Lista e ministrave, Berisha e dërgon në Presidencë
Kryeministri i mandatuar, Sali Berisha, i dërgoi dje për dekretim Presidentit kandidaturat e tij për kabinetin qeveritar. Lista me 15 emrat e ministrave të rinj mbërriti paraditen e djeshme në zyrën e Presidentit të vendit, i cili brenda 7 ditësh duhet të vërë firmën mbi dekret. Pas këtij hapi sipas kushtetutës, kreu i shtetit, Bamir Topi, ka 1 javë afat për të emëruar 15 ministrat e rinj, ndërkohë që dekreti i tij miratohet brenda 10 ditëve në Kuvend. Megjithatë, kohëzgjatja e këtij procesi mund të jetë më e shkurtër sesa limitet kohore kushtetuese dhe formacioni i ri qeverisës me në krye Sali Berishën pritet të votëbesohet në seancën plenare të së hënës. Në këtë seancë, ku kreu i qeverisë do t’i paraqesë legjislativit programin politik të qeverisë dhe përbërjen e tij, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë t’i drejtojë atij pyetje për to. Kryeministri shpalli dy ditë më parë emrat e Këshillit të ri Ministror ku postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm e mban Ilir Meta. Ai ka rikonfirmuar në këtë kabinet ministrat, Bode, Bregu, Olldashi, Basha, Ruli, Nishani dhe Genc Pollo. Ndërkohë që emërohen për herë të parë Arben Imami, Myqerem Tafaj, Ferdinand Xhaferri dhe Spiro Ksera. Një ditë më parë Kryeministri shpalli qeverinë përbërja e së cilës është rezultat i një konsultimi dymujor, që nuk përfundoi madje dhe pak minuta përpara se Berisha t’i bënte publike emrat në konferencë për shtyp.
Në kabinetin e ri, aleatëve u takojnë gjithsej 5 poste, katër prej të cilave LSI-së dhe vetëm një Partisë Republikane. Berisha e ka pasur të vështirë të vendosë, së cilat figura të PD-së do të mbajë në qeveri, do ta ndërrojë kabinetin apo do t’i largojë përfundimisht prej saj, një fakt që e ka deklaruar dhe vetë.
Megjithatë, në zgjedhjen e tij përfundimtare Kryeministri ka rikonfirmuar në të njëjtat pozicione ministrat Bode, Olldashi dhe Bregu, ka sjellë dy emra të rinj, bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, Arben Imamin dhe Myqerem Tafajn, ndërsa ka larguar prej qeverisë Alibeajn, Gjanën, Oketën, Turkun e Bejën.
Përbërja e re e qeverisë do të duhet të marrë tashmë bekimin e Presidentit. Ky i fundit ka një afat kushtetues 7-ditor për të vendosur për këtë çështje. Pas kësaj, Kryeministri së bashku me kabinetin dhe programin qeverisës do të votohen në Kuvend.