Trafikanti shqiptar i makinave ekstradohet në SHBA
TIRANË – Autoritetet shqiptare i dorëzojnë Drejtësisë amerikane të shumëkërkuarin Fran Malocaj, i njohur ndryshe me emrin Françesk Pashku. Ditën e djeshme ai është nisur nga Rinasi drejt SHBA-ve pasi përfunduan procedurat e ekstradimit. Tashmë pritet që të rinisë procesi gjyqësor në ngarkim të tij, sepse akuzohet për trafikimin e mjeteve motorike luksoze. Prej 12 vjetësh 43-vjeçari Malocaj ishte shpallur në kërkim. Duke përfituar nga fakti se kishte dy nënshtetësi, ai ka arritur që të largohet nga vendi ku ka kryer krimet dhe të fshihet në Shqipëri. Por, mëngjesin e datës 23 dhjetor të vitit të kaluar ai është prangosur në vendlindjen e tij, në fshatin Trush të rrethit të Shkodrës.
Ekstradimi
Mëngjesin e djeshëm Fran Malocaj u është dorëzuar në Aeroportin e Rinasit autoriteteve amerikane, të cilat kanë nisur hetimin ndaj tij për trafikim mjetesh motorike. Një fakt i tillë është pohuar zyrtarisht nga Policia e Shtetit, sipas së cilës, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në bashkëpunim me mareshallët amerikanë, bënë procedurat e ekstradimit. Malocaj do të shkojë në Florida, ku është hapur procesi gjyqësor në ngarkim të tij. Ai akuzohet për veprat penale të kryera gjatë viteve 1997–1998, ku, sipas burimeve zyrtare, është i përfshirë në vjedhjen dhe transportin e automjeteve luksoze nga Nju Jorku drejt Xheksenvillit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për kryerjen e veprave penale të “mashtrimit”, “transportimit të mjeteve të vjedhura” dhe “trafikimit të mjeteve motorike, të kryera në bashkëpunim”, të parashikuara nga ligji penal amerikan.
Arrestimi
Pas 11 vjet kërkimesh, Fran Malocaj u kap në Shqipëri dhjetorin e vitit të kaluar. Operacioni për arrestimin e të shumëkërkuarit nga Drejtësia amerikane u bë falë bashkëpunimit të Drejtorisë së Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe strukturave lokale të policisë në Qarkun e Shkodrës. Francesk Pashko Pashku, alias Fran Malocaj ishte vënë në ndjekje dhe në mëngjesin e datës 23 dhjetor është kapur në vendlindjen e tij. 43-vjeçari nga fshati Trush i Shkodrës nuk bëri asnjë rezistencë në momentin që është përballur me prangat e policisë. Malocaj kishte marrë edhe nënshtetësinë amerikane. Gjatë viteve 1997-1998 ka qenë i përfshirë në vjedhjen dhe transportin e automjeteve luksoze nga Nju Jorku drejt Xheksenvillit, në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllim rishitjen e tyre. Për këtë aktivitet të kunderligjshëm ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet amerikane. Gjykata e Floridës në SHBA ka lëshuar urdhër-arrestin për Fran Malocajn, për veprën penale të "trafikimit te mjeteve motorike".
8 Prill 2010