësim dhe vetëm punësim, sepse çdo investitorë  që ka ndërmend të investojë jashtë Tirane, mund të përzgjedhë pa i dhembur koka, mund të përzgjedhë qytete të tjera të jugut, në të cilat arrin me një shpejtësi dhe transport shumë të mire”.
Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se ndërtimi i kësaj rruge nxit punësimin, pasi për shkak të distancës së shkurtër çdo investitor mund të përzgjedhë qytete të tjera të jugut për të shtrirë sipërmarrjet e tij.
“Rruga është punësim, sepse i jep mundësi zhvillimit të fermave bujqësore në të gjithë territorin e tyre. Rruga është punësim, sepse rrit shumë efiçencën e punës së gjithsecilit, rrit të ardhurat, rrit investimet. Shqipëri në vitin 2005 kishte gjithsej 2430 kilometra rrugë të asfaltuara. Shqipëria  ka asfaltuar nga 2005 deri më sot, mbi 10 mijë kilometra rrugë në qytete, fshatra  në mbarë vendin”. 
Kryeministri Sali Berisha, siguroi më tej se, kjo qeveri do të bëjë gjithçka për të asfaltuar të gjitha rrugët, pasi kjo është “Leva e Arkimedit” për të nxjerrë njerëzit nga varfëria.
“Kjo qeveri do të bëjë gjithçka  që të asfaltojë kudo dhe në të gjithë vendin që ku jetojnë shqiptarë të kenë rrugë të asfaltuara. Kjo është ‘Leva e Arkimedit’ për të nxjerrë njerëzit nga varfëria, për të  bërë të vlefshme tokën e tyre aty ku janë, për të bërë që të punojnë dhe të prodhojnë dhe të mbrothsojnë  jetën e tyre.  Është e faktuar si drita e diellit se varfëria dhe mungesa e rrugëve janë binjakë të pamëshirë që mbajnë dhe mbështesin njëri -tjetrin, se rrugët dhe infrastruktura janë ‘Leva e vërtetë e Arkimedit’ për zhvillimin dhe begatinë e qytetarëve në Shqipëri dhe mbarë botën”, vijoi Berisha.
Duke ju rikthyer shifrave të organizmave ndërkombëtarë që vlerësojnë ritmin e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri, krahasuar me vendet e Ballkanit, Kryeministri Berisha, premtoi ndërtimin e qindra e mijëra kilometër rrugë të tjera, për të bërë rrjetin rrugor të Shqipërisë, një nga më modernit në Europë.
“Ne jemi të vendosur ti ndërtojmë ato dhe të bëjmë të mundur krijimin e vendeve të punës për shqiptarët në çdo skaj të këtij vendi. Nuk ka vend më të pasur me pasuritë e tij natyrore.  Në qoftë se në vitin 2005 do ti premtonin Vlorës se ne do të dhjetëfishojmë turizmin, natyrisht sheshi  edhe i demokratëve që na besojnë do të gajasen, nuk mund ta besonte, por ja që sot turizmi është rritur me 12 herë krahasuar me vitin 2004. Kur ne deklaruam se do të asfaltonim 6 mijë kilometra rrugë, kundërshtarët tanë përqeshën. Ku do ti gjejnë, në qiell, ato nuk ekzistojnë në Shqipëri! Shqipëria nuk ka kurrë 6 mijë kilometra . Nuk merrnin mundimin të futeshin në Google dhe të shikonin, se Shqipëria ka 18 mijë kilometra rrugë. Nuk njihnin as Shqipërinë”, shtoi Berisha.
Kryeministri u solli në vëmendje banorëve të tre qarqeve që përshkohen nga superstrada Levan-Tepelenë, segmenti i dytë i së cilës Damës-Memaliaj inaugurohet në vjeshtë, se opozita ishte ajo që nuk votoi financimin e rrugës. Qëllimi kryesor i kryesocialistit Rama -sipas kryeministrit Berisha ishte që shiriti i përfundimit të superstradës të mos pritej para zgjedhjeve të ardhshme. Por para 2013-ës do të priten dhe shumë shirita të tjera-theksoi kreu i qeverisë.
“Sot ata nuk gjejnë rrugë të pa asfaltuara, sepse ata nuk shkojnë në ata zona dhe thonë pse asfaltoni. A mund ti imagjinoni ju ish-deputetin e Mallakastrës, të ngrihet në Parlament dhe të thotë pse asfaltoni ju rrugën e Cakranit , kur autostrada po ndërtohet?!  Le ta dijë ai zotëri se densiteti i rrugëve është treguesi më besnik, më i qëndrueshëm  i zhvillimit të një zone.  Sa më të dendura të jenë rrugët,  aq më e zhvilluar është zona. Rrugët janë më të dendura në qytetet dhe zonat  më të zhvilluara të planetit, ndaj mos u shqetëso ti pse paska një rrugë që kalon kodrave të bukura kur shkon drejt Cakranit dhe rruga tjetër shkon  buzë Vjosës dhe qytetarët e Cakranit  mund të dalin në autostradë. Ne ndërtojmë rrugët, ata përpiqen të bllokojnë rrugët. Nuk votuan në Parlament shtesën që u kërkua për ndërtimin e kësaj rruge. Shtesa u kërkua të dashur qytetarë, sepse preventivi  ishte i vitin 2001-2002. Cilat janë çmimet sot pas 10 vitesh? Nuk janë më ato çmime. Kjo rrugë ndërtohet me një financim të Bankave Europiane, natyrisht larg asaj që ato do të mund të pranonin një abuzim nga kushdo qoftë. Nuk votuan sepse donin me çdo kusht të bllokonin përfundimin e tyre para zgjedhjeve. Donte me çdo kusht Edi Rama që të shkonte në Vlorë nga rruga e vjetër. Le të shkojë. Ja tek e ka dhe se ndalon askush.  Nuk e mora vesh pse nuk e votuan por mesa duket kishin problemin që të mos i inauguronim para zgjedhjeve, por ne do të inaugurojmë. Ne para zgjedhjeve do të shkojmë në Memaliaj, ne do të shkojmë në Elbasan para zgjedhjeve, ne do të  fillojmë tunelin e Qafë-Murrizit para zgjedhjeve, ne do inaugurojmë rrugë në të katër anët e vendit dhe do të vazhdojmë në mënyrë të pandalshme zhvillimin e këtij vendi. Jo bllokimi, por zhvillimi është ajo që kanë nevojë jetike fëmijët tuaj, ju, brezat që vijnë dhe Shqipëria në tërësi. Jo bllokimi, por zhvillimi është potenciali i madh i këtij vendi, ndaj dhe ne do të shfrytëzojmë  gjithçka, për të zhvilluar Shqipërinë. Ndaj dhe nuk keni pse çuditeni zotërinj opozitarë, sepse Komisioni Evropian shpalli se Shqipëria është vendi i vetëm ku papunësia gjatë viteve të krizës u ul në mënyrë progresive. Nuk ka sesi të mos ulet papunësia në këtë vend, kur sot ka një bum turistik më të madh se çdo vend tjetër të marrë për një hark kohor. Nuk ka sesi të mos ulet papunësia në këtë vend, ku për shkak të turizmit dyfishohet tregu, fuqia blerëse dhe për rrjedhojë prodhimet e vendit shitet në mënyrë më të leverdishme”, vijoi Berisha.
Sipas tij, me ndërtimin e rrugëve dhe investimet për infrastrukturën moderne, qeveria ka shtruar themelet e një mandati të ardhshëm, ku Shqipëria do të kapë nivelet e vendeve të zhvilluara.
“Janë ndërtuar 210 shkolla dhe kopshte, 280 sistemesh kanalizimesh dhe ujësjellësash, 177 qendra shëndetësore. Janë subvencionuar rreth 5 mijë hektarë vreshta, ullinj, sera dhe dru frutorë. Natyrisht me rrugët, me investimet, me infrastrukturën moderne, ne kemi shndërruar themelet e një mandati të ardhshëm, në të cilën Shqipëria do të ecë me shpejtësinë më të madhe, në të cilën Shqipëri do të kapë nivelin e vendeve të zhvilluara. Sot ne nuk jemi sërish një vend i zhvilluar, por sot jemi një vend që ecim me shpejtësi të madhe drejt nivelit të vendeve të zhvilluara dhe ne ecim me shpejtësi të madhe sepse ne zhvillimin tonë e bazojmë tek liria. Dy ditë më parë një grup institucionesh më serioze të planetit do të botonin  lajmin, që po qarkon sot anembanë botës, se Shqipëria renditet e 12 përsa i përket lirisë ekonomike dhe se ajo me shpejtësi arriti nga vendi i 83 që ishte pak vite më parë, në vendin e 12. Nuk ka lajm më të mirë se ky që mund tu çojmë ne qytetarëve evropianë dhe të mbarë botës, për të investuar në Shqipëri, për të ardhur në vendin e lirive të garantuara”, shtoi Berisha.

“Pasaporta” e Superstradës Levan - Tepelenë
38 kilometër       – Segmenti rrugor Levan-Damës, pjesë e superstradës Levan-Tepelenë.
42 milionë euro  – Investimi për segmentin rrugor Levan-Damës.
70 kilometër       – Superstrada Levan-Tepelene sipjesë e Korridorit Veri-Jug.
70 milionë euro  – financimi I BERZH/BEI për superstradën Levan-Tepelenë.
30 minuta           – shkurton ky segment rrugën nga Fieri në Fratar
60 minuta           – shkurton ky segment rrugën nga Fieri në Memaliaj

Investimet e Qeverisë në tre Qarqet Fier, Vlorë e Gjirokastër
    1.8     miliardë dollarë
1400     kilometër rrugë
  210     shkolla e kopshte
  280     sisteme të ujit të pijshëm e kanalizime
  177     qendra shëndetësore e ambulance
    80     objekte të trashëgimisë të restauruara
4600     hektarë të subvencionuar me ullinj, dru frutorë sera e vreshta

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›