Pranga dy trafikantëve me 75 kg drogë Lazarati
Pas një telefonate anonime mesditën e së dielës në sallën operative të Drejtorisë së Gjirokastrës, policia e këtij qyteti mundi të kapë dy persona, që ishin duke transportuar 75 kg kanabis me një veturë. Sipas njoftimit, arrestimi i tyre u bë në një nga rrugët kryesore të qytetit, që lidh qendrën historike me lagjen “Manalat”, në vendin e quajtur “Shkëmbi mbrapa Kalasë”. Nga telefonata, policia mësoi se në këtë vend ishin disa çanta të mëdha shpine të mbushura dhe dy persona po i transportonin nga një vend i fshehur në anë të përroit të Pllakës për në një automjet tip “Benz”, i cili ndodhej në rrugën e shtruar me kalldrëm, që qarkon muret e kështjellës dhe që të çon në periferinë e qytetit, në pjesën që ndodhet fshati Lazarat. Agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar organizuan me urgjencë një operacion për të verifikuar këtë informacion, duke filluar me rrethimin e zonën dhe duke mos lejuar asnjë automjet të qarkullonte në atë drejtim. Më pas, grupet e policisë të përfshira në operacion, kanë ndërhyrë duke bërë të mundur bllokimin e automjetit, si dhe ndalimin në flagrancë të dy personave. Në momentin e ndërhyrjes, dy nga çantat janë bllokuar në bagazhin e automjetit, ku është kapur edhe drejtuesi i automjetit, ndërsa çanta e tretë është gjetur në vendin e përshkruar nga telefonata anonime, së bashku me personin tjetër, i cili ishte duke e transportuar për tek automjeti. Nga kontrolli rezultoi se çantat ishin të mbushura me lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë e papaketuar, në gjendje të presuar të ngjeshur. Pas peshimit, të tria çantat rezultuan të kishin peshën rreth 75 kilogramë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, menjëherë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Agim Merdani, 44 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë, i cili është dhe drejtuesi i automjetit tip “Benz”, me targa TP2906B, dhe Flamur Muçodemi, 42 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se lëndën narkotike e kishin blerë në Lazarat dhe do ta çonin në drejtim të Greqisë.
#