E Diel, 1 Nëntor 2026

Niveli i jetesës në mars, produktet ushqimore rritje me 20 lekë



Ervin KOÇI

Kostoja e jetesës po bëhet çdo muaj e më e shtrenjtë për konsumatorët shqiptarë, të cilët ndryshe nga çmimet që rriten dita ditës, kanë po të njëjtat të ardhura si disa vite më parë. Nga java në javë, në tregjet dhe dyqanet e kryeqytetit të bën përshtypje rritja e çmimeve të produkteve të konsumit. Çmimet e produkteve ushqimore po kapin majën duke varfëruar tryezën e shqiptareve dhe duke shtuar kështu varfërinë në familjet kryeqytetase. Rritja e varfërisë në kryeqytet tregohet më së mirë me shtimin e emrave të familjeve që blejnë me lista nëpër dyqanet e lagjeve. Por varfëria po shtohet çdo ditë e më shumë jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin. Kjo gjë duket shumë qartë që nga fakti se njerëzit duhet të konsumojnë më pak ushqime. Rritja e varfërisë në kryeqytet tregohet më së mirë me shtimin e emrave të familjeve që blejnë me lista nëpër dyqanet e lagjeve. Nga java në javë disa produkte kanë pësuar rritje 10-20 lekë. "Varfëria duket qartë që nga fakti se klientët tanë, edhe pse ka ardhur pranvera vazhdojnë të blejnë fasule, dhe jo 1 apo 2 kg, por blejnë mbi 5 kg", - thotë një shitës në kryeqytet.

Çmimet
Çmimet e produkteve ushqimore po kapin majën. Nga një vëzhgim i thjeshtë është vënë re se qumështi i pasterizuar është rritur me 20 lekë, po ashtu edhe nënproduktet e tyre, siç është akullorja e cila konsumohet së tepërmi në këtë periudhë dhe ka pësuar një rritje me 20 lekë. Në një pastiçeri në bulevardin "Zogu I", javën e kaluar akullorja ishte 60 lekë, ndërsa në fillim të kësaj jave u vu re se çmimet ishin zëvendësuar me tarifa të reja, akullorja kishte shkuar 80 lekë. Sipas konsumatorëve, çmimet e të gjitha produkteve kanë pësuar rritje. Por edhe qepa është rritur dhe ka shkuar 100 lekë/kg. “Me 1 mijë lekë tani nuk arrin të blesh produktet që do hash në një vakt, nëse në një familje janë 4-5 persona”,- thotë një konsumatore e cila komenton se situata është për të vënë duart në kokë. Një kilogram oriz ka shkuar 170 lekë, fasulet 200 lekë, vaji 170 lekë, mielli 100 lekë, sheqeri 120 lekë. Por, çmimet më të larta dhe të cilat ndryshojnë shumë shpesh janë ato të frutave e perimeve, të cilat janë edhe produktet më të kërkuara këtë periudhë. Sallata jeshile është 150 lekë/kg, patëllxhanet 300 lekë/kg, spinaqi 100 lekë/kg, qepa 100 lekë/kg, kungulli 160 lekë/kg, mollët variojnë nga lloji nga 100-160 lekë/kg, domatet 240 lekë/kg.

Konkurrenca
Shitësit tregojnë se nuk është faj i tyre për këto çmime të larta, pasi dhe ata vet nga pikat e shumicës po i marrin më të shtrenjta. Ndërkohë, problem për ta mbeten shitësit që shesin në rrugë duke bërë kështu konkurrencë të padrejtë. Shitësit e bizneseve të vogla, theksojnë se, “shitësit ambulantë po bëjnë një konkurrencë të padrejtë ndaj tyre”. Sipas tyre, ambulantët nuk paguajnë asnjë lloj detyrimi ndaj shtetit, nuk paguajnë taksa, ndaj i kanë dhe çmimet më të lira se dyqanet.

