Ban Ki Moon kandidon sërish

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, do të rikandidojë për këtë post edhe për pesë vite të tjera.
Mandati i tij skadon më 31 dhjetor.
Në një letër dërguar vendeve anëtare të OKB-së, ai ka ofruar zyrtarisht shërbimet e tij edhe për një mandat të dytë, deklaroi Ban në New York.
"Udhëheqja e kësaj organizate të mrekullueshme ka qenë për mua një privilegj. Do të ndjehesha i nderuar thellë, në qoftë se vendet anëtare më mbështesin edhe për një mandat", tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së.
Shtetet aziatike e kanë mbështetur këtë kandidaturë.
Edhe Gjermania dhe Franca janë për rizgjedhjen e tij në këtë post.
Kritikët thonë se Bani nuk e ka fuqinë e duhur për të udhëhequr organizatën botërore.
Megjithatë, rizgjedhja e tij konsiderohet si një punë e kryer, sepse ai nuk do të ketë ndonjë kundër-kandidat.