E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptari pranon krimin, mashtroi me skemën e kredive në SHBA



HARTFORD – Një emigrant shqiptar në SHBA ka pranuar akuzat për mashtrim dhe tashmë pritet që të jepet vendimi. Gjergji Hajati, 31 vjeç ka treguar detajet e skemës mashtruese të kredive në Hartford, të cilat i ka shkaktuar klientëve humbje në shumën rreth 1 milionë dollarë. Në seancën e zhvilluar dy ditë më parë në Gjykatën e Roki Hill, Hajati pranoi fajin para gjykatësit Mark Kravits për akuzën e mashtrimit lidhur me një skemë mashtruese huash në zonën Hartfordit. Sipas të dhënave të bëra publike në gjykatë, nga shtatori i vitit 2003 deri në nëntor 2007, emigranti shqiptar ka shfrytëzuar kompaninë e tij “Conencticat Partners Mortgage”, në bashkëpunim me Xhastin Uilliams, nëpunës i tij dhe avokatin, Daglash Shihan. Konkretisht ata kanë ekzagjeruar në mënyrë false shifrat e kredive për blerësit e pasurive të patundshme, të cilat i kanë blerë pronat me vlerë më të ulët se sa sasia e kredisë. Kjo lloj skeme ka zmadhuar në dokumente gjithë çmimet e shitjeve të pasurive, shumë më tepër sesa ato që janë bërë nga blerësit në mënyrë që të bindnin më pas institucionet financiare që të jepnin fonde për kompaninë e tyre. E gjithë kjo skemë mashtruese ka kushtuar 1 milion dollarë. Për këtë rast nisën hetimet nga FBI-ja. Hajati u kthye në Shqipëri bashkë me autorët që realizuan skemën. Por ai u arrestua teksa kalonte kufirin nga Shqipëria në Malin e Zi dhe më 24 korrik të vitit 2009 u ekstradua në SHBA. Në fund të qershorit pritet të jepet dënimi për shtetasin shqiptar.

Dëshmia e prostitutave çon në pranga shqiptarin, shtirej si polic

SANREMO – Ilmi Habili, 32 vjeç, një emigrant nga Shqipëria banues në Bolonja të Italisë, u arrestua pasi dy prostituta dëshmuan kundër tij duke pohuar se ishin mashtruar nga emigranti që hiqej si polic. Sipas vajzave, ai i kishte përdhunuar ato në makinën e tij tip “Fiat Punto”. Notizario Italiano shkruan se dhuna seksuale, rrëmbimet dhe grabitja janë akuzat e ngritura ndaj shqiptarit. Habili akuzohet se ka përdhunuar së paku dy prostituta në Sanremo. Vajzat janë të moshës 19 dhe 20 vjeçe. Ato u morën në pyetje nga policia dhe fillimisht treguan targën e makinës së autorit të ngjarjes. Policia u vu në ndjekje të saj dhe menjëherë arrestoi shqiptarin. Sipas dëshmive të vajzave, 32-vjeçari Ilmi Habili i kërcënonte ato duke u hequr si polic që do t’i arrestonte dhe më pas i merrte në makinën e tij ku pasi u rrëmbente paratë, i përdhunonte. “Ai paraqiti një distinktiv të rremë dhe një armë lodër, asgjë nuk ishte e vërtetë”, - ka thënë njëra nga vajzat. Ajo tha se pasi lëvizi me makinë drejt një vendi pa shumë lëvizje, shqiptari e përdhunoi e më pas i grabiti paratë, orën dhe një celular.

Aksidentet, një i vdekur dhe 2 të plagosur në aksin Tiranë-Lezhë

LEZHË – Vijon bilanci i përgjakshëm në aksin kryesor që lidh Tiranën me Veriun e vendit. Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë disa aksidenteve të ndodhura në 24 orët e fundit. Mesditën e djeshme një 60-vjeçar që lëvizte me biçikletë në krahun e kundërt të makinave, është përplasur nga një mjet me targa të Fushë-Krujës. Zenel Xheka ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e përplasjes me mjetin e drejtuar nga shtetasi Fran Vathi nga fshati Murqi i Fushë-Krujës, i cili është identifikuar dhe arrestuar nga policia disa orë më pas. Dy javë më parë viktima ishte aksidentuar edhe një herë tjetër, por i kishte shpëtuar vdekjes.
Një aksident tjetër ndodhi dje në rrugën Lezhë-Laç, i cili shkaktoi plagosjen e dy personave. Në superstradën Lezhë-Laç dy automjetet, një BMW dhe një Benz, u përplasën mes tyre. Për pasojë, u plagosën drejtuesit e mjeteve, shtetasit Genti Toma, 25 vjeç dhe Lek Tuçi, 40 vjeç. Ata kanë marrë ndihmën e parë në Spitalin rajonal të Lezhës dhe më pas u transportuan në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Policia bëri me dije se pas hetimeve në vendin ku ndodhi aksidenti është arritur në përfundimin se shkak i ngjarjes ka qenë parakalimi i gabuar i automjetit tip BMW me targa të huaja. Rruga që lidh Tiranën me Veriun e Shqipërisë është bërë burim aksidentesh të shumta, duke shënuar një numër rekord viktimash. Policia raporton edhe një tjetër aksident me pasojë vdekje në fshatin Prush të Tiranës. Shtetasja Dhurata Daja, 28 vjeçe është plagosur rëndë teksa ecte në këmbë dhe më pas gjeti vdekjen në spital. Ajo është goditur nga një mjet autobus me targë TR 0411 T, i cili drejtohej nga Sokol Kalemi, 39 vjeç, banues në Tiranë. Ai është ndaluar në kushtet e flagrancës dhe ndaj tij nisën hetimet për shkelje të rregullave të qarkullimit.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›