E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshehën pasurinë, kallëzohen penalisht drejtori dhe komunari

ILDKP-ja konstaton shkelje nga Kujtim Hashorva i MPPTT dhe kreu i komunës së Berxullës

Një drejtor drejtorie dhe një kryetar komune janë kallëzuar penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), për “deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”. Kujtim Hashorva, zyrtar në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe drejtuesi i Komunës së Bërxullit, në Tiranë, nuk kanë arritur ta justifikojnë burimin e krijimit të pasurive të tyre. Nga kontrolli i kryer në ILDKP për vërtetimin e saktësisë së vetëdeklarimit të subjektit, Kujtim Hashorva, rezultoi se zyrtarisht nuk kishte deklaruar: a) një dyqan 240 m² me vlerë 360 mijë euro; b) një kredi të marrë në “Tirana Bank”, në shumën 25 milionë lekë; c) llogari bankare në emër të tij, në vlerën totale 690 mijë lekë dhe 4000 euro. Nga korrespondenca me “Tirana Bank”, ILDKP është vënë në dijeni se subjekti, me cilësinë e kredimarrësit, ka marrë hua në shumën 25.000.000 lekë për blerje dyqani me sipërfaqe 240 m², në Tiranë. Sipas kontratës së sipërmarrjes, për blerjen e dyqanit ka paguar cash 160.000 euro me lidhjen e kësaj kontrate me investitorin, në datën 15.02.2005. Po ashtu, sipas nxjerrjes se llogarisë së kredisë, rezulton se Kujtim Hashorva, gjatë viteve 2007-2009, ka shlyer kredinë në shumën totale 6.875.000 lekë. Nga analiza e deklarimeve të tij vjetore, ILDKP konstaton se vlera e detyrimeve të shlyera dhe asetet e krijuara, nuk mbulohen me të ardhurat e tij. I pyetur për këto fakte, subjekti ka deklaruar në ILDKP se “nuk e kam marrë unë këtë kredi dhe për pasojë nuk ka pasur arsye për të likuiduar ndonjë vlerë monetare”. Zyrtari ka pranuar që është bërë një kontratë për blerje dyqani, por deklaron se në momentin e nënshkrimit të kontratës së kredisë, ka qenë “për mjekim jashtë shtetit dhe ekzistencën e kësaj kredie e ka marrë vesh shumë kohë më vonë”. Po ashtu, për shumën prej 160.000 euro, që pretendohet të jetë dhënë prej tij, subjekti thekson se kjo vlerë nuk është paguar, por “është shtuar prej investitorit për të demonstruar garanci dhe kredibilitet në realizimin e marrëveshjes”. Lidhur me vlerat e padeklaruara bankare, subjekti është shprehur se janë krijuar nga të ardhurat personale dhe familjare. Në përfundim të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ të ushtuar ndaj deklaratave të interesave private të subjektit Kujtim Hashorva, bazuar në rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera, është arritur në përfundimin se subjekti ka bërë deklarim të rremë, nuk ka deklaruar interesat e tij private dhe burimet e krijimit të tyre. Për këto arsye, ILDKP ka kërkuar fillimin e procedimit penal për veprën penale të “refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal ndaj subjektit të deklarimit të interesave private Kujtim Hashorva, si dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore lidhur me vërtetësinë dhe rregullsinë e dokumentacionit për marrjen e kredisë në “Tirana Bank”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›