Ditari i një gazetareje televizive...
Pjesë nga jeta e “Ermirit”
15 shkurt
Ermir Heqimi është një nga ata djemtë që me të drejtë do të quhej me “fat”. Ishte vetëm 18 vjeç kur vendosi të ndryshojë tërësisht jetën e tij, në qytetin e varfër të njëmijë e një dritareve. Sot është 37 vjeç dhe kujton se nuk pati asnjë mëdyshje për të marrë autobusin e për t’u nisur në Tiranë. Ambasadat ishin hapur. Ai duhet të nisej në Itali. Që atëherë, jeta e tij ndryshoi tërësisht, por vendi “mëmë” jo shumë. Ai ka vendosur të mos kthehet më në Shqipëri, pasi në Vercelli ka një biznes të suksesshëm. është pronar i një fabrike që merret me ndërtimin e çative, ku janë punësuar 25 shqiptarë dhe tre italianë. Investime që Shqipëria nuk do të mund t’i thithë. Por jo vetëm kaq. Ermiri është një nga sponsorët zyrtarë të PRO VERCELLIT, një skuadër që ka fituar shtatë herë kampionatin italian të kategorisë. A do të kishte qenë kaq i suksesshëm, nëse atë ditë nuk do të kishte vendosur të kapërcente murin e ambasadës.
Rikthimi që solli zhgënjim…
Diku në shkurt
Në një anketë të Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale rezulton se 44 për qind e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish. Për ta nuk ka vende pune dhe jetesa është e vështirë. Shteti shqiptar nuk ka politika për riintegrimin e këtij grupi, apo për thithjen e investimeve që emigrantët mund të bëjnë me paratë e kursyera në Shqipëri. Kriza ekonomike që ka goditur Greqinë, e cila ka më shumë se 650 mijë shqiptarë, dhe Italinë, ka nisur të ndihet tek emigrantët. E megjithëse pjesa më e madhe e tyre deklarojnë se marrin më pak para se një vit më parë, ata nuk duan të rikthehen. Madje 10 për qind e tyre, që kanë humbur punën si pasojë e shkurtimeve, do të presin të paktën 6 muaj para se të vendosin të rikthehen në atdhe. Një pjesë e tyre do të kthehen në Shqipëri dhe ata duhet të regjistrohen në zyrat e punës, institucion ky që nuk ka arritur të thithë besimin e punëkërkuesve deri më tani. Ulja e dërgesave financiare të emigrantëve në vitin 2009 me 100 milionë euro në krahasim me një vit në parë, pritet të thellohet këtë vit, pasi të ardhurat e emigrantëve janë ulur dhe ata preferojnë gjithmonë e më shumë t’i kursejnë paratë e tyre në vendet ku ata jetojnë se sa t’i dërgojnë në atdhe. Por jo vetëm kaq. Një përqindje e madhe e tyre deklaron se të ardhurat për familje janë ulur, pasi janë shkurtuar orët e punës, ose një nga pjesëtarët e familjes ka humbur vendin e punës.
Panik mes mësuesve
17 shkurt
Në ambientet e qindra shkollave, mësuesit janë në panik. Secili prej tyre mund të humbasë vendin e punës, pasi qeveria ka vendosur të largojë 1300 mësues. Kontrata e tyre nuk do të rinovohet më, pasi sipas ministrit të Arsimit, shkollat janë të mbingarkuara me nëndrejtorë, por edhe me mësues. Por opozita i bie një tjetër kambane. Më të besueshme, asaj të krizës ekonomike. Sipas deputetëve opozitarë, qeveria nuk ka para të paguajë më këtë kontingjent mësuesish që u morën në punë po gjatë qeverisjes së mazhorancës. Me të drejtë ndonjë mund të pyesë se cilit mësues do t’i bjerë lapsi për t’u hequr? Atij që ka ardhur më së fundmi në shkollë, atij që mendohet se ka bindje të majta, apo kontingjentit të mësuesve që u morën me kontrata të përkohshme. Këto pyetje janë ende pa përgjigje në shumë shkolla ku ankthi i një mësuesi që mund të humbasë vendin e punës rritet gjithnjë e më shumë. Por ka edhe një problem tjetër. Në shumë shkolla të kryeqytetit, por dhe të qyteteve të mëdha, numri i nxënësve është i lartë dhe shkurtimi i stafit do të sillte një ngarkesë të lartë për mësuesit, çka do të rëndonte në uljen e cilësisë.
#