Listat
Në çdo pikë shitjesh në kryeqytet janë shtuar emrat e familjeve që blejnë me listë. Kjo gjë konfirmohet nga vet shitësit, të cilët thonë se dy muajt e fundit janë shtuar shumë emrat e personave që blejnë pa paguar lekët, por lënë emrat shënim dhe i paguajnë më vonë parat që u detyrohen shitësve. Ndërkohë, vet familjarët tregojnë se të ardhurat e tyre mujore nuk u mjaftojnë për të blerë ushqimet që mund t'i duhen një familje për një muaj. “Kemi fëmijët në shkollë, duhet të paguajmë taksat, ujë e drita çdo muaj, dhe normalisht detyrohemi që të blejmë dhe ushqime duke ju thënë shitësve që do tua japim lekët pesëmbëdhjetëditëshin tjetër ose muajin tjetër. Na vjen dhe turp kur e bëjmë këtë gjë, por nuk kemi çfarë të bëjmë, vetëm të vdesim", - tregon një banore e kryeqytetit. "Çmimet e ushqimeve po rriten përditë, ndërsa rrogat tona në vend numëro. Nuk na e mban xhepi të blejmë me këto çmime që janë aktualisht në treg. Sigurisht që jemi duke blerë më pak”,- thotë një kryefamiljar.

Karburantet, rritet sërish çmimi në tregun vendas të pakicës

Shqiptarët u përballën me çmime katër lekë më të larta për naftën këtë fundjavë, pasi një pjesë e rrjeteve të shpërndarjes së karburanteve vendosën t’ia kalojnë konsumatorit rritjen e kostos së importit dhe zhvlerësimit të lekut. Javën e kaluar, nafta e cilësisë së lartë të njohur si Eurodiesel, kushtonte maksimalisht 138 lekë, ndërsa dje, çmimi u rrit në 142 lekë. Rritja e çmimeve qe paralajmëruar që më herët nga Shoqata Kombëtare e Hidrokarbureve, e cila deklaroi se zhvlerësimi i lekut kundrejt dollarit, si dhe rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, e bën të pashmangshëm rritjen e çmimit final për konsumatorët. Çmimet në tregun ndërkombëtar kanë kaluar në mbi 80 dollarë për fuçi gjatë ditëve të fundit, ndërsa një vit më parë, nafta kushtonte vetëm 40 dollarë për fuçi. Nga ana tjetër, këtë vit taksat e marra nga qeveria për naftën e importuar janë më të larta se një vit më parë. Çmimi i naftës pritet të udhëheqë ecurinë e përgjithshme të kostos së jetesës së shqiptarëve gjatë këtij viti.

Tabela///////////////////////////
Çmimet aktuale të produkteve ushqimore bazë

Nr. Artikulli Çmimi për kilogram
1. Qepa 100 lekë/kg
2. Preshi 150 lekë/kg
3. Sallata jeshile 150 lekë/kg
4. Patëllxhanet 300 lekë/kg
5. Spinaqi 100 lekë/kg
6. Kungulli 160 lekë/kg
7. Mollët 160 lekë/kg
8. Domatet 240 lekë/kg
9. Fasulet 200 lekë/kg
10. Oriz 170 lekë/kg
11. Vaji i gatimit 170 lekë/kg
12. Mielli 100 lekë/kg
13. Sheqeri 120 lekë/kg

Lushnjë, 150 subjekte rezultojnë të palicencuara

Në rrethin e Lushnjës llogariten rreth 150 biznese të palicencuara, ndaj të cilave Drejtoria e Tatim-Taksave po përshkallëzon masat administrative. "Nga rreth 250 subjekte të identifikuara si të palicencuara, rreth 100 prej tyre i kanë kryer procedurat e regjistrimit, ndërkohë që vazhdon puna për detyrimin e bizneseve të tjera. Janë rreth 150 subjekte, për të cilat po vazhdojmë me masën e sekuestrimit dhe për të cilat kemi përfunduar procedurën për kallëzim penal", - tha dje për mediat drejtori i Tatim-Taksave, Edius Sema. Sipas tij, janë krijuar nëntë grupe pune, të cilat në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të qytetit, po kryejnë veprimet e sekuestros së bizneseve, të cilët, edhe pas bllokimit të aktivitetit të tyre kanë refuzuar të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve (QKR). Sipas Semas, Bashkia e Lushnjës ka respektuar të gjitha afatet kohore dhe masat ligjore, nga ato këshillueset, deri te masat penalizuese, për t'i detyruar subjektet e biznesit të vogël të ushtrojnë aktivitetin sipas ligjit. "Ne nuk mund të pranojmë konkurrