E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditari sekret i Gjovalin Lukës: Si e censuroi Enveri Migjenin ne rusisht



Agron Luka

“Rreth Federatës Ballkanike”...

Aty nga muaji tetor i vitit 1945, shkrimtari i njohur rus Ilia Ehrenburg, me rastin e një vizite në Bullgari e në Jugosllavi, me një ftesë nga Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, erdhi për një vizitë edhe në Shqipëri. Revista “Bota e Re (Nr. 3, shtator 1945, f 55) e paralajmëronte këtë ftesë gati-gati “si të rastësishme e si një inisiativë private”. Qysh nga muaji shtator 1945, Gjovalin Luka ishte transferuar nga Shkodra në Tiranë.

Me detyrën për ta shoqëruar dhe pritur shkrimtarin Ilia Ehrenburg që do të vinte nga Mali i Zi në Shkodër, u ngarkua Gj. Luka, meqënëse e zotëronte mjaft mirë frëngjishten, italishten e diçka pjesërisht edhe rusishten. Ai e shoqëroi “personalitetin e letrave sovjetike” dhe gjatë ditëve që qëndroi në Shkodër e mirëpriti në shtëpinë e prindërve të tij.

Qysh nga bisedat e para, përgjatë udhëtimit, Gjovalini e kuptoi se Ehrenburgu ishte i parapërgatitur mirë për këtë vizitë dhe kishte disa detyra:
-A mund t’ju pyes në konfidencë; cili do të ishte mendimi i popullit tuaj dhe opinioni juaj personal, në rastin e një bashkimi federate ballkanike të vendit tuaj me Bullgarinë dhe me Jugosllavinë?
-Shoku Ehrenburg, besoj se nuk jam unë personi i duhur e kompetent dhe as i autorizuar. Por, me që ju po më pyesni në konfidencë, po ju përgjigjem, sepse kam shkruar për këtë temë qysh në dhjetor të vitit 1944. (Gazeta “Jehona e Shkodrës”, art. “Nga robënija në liri”, Nr. 1, 21 dhetuer 1944) Nuk e përkrah idenë imediate të një federate të tillë. Ne sapo dolëm nga lufta Antifashiste dhe Nacional-çlirimtare, sapo e çliruam vendin tonë nga okupacioni dhe të bashkohemi tashti direkt, kjo del sikur paskemi luftuar për këtë bashkim federativ! Populli ynë nuk është i përgatitur. Historikisht, nuk kemi shkuar asnjëherë mirë me fqinjët tonë, të cilët kanë synuar mundësisht të na fshijnë nga harta gjeografike. Për të ditur mendimin e popullit, sigurisht do të duhej një referendum dhe ta kërkosh tashti, fill dhe kështu, kjo do të thotë se ne komunistët paskemi luftuar për t’u bashkuar me Jugosllavinë! Kjo do të shkonte pak a shumë si bashkimi me Italinë që e kërkuan fashistët shqiptarë, “Ali Hoxha Hoxhë Alia”, siç thotë një fjalë e urtë e popullit tonë.

-Por aspirata për një Federatë Ballkanike ka ekzistuar shumë kohë më përpara...

-Jo, jo nuk ka pasur ndonjë aspiratë të tillë, kjo është artificiale. Nuk ka asgjë të përbashkët e asnjë vazhdimësi ish parulla e vjetër e disa demokratë-revolucionarëve të KONARE-s, para okupacionit fashist dhe para unifikimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Përgjatë LANÇL ne nuk kemi hedhur asnjë parullë të tillë. Vetëm aty nga fundi filluan të duken disa Urdhra e Komunikata të Enver Hoxhës “për vëllazërimin me popujt e Jugosllavisë”! Këtë parullë “për një bashkim federativ të shteteve të Ballkanit” e hodhën edhe disa kolaboracionistë profashistë në Lidhjen e II të Prizrenit dhe më duket se edhe SHBA me dy shoqatat shqiptare; “Vatra” dhe “Liria” na dërgoi një Mesazh, më 29 nëntor 1944: “shqipëtarët e jashtëm përkrahin krijimin dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në një Federatë Ballkanike, që do t’i përgjigjej më së miri interesave më të larta kombëtare”. (M. Sopoti, “Rilindia e Lidhjes së Prizrendit”, Hylli i Dritës, 2, Fruer 1944, f 51-58; Bul. i Luft. Nacional-Çlirimtare, dt. 1 Dhjetor 1944, Rezoluta e shoqatave Vatra dhe Liria, Shën. Plotësimi me referencat e sakta është bërë nga autori i shkrimit)
Si mendim personal, unë nuk e përkrah Federatën Ballkanike. Siç e kam shkruar, jam për një lloj Konfederate Ballkanike me të drejta të barabarta popujsh dhe shtetesh indipendente. Por, edhe për këtë absolutisht nuk bëhet fjalë për ndonjë veprim imediat. Ne jemi një vend thellësisht i mbrapambetur dhe i varfër. Më përpara ne duhet të ndërtojmë vendin, të zhvillojmë ekonominë dhe kulturën. Mund të mos e besoni, por ne akoma nuk kemi asnjë universitet e institut të lartë, nuk kemi rrugë, nuk kemi asnjë hekurudhë. Me fqinjin tonë Jugosllavinë, ne kemi edhe një problem nacional të pa zgjidhur. Jugosllavia, padrejtësisht mban një pjesë të madhe të popullit tonë, i cili jeton në tokat e tyre etnike në krahinën e Kosovës dhe në pjesën e Maqedonisë. Vetë Partia Komuniste Jugosllave, në kohën e luftës na ka premtuar ndryshe; e si mundemi ne tashti ta tradhtojmë popullin tonë, e t’i themi se po bashkohemi me Jugosllavinë e Bullgarinë, se kështu po na urdhërojnë aleatët?!

-Por, a banojnë edhe sllavë aty?

- Banojnë, por janë një minorancë. Unë i kam shëtitur vetë ato zona imtësisht në kohën e luftës. Ne kërkojmë në mënyrë paqësore vetëm pjesën tonë shqiptare dhe pjesa serbe e maqedono-bullgare si unitet sllavojugor mund ta zgjidhin si të duan pjesën e tyre. Pjesës shqiptare nuk i është dhënë asnjëherë e drejta për vetëvendosje, bile as teorikisht.

-Mendoj se ju kam kuptuar.

Malësorja e bukur e Migjenit dhe Illyrianka e bukur e Darit të Persisë

Gjatë një sofre të shtruar për nder të mikut, në shtëpinë e tij, duke iu përgjigjur interesimit të Ehrenburgut për shkrimtarët shkodranë, në një ekspoze të shkurtë, Gjovalini i tregoi më shumë për Migjenin si poet e si prozator, i cili i ngjalli një interes e kuriozitet të veçantë. Përveç vjershës “Parathanja e Parathanjeve”, Gjovalini i komentoi shkurtimisht edhe dy tregime: “Zeneli” dhe “A do qymyr zotni?” (“Vargjet e Lira”, bot. 1936; E. Koliqi, K. Gurakuqi, antologjia “Shkrimtarët Shqiptarë”, Prej Lidhjes së Prizrendit e deri sot, Pjesa II, 1941, Tiranë 1941; “A do qymyr zotni” ishte botuar së pari te revista “Illyria”, Nr. 24, 28 shtator 1935, f 7. Ruhen origjinalet.)

Ehrenburgut i bënin përshtypje të jashtëzakonshme veshjet e fshatareve dhe malësorëve. Duke ia prezantuar disa kartëpostale të vjetra të fondit austriak, dy prej tyre ia pushtuan vëmendjen. Te e para, ishin nja dy fshatare të rrethinës së Shkodrës, që ecnin rrugës në qytet, me thes në shpinë, duke biseduar e duke tjerrur lesh me furkë dhe te e dyta ishin disa gra myslimane të mbuluara në radhën e bukës, në pazarin e Shkodrës.

- Nga janë këto fshatare me këto veshje dhe këto gra myslimane të mbuluara? Keni edhe ndonjë minoritet turk në vendin tuaj?

- Janë fshatare të rrethinës së Shkodrës që kanë ardhur për të bërë tregun, ndërsa këto gratë myslimane, janë qytetare të vetë qytetit, në radhë për bukë. Besoj se kemi disa mbeturina minoritetesh e përzierjesh që na la okupacioni gati pesë shekullor turk, por këtu nuk duhen ngatërruar vendasit e veshur si në orientin islam. Mënyra e veshjeve ndryshon shumë në zona të ndryshme etnografike, porse në qytete po fiton terren civilizimi modern, siç mund ta keni konstatuar.

- Shoku Gjovalin. ai tregimi i Migjenit me atë malësoren e bukur, me kalë për të shitur qymyrin, kjo gruaja e re e bukur me ngarkesë në shpinë, duke tjerrur lesh, si edhe dhe këto gratë e mbuluara myslimane që bëjnë edhe tregun, të gjitha bashkë, po më kujtojnë një histori, për cilësitë dhe zakonet e grave të paraardhësve të popullit tuaj, - siç i ka përmendur Herodoti. Gjatë një kërkimi për paraardhësit e skithëve të lashtë, e kam lexuar rastësisht edhe këtë tregim interesant për një illyriankë të bukur, e cila tërhiqte kalin, mbante një shtambë në kokë dhe ndërkohë punonte një lloj fije. E kam rilexuar edhe tashti vonë. E ke lexuar ti?

- Jo, deri më sot unë nuk e kam lexuar. Por, mund t’ju them se gratë tek ne, edhe sot kur shkojnë me kafshë në mal për dru, përveç ngarkesës së kafshës, mbajnë edhe vetë ngarkesë në shpinë dhe ndërkohë punojnë duke tjerrur leshin ose fijet e bimës së linit, me të cilën bëhen litarë, një lloj bezeje dhe disa prodhime të tilla me të cilat ato vishen. Pra, duke i pasur duart të lira bëhen disa lloje punësh në ecje, tjerrje e fijes, thurje trikosh e çorapesh etj. Fijet e linit, nuk duhet të ngatërrohen me të leshit dhe këndej ka rrjedhur edhe një fjalë e urtë: “Mos i ngatërro punët, mos i ban lesh e li”. Ne kemi edhe një traditë të hershme mesjetare të punimit të mëndafshit. Te një vjershë e poetit tonë progresist, Andon Çajupi, gruaja shqiptare fshatare paraqitet e gjithanshme. Çajupi i ironizonte rëndë disa nga burrat tipikë shfrytëzues të grave. Por, ndërsa ndodh kështu në malësi e në fshatra, në qytetet tona mbizotëron orjintalizmi, i cili sidomos vajzat e reja i mban mbyllur, të mbuluara etj. Por, sigurisht punët kanë ndryshuar edhe në vendin tonë. Puna e mbingarkuar dhe diskriminimi i gruas është një praktikë të cilën pushteti ynë i ri do ta luftojë.

Tregimi i Herodotit, siç ma treguat ju, sigurisht tregon një traditë të lashtë dhe ne shumë shpejt do ta studiojmë Herodotin dhe autorët antikë me hollësi.

Aktualisht ne kemi disa historianë klerikë katolikë, studiozë të dalluar, veçanërisht kemi një specialist talent. Ai shkruan për një statujë gruaje të vogël bronzi të shek VI p.K., që është gjetur në Shkodër; shkruan edhe për statuja guri me veshje ilire. (Marin Sirdani, “Hylli i Dritës”, “Kulturë e Arte në Shqipëri” nr. 2-3-4 prill 1944, f 21)
Qyteti ynë ka edhe një legjendë me një murim të një nuseje të re, duke ia lënë gjirin përjashta që t’ia pinte fëmija, si një sakrifikim që muret të mos rrëzoheshin. Muret u forcuan por ato ende kullojnë qumësht gëlqeror etj. Po të dëshirosh mund të shkojmë dhe e vizitojmë.

- Po, ju falënderoj shumë. Atëherë dëgjojeni historinë e Herodotit, që ta keni parasysh. Dy vëllezër illyrianë, me të motrën e tyre shumë të bukur, në kohën e pushtimeve të para të Darit të Persisë në brendësi të gadishullit tuaj, kishin përfunduar në qytetin Sardis. Ka të ngjarë që Dari synonte ta hetonte e pushtonte Greqinë me krahë marrje, duke i dalë mbrapa shpine nga brigjet e Detit të Zi, duke siguruar ndoshta edhe disa aleatë jo grekë. Të dy vëllezërit, që kishin ambicie të bënin karrierë e që donin të binin në sy të Darit e dërgojnë të motrën e bukur për të mbushur ujë me kalë. Duke ecur, krahas kapistallit që e kishte lidhur në krah, ajo mbante edhe një shtambë në kokë dhe me duart punonte fijen. Pasi i dha ujë kalit, vuri shtambën në kokë, u kthye përsëri duke punuar. Kjo femër kaq e bukur dhe kaq punëtore me disa punë përnjëherësh, tërhoqën vëmendjen e Darit të Persisë, sepse gratë persiane nuk kishin nga këto zakone. Dari i thërriti të dy vëllezërit dhe motrën e tyre dhe i pyeti se nga cili popull janë. Ata i thanë se janë illyrianë nga brendësia e gadishullit, aty rreth lumit Strimon dhe te liqenet, fqinjë me helenët dhe që nga aty edhe ngushtica e Helespontit nuk është shumë larg. I treguan se dikur kishin qenë me prejardhje teukrase dhe si një ish koloni e trojanëve. Dari i pyeti: A janë të gjitha gratë tuaja kështu kaq punëtore si motra e juaj? Dhe ata i thanë se të gjitha gratë e vendit tonë janë të bukura dhe punëtore. Atëherë Dari, i dha urdhër komandantit të tij, Megabazit, që t’i shpërngulte me forcë një pjesë të atij populli në Persi. E shikon, çfarë surprize zbuluam; një traditë e mbijetuar shumë e lashtë! Çudi, çudi! I a vlen ta hetoni shoku Gjovalin.

- Shoku Ehrenburg, ndoshta do t’ju befasoj pak më tepër. Ne kemi një krahinë që quhet Myzeqe në jug, dhe siç më kujtohet, nga një vizitë me makinën tonë, atje gratë dhe vajzat masivisht e mbajnë edhe sot e kësaj dite shtambën në kokë me anën e rrethi dhe ndërkohë thurin triko leshi ose mbajnë edhe dy shtamba të tjera në duar.

(Këtu ndërhyn Kol Luka, vëllai i Gjovalinit)
- Kultura e bimës së linit është prezente, shumë e fortë akoma edhe kësaj dite te ne, jo vetëm për litarë e vela anijesh, por deri edhe te veshjet, madje edhe të mbathurave të përbrendshmeve ne i themi t’linda/t’linjta, ka deri edhe punime shumë më të imta si perde lini. Mjeti më thjeshtë prej druri me një kokë prej terrakote, që përdoret për të tjerrur fijen nga shtëllunga quhet bosht, por ka edhe një teknologji më të vjetër ku boshti quhet furkë dhe sigurisht ka edhe makina prej druri tepër interesante që punojnë linin. Ne e kemi si traditë çarçafët e shtratit, çarçafët e vdekjes, këmishat, të gjitha shtrojat e tavolinave dhe mësallave, duhet të jenë prej lini. Ja shikoji se po t’i prezanton nana ime.

- Shumë, shumë interesante. Po shoh dhe konstatoj nga të gjitha, nga malësorë me veshje skithike, një shoqëri me një bërthamë të fortë orientale, por edhe mjaft njerëz me kulturë e përparimtarë, po shoh edhe lakmitë e fqinjëve. Migjeni i ka pasqyruar të gjitha këto?

- Me aq sa e njoh edhe unë po.

- Po kjo frëngjishte kaq perfekte?

- Po, unë kam vazhduar shkollën në Zvicër, pastaj ne kemi qenë familjarisht shpesh herë në Francë.

- Do të kisha dëshiruar sa më parë që shkrimtari Migjeni t’i bëhet i njohur lexuesit të jashtëm europian dhe më veçanërisht lexuesit sovjetik. Ju të dy vëllezërit a mund ta kryeni një punë, një detyrë të tillë së paku në përkthim në frëngjishte, sepse rusët e kulturuar e njohin mirë frëngjishten. Shoku Gjovalin, ju mund t’i dërgoni një raportim Ministrisë së Kulturës, për këtë dëshirë tonën, edhe unë vetë do t’ia shpreh këtë propozim edhe organeve tuaja më të larta.

(Gj. Luka i dhuroi I. Ehrenburgut një përkthim frëngjisht të vjershës “Parathanja e Parathanjeve”, e cila hapte botimin “Vargjet e Lira” të vitit 1936. Në vargun e 14, më 1936, fjala origjinale ‘idhull”, ishte ndryshuar si “ishull” etj. A. L.)

“Piktura e Rembrandit” e Mark Kakarriqit
Ndër të tjera, si rastësisht Ehrenburgu pyeti për personin Mark Kakarriqi dhe sqaroi diçka se ky person kishte vizituar Shën Petersburgun, Moskën e Odesën dhe flitet se e ka takuar edhe Leninin personalisht.
- Jam kurioz ta sqaroj se në çfarë rrethanash e ka takuar Leninin. Por, më kanë informuar se ky person ka në koleksionin e pikturave të tij një pikturë të Rembrandit dhe një pikturë të një piktori rus. Pa shkelur rregullat a mundemi ta lajmërojmë t’i bëjmë një vizitë miqësore e kortezie, edhe për të diskutuar në shtëpinë e tij? Apo, mos duhet edhe ndonjë leje nga autoritetet lokale? Thuhet se këto piktura i ka blerë nga disa koleksionistë, por ka edhe fjalë se ato janë vjedhur nga Ermitazhi.

- Ju kërkoni thjeshtë ta takoni e të bisedoni me zotin Kakarriqi, si një ish vizitor i vjetër i Bashkimit Sovjetik dhe i Leninit? Kjo mund të bëhet fare normalisht. Sa për çështjen e pikturave, ju më sugjeroni që duhet t’i lajmëroj autoritetet vendase të hetojnë për këto, apo mos ndoshta ju po kërkoni t’ia bleni si koleksionist?

- Jo, jo, absolutisht. E thashë thjeshtë në konfidencë, është një interesim i imi personal. Ndoshta si rastësisht mund ta pyes vetë zotin Kakarriqi.

- Kështu mund të bëhet. Më falni, por e kuptoni edhe se si mund të ngatërrohen punët pa dashur dhe nuk dëshiroj që personi i cili është edhe një mik i babait tim, të pësojë ndonjë konsekuencë të padëshirueshme. Besoj se ju e kuptoni, pak a shumë.

- Jo, jo, thjeshtë dëshiroj të bisedoj me zotin Kakarriqi, si një vizitues i hershëm i BRSS dhe i Leninit.

- Atëherë, po e marr përsipër unë lejen nga autoritetet. Duhet ta lajmëroj zotni Kakarriqin më përpara, nëse na mirëpret dhe pastaj besoj se është normale që ju edhe të diskutoni direkt kuriozitetet që keni me të.

Vizita u realizua, por ajo piktura e Rembrandit me sa duket ishte një kopje falso e po ashtu ishte edhe një kopje e “Pyllit Rus” ...

Të dy vëllezërit e shoqëruan Ehrenburgun edhe në Tiranë. Gjovalin Luka aso kohe dërgoi një “Raport”, për dëshirën, vërejtjet dhe sugjerimet e shokut I. Ehrenburg etj. Me propozimin e shokut Nako Spiru, Gjovalin Luka do të emërohej si sekretar i Përgjithshëm i Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri - BRSS.
Ehrenburgun, Gjovalin Luka e ka takuar në Moskë edhe më vonë...

Botimi i komentuar shqip i Migjenit në poezi e prozë në fund mars 1954 dhe përkthimi rusisht më 1954...

Në saje të simpatisë dhe njohjes së hershme që Gjovalin Luka kishte për Migjenin, pastaj edhe si një detyrë që ia ngarkuan, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe nga Komiteti Qendror i Rinisë (kishte qenë edhe si një plotësim porosie nga shkrimtari Ilia Ehrenburg), Gj. Luka realizoi një përmbledhje botim. (“Migjeni, VEPRA, mbledhë dhe shpjegue nga Gjovalin Luka”, botuar nga N.SH.B. Tiranë, 1954.) Ky botim, megjithëse u censurua me “Urdhër”, në gjashtë krijime të Migjenit, përbënte botimin më të plotësuar në poezi e në proza deri atëherë, shoqëruar edhe me komentime të përmbledhura etj. Prej kohësh, në vendin tonë mbizotëronte terrori dhe padyshim këto reflektoheshin edhe në krijimet letrare, ku dominonte vija injorante e imponimit të një letërsie prolet-kulti e përzier edhe me kultin e individit dhe krahinor të diktatorit stalinist e oriental Enver Hoxha.

Përkthimi i parë dhe botimi rusisht i Migjenit, me poezi e proza të përzgjedhura, u realizua në shtator 1954, nga D. Samoillova dhe R. Konçi në Moskë. (МИДЬЕНИ ИЗБРАНHOЕ, Перeвод c албанского, Москва 1954) Vjershat ishin përkthyer nga D. Samoillov, ndërsa prozat nga R. Konçi dhe D. Samoillov. Një kopje, me një porosi të veçantë nga Shoqëria e Lidhjeve Kulturore Shqipëri - BRSS, i ishte dërguar edhe Ilia Ehrenburgut. Kjo dyshe autorësh sovjetik dhe shqiptar, e kishte filluar punën më përpara vitit 1953.

Materiali bazë ishin tekstet e botuara në “Vargjet e Lira”, botim i vitit 1944, ribotimet nga Dhimitër S. Shuteriqi, në vitin 1948 te “Literatura Jonë”, botimet e “Letërsija Jonë” në 1953. (shih ПРЕДИСЛOВИЕ, f 6) Në këtë Përmbledhje rusisht ishin botuar edhe dy novelat “Studenti në shtëpi” dhe “Bukën tonë të përditëshme falna sot...”, sipas tekstit të botimit të vitit 1953, te “Letërsija Jonë”, Nr. 8, Gusht 1953, “dhuruar nga vetë familja e Migjenit”.

Nga tekstet migjeniane, në botimin e vitit 1954 nga Gjovalin Luka, por pa ia përmendur emrin, ishin marrë vetëm vjersha “Parathania e Parathanieve”, dhe “Blasfemi” (sipas shën 1 në f 68). Në realitet, futja e këtyre dy vjershave fillimisht nuk ishte planifikuar, por pas një diskutimi e debati të ashpër, ato mezi u futën, siç shihet edhe nga vetë rendi i vendosjes së tyre etj. Ishte kuptuar se kishte ndërhyrë direkt dora e Enver Hoxhës, pas ndonjë sinjalizimi të një vigjilenti intrigant e xheloz... Përkthimi rusisht kishte një “Parathënije” nga D. Samoillova, ku shënohej i mbivlerësuar ndikimi tek Migjeni, leximi i romanit “Nëna” i Maksim Gorkit, kishte aty këtu ndonjë shënim sqarues dhe disa prozave i ishte vendosur data e botimit...

Më 1946, me iniciativën e Gjovalin Lukës, me korrekturën gjuhësore edhe të A. Budës, etj, ishte përkthyer në shqip një broshurë, si botim popullor i akademikut A. I. Oparin (“Krijimi i Jetës mbi Tokë”). Përkthimi në shqip, ishte me një gegnishte-shkodranishte mjaft të admirueshme, po ashtu, siç Gjovalin Luka kishte botuar edhe përkthime nga rusishtja të Majakovskit, në qershor 1946, më vonë kishte përkthyer A. Zhdanovin, etj. Mirëpo fanatikët e dialektit toskërisht kishin shprehur mjaft pakënaqësi.

“Nuset dhe gratë ilire, diskutime të 1955”...
Disa vjet më vonë, më 1955, në Varshavë, Ilia Ehrenburgu, pasi kishte kontaktuar edhe më përpara me Gjovalinin, e ftoi atë një pasdite, në një lokal afër Sejmit të Polonisë, ku i tregoi se do të ishte i pranishëm edhe akademiku Oparin. Ehrenburgu do t’ia prezantonte Gjovalin Lukën, akademikut Aleksandër I. Oparin, si një nga themeluesit e Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri -BRSS, si kryeredaktori i revistës “Miqësia”, që kishte një tirazh rekord, dhe se vetë Shoqëria kishte shumë anëtarë dhe në këtë pikë Partia ishte bërë ishte bërë edhe “si xheloze”! I tregoi se Gjovalini e kishte mikpritur edhe në shtëpinë e tij, qysh më 1945... Gjovalin Luka, ka qenë në Francë më 1936...

Gj. Luka i tregoi Oparinit se si e kishin përkthyer në gjuhën shqipe broshurën e tij, “Krijimi i jetës mbi tokë”, qysh në vitin 1946. Oparini mbeti shumë i befasuar dhe i prekur për këtë surprizë dhe e falënderoi shumë. Edhe Ehrenburgu u çudit mjaft dhe i bëri shumë përshtypje ky përkthim.

- Shoku Gjovalin! Ju falënderoj shumë edhe për kontributin e pjesës shqiptare në përkthimin rusisht të Migjenit, më 1954. I hodha një sy dhe sapo fillova ta lexoj, u detyrova t’i shkoj deri në fund sepse kjo copë bote e “bijve të shqiponjave”, nuk të lëshonte aq lehtë. Kam krijuar një ide sikur përkthimi rusisht ka disa të meta. Qëndron ky mendim? ...

Gjovalini e vuri në dijeni Ehrenburgun se, më në fund e kishte gjetur dhe lexuar Herodotin në atë pasazhin e asaj ilirianes me shtambë në kokë që, tërhiqte kalin dhe tirrte linin. (Herodoti, “Historiae”. Lib. V, 1, 12, 13, 14, 15, 16; Referencat nga autori i shkrimit) Tema duhet të jetë akoma më e hershme, sepse këtë krahinë ilire paione, siç e quante Herodoti ose peone, siç e quante Homeri, aty rreth lumit Strimon e Vardar, i ka përmendur edhe Homeri, si aleatë e pjesëmarrës në “Luftën e Trojës”, përkrah trojanëve. Herodoti tregonte se aty ishte stacionuar edhe Kadmi fenikas, vëllai i famshëm i Evropës. Ky në kërkimin e së motrës Evropë që ia kish rrëmbyer Zeusi, pasi ishte ndalur në Teba, ishte ngjitur së bashku me “Harmoninë e Bukur” te ilirët. (“Iliade”, përkth. italisht V. Monti, bot. 1934, Kënga II, v. 1131-1135, f 58; shih edhe f 81 etj). Këto episode sigurisht përfaqësojnë edhe njohjet e komunikimet e lashta të ilirëve me fenikasit, egjiptianët, trojanët, persianët, helenët etj.

Me këtë rast Ehrenburgu ia tregoi shkurtimisht akademikut Oparin episodin e dy vëllezërve ilirë dhe motrës së tyre të bukur, që kryente disa punë njëherësh, se si i kishte tërhequr vëmendjen e Darit të famshëm të Persisë. Pastaj Gjovalini vazhdoi: Më ka rezultuar se vetë fjala e gjuhës tonë “lin-lir” dhe teknologjia e punimit e shfrytëzimit të tij është po aq e lashtë sa edhe në Greqi. Në greqishten e vjetër quhet linon (λίνον), ndërsa në latinishten lino-linum, pra ka një përhapje të gjerë rajonale e mesdhetare. Në dialektin shkodrianishte e kemi si lî me një i nazale shumë të vjetër. Përdorimi i fijes së linit shtrihet për litarë e vela anijesh, për pê lîni/fill-lîni për qepje, për voj lîni etj. Si toponimi që e përdorin edhe kultivimin e përpunimin, kemi një numër fshatrash si të lashtë, ashtu edhe më të rinj që e kanë marrë emrin nga kjo kulturë, si “gadishulli Lin, në liqenin e Ohrit”; fshat Linzë, Linaj etj. Vetë ajo vegla prej druri që quhet furkë, si në latinishten e hershme, na çon tepër lashtë në filozofinë e atre tre motrave/mojrave të fatit, fatijeve që e tjerrnin fatin, fatalitetin, rastësinë, domosdoshmërinë, koinçidencën etj. Dari i Persisë, me sa duket ka dashur jo vetëm të merrte me krahëmarrje Greqinë, me një strategji të tillë, siç e keni shprehur ju dhjetë vjet më parë, sepse nuk e kam harruar këtë “vogëlsirë”, por edhe të përfitonte nga eksperienca e grave ilire për të rregulluar ekonominë, si edhe të përmirësonte racën, me këto gra të forta ilire, prandaj e urdhëroi Megabazin të shpërngulte disa fise ilire në Persi. Këto cilësi të grave ilire, duke përdorur edhe lavdërimet maksimale, i vinte në dukje edhe historiani romak Varroni, sidomos për gratë e fiseve baritore stinore. Ai nënvizonte, se përveç të gjitha punëve blegtorale e bujqësore dhe të mjeshtërive të tjera, gratë ilire ishin edhe shumë pjellore e lindnin edhe fëmijën në punë, pa bërë as ankesën më të vogël, etj. (“De Re Rustica”, Libri II, 10)
Te autori romak Claud Aeliani, tregohet edhe një variante tjetër, përveç asaj të Herodotit që më keni treguar juve. “Illyrianka e bukur”, krahas shtambës në kokë, kalit të ngarkuar me buliera uji që e tërhiqte prej kapistrës, mbante në një rrobe të veçantë edhe fëmijën duke i dhënë gji dhe në të njëjtën kohë thurte me shtiza edhe veshje për familien. Pra, ka edhe një veçanti se ka edhe fëmijën për gjirit. Kjo, sidomos e kishte çuditur shumë Darin. (“De Animallum Natyra”, Libri VII, 12)

Këtë episodin e motivin e gruas së re me fëmijë për gjirit, unë e vlerësoj shumë, sepse mendoj se lidhet edhe me legjendën e motrës Fatijes së murosur me fëmijë për gjirit, në kështjellën e Shkodrës, siç ta kam treguar. Disa folkloristë tonët, edhe për shkaqe predispozicioni krahinor e kanë nënvlerësuar e mohuar legjendën e lashtë shkodrane. (Fjala ka qenë për një debat vlerësimesh me Dh. S. Shuteriqin e Z. Sakon...) Romakët u treguan jashtëzakonisht mizorë ndaj ilirëve e epirotëve, duke asgjësuar e përvetësuar gjithçka. Fqinjët tonë serbo-malazezë kanë dashur të na e vjedhin në një mënyrë shumë të rafinuar edhe legjendën tonë autoktone, duke e mbledhur e botuar si të folklorit të tyre, me tre vëllezër mesjetarë, personazhe reale historike, të cilët murosin një princeshë mesjetare serbe. (Shih “Zidanie Skadra”; “Strojenie Skadra” etj...)
- Ashtu?! Po si kështu, folkloristët e historianët tuaj e falin trashëgiminë e lashtë me kaq lehtësi?!
Akademiku Oparin që po e dëgjonte me shumë interes këtë bisedë, tha:

- Populli i juaj paska një histori e vazhdimësi të lashtë, qysh nga koha e Darit të Persisë dhe e Aleksandrit të Madh?! Po më vjen mirë që ju interesoheni me kaq kujdes për historinë e vendit dhe të popullit tuaj.
- Shoku Gjovalin, do ishte mirë që ndonjë piktor shqiptar ta pikturonte si një tabllo, duke i shfrytëzuar sa më mirë këto tre autorët antikë, që ju i përmendët, - ndërhyri Ehreburgu.

Në numrin e ardhshëm do të lexoni

“Si e kopjoi dhe si e transformoi E. Hoxha “sekretin misterioz të Albanisë Kaukazike” , në bisedat me Stalinin”

“Aventurat e Majmunit” të Zoshenkos dhe “Aventurat e Gogolit” të Migjenit;

Për më shumë na ndiqni në numrin pasardhës

Shënim: Autori i shkrimit është djali i Gjovalin Lukës

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›