Ditari i Kelmendit
Në rrjedhën e ditëve të librit, të Panairi të 13 Prishtina 2011, përveç vizitorëve, blerësve dhe dashamirëve të librit, po promovohen edhe libra të rinj.
Kësaj here shtëpia botuese Buzuku të hënën promovoi librin “Ditari im”, të autorit Ramiz Kelmendi.
“Është ky një libër të cilin mund ta identifikoj me gramat e fundit të njeriut, para se të përshëndetet nga kjo botë. E kam pasur lakmi të madhe, sidomos në gjysmë shekullin e dytë të jetës sime, që ta mbyll krijimtarinë letrare me një ditar”, theksoi Kelmendi gjatë promovimit.
Megjithëse, siç thotë, nuk ia doli të shkruaj një ditar të plotë, mbetet shumë i kënaqur që të paktën bëri një pjesë të ditarit të tij, i cili, sipas tij, ndoshta do të meritonte dy apo tri vëllime, në mënyrë që përmes tij të mund thuheshin gjithë ato që Kelmendi i ka përjetuar në jetë.
“Në mënyrë të veçantë, në këtë promovim që iu bë sot librit, unë e ndjeva veten se i kam dal borxh asaj lakmisë time jetësore, që ta përmbyll letërsinë time me një ditar të mirëfilltë. Edhe kështu si doli nga ditari im, unë jam i kënaqur, e në mënyrë të veçantë me atë se si u prit libri nga lexuesit e mi”, përfundoi Kelmendi.
Gjatë promovimit ndërkaq u vlerësuan lartë krijimet e deritanishme të Kelmendit, ndonëse Zenun Çelaj tha pak fjalë edhe për vetë librin e fundit. Kjo ngase, sipas Çelajt, ky libër përbën njëlloj kurore të krijimtarisë së pasur dhe të shumëllojshme të Ramiz Kelmendit.
“Me të ai plotësoi boshllëkun që kishte mbetur i hutueshëm, në opusin e pasur të krijimtarisë së tij. Libri përthekon një epokë të historisë, e cila sadopak sillet rreth një protagonisti. Autori, pra kështu sublimon historinë e viteve më dramatike të atdheut e kombit”, u shpreh ai.
E vetë Kelmendin, apo stilin Ramizqe, siç e quajti Çelaj, e krahasoi me atë të Konicës, ndërkaq për gjuhën e përdorur nga ai, Çelaj theksoi se ia kujton Koliqin.
Ndryshe, libri “Ditari im” përmban reflektime nga një jetë e stuhishme e autorit Ramiz Kelmendi.