E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditari erotik

‘Ditar dashurie i një shkrimtari’ shkruar nga Albatros Rexhaj dhe botuar nga Shtëpia Botuese ‘Dudaj’ është prezantuar denjësisht në panairin e librit në Tiranë. Gjatë pesë ditëve të panairit, Rexhaj tregon se janë shitur afër 500 kopje, që në zhanrin e letërsisë artistike konsiderohet sukses.

Pas suksesit që e arriti me romanin e parë ‘Bombë në Beograd’, shkrimtari Albatros Rexhaj vazhdon rrugën e njëjtë edhe me romanin tjetër të botuar pak ditë më parë. “Ditar dashurie i një shkrimtari” është titulli i romanit të ri të Rexhajt, i cili fillimisht u prezantua para lexuesit tiranas në Panairin e Librit, që u mbajt javën e kaluar.

Ky roman, sipas botuesit, është një himn shqiptar për dashurinë, ku ngjarjet dhe mendimet shtjellohen në një bashkëbisedim artistik mes shkrimtarit dhe muzës së tij.

“I shkruar në stilin e prozës refleksive, ‘Ditar dashurie i një shkrimtari’ është një rrëfim ku romantika gërshetohet me erotikën. Kujdesi ndaj detajit dhe guximi artistik i autorit thyejnë mjaft tabu dhe paragjykime që kanë të bëjnë me dashurinë dhe seksin”, thuhet në shënimin e botuesit në kopertinën e librit.

Për suksesin e këtij romani dhe për shitjen e tij në Panairin e Librit në Tiranë flet edhe botuesja Arlinda Dudaj, e cila thotë për Express se libri i Rexhajt është ndër më të shiturit e këtij panairi.

“Jam shumë e lumtur për këtë sukses të veprës së Albatrosit. Libri është pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesi tiranas dhe njëherësh është edhe libri më i shitur nga autorët shqiptarë që ne i kemi në stendën tonë. Vetëm brenda një dite janë shitur mbi 100 kopje të këtij libri”, thotë Arlinda Dudaj.

Ndërkaq, autori Rexhaj thotë se është i kënaqur me faktin se shumë lexues të tij kanë shkuar në Panair dhe e kanë kërkuar librin e tij.

“Jam emocionuar edhe më shumë me faktin se shumë lexues kanë shprehur dëshirë të takohen me mua dhe ta marrin autografin. Ky respekt nga ana e tyre më ka nderuar tej mase dhe njëherësh edhe më motivon, më detyron, që të punoj më shumë në të ardhmen. Jam gëzuar edhe për faktin se kanë ardhur lexues të profileve dhe moshave të ndryshme”, thotë Rexhaj. Tani libri i tij ka filluar të shpërndahet nëpër librari dhe Rexhaj shpreson që edhe aty do të pritet mirë. Ai thotë se ka marrë komente të mira nga ana e lexuesve.

“Komentet e lexuesve janë inkurajuese. Unë komunikoj rregullisht me lexuesit e mi nëpërmjet faqes sime në Facebook dhe lexuesit kanë filluar të shkruajnë komentet e tyre. Ideja ime është që të thyhen tabutë e komunikimit. Artistët janë për popullin dhe jo e kundërta. Njerëzit duhet ta ndiejnë se edhe artistët janë pjesë e komunitetit dhe se edhe ata janë të prekshëm. Unë besoj shumë në atë se thjeshtësia është vlera më e madhe dhe për këtë synoj të jem i afërt me lexuesit. Jo të gjithë kanë para për të blerë libra dhe për këtë unë shkruaj pothuajse çdo ditë në facebook”, thotë ai.

Ndryshe prej romanit të parë, “Ditar dashurie i një shkrimtari” është një stil i ri dhe Rexhaj mendon ta kultivojë këtë stil. Ai beson se lexuesit kanë dëshirë ta ndiejnë se autori u flet nga një perspektivë personale, diçka nga afër shpirtit të vet dhe jo, siç shprehet ai, diçka nga hëna. Ai mendon se kjo e ndihmon lexuesin ta kuptojë mesazhin që autori synon ta bartë dhe të gjithë rrëfimin e bën më të besueshëm.

Pas festave të nëntorit Rexhaj mendon të organizojë disa promovime dhe takime me lexues. Do të fillojë nga Tirana, ku do të organizojë një takim së bashku me Shoqatën në dobi të gruas shqiptare.

“Unë nuk i pëlqej promovimet klasike kështu që ky takim do të jetë më shumë interaksion me lexuesit dhe jo fjalime bajate. Unë pres që botuesja shumë shpejt të marrë vendim që libri të ribotohet dhe të bëhet një shpërndarje në të gjitha trevat. Aktualisht libri është i shpërndarë vetëm në Tiranë dhe pak kopje në Prishtinë. Posa të shtypen kopjet e reja, libri do të shpërndahet gjithandej”, tregon ai.

Rexhaj tani ka filluar të mendojë për projektin e radhës, për të cilin shpreson të jetë gati për Panairin e Librit në Prishtinë në qershorin e ardhshëm. Nuk jep shumë shpjegime për librin e tij të radhës, mirëpo thotë se do të vazhdojë të shkruajë për dashurinë dhe për nevojën që njeriu ta përqafojë dhe ta mbrojë individualitetin e vet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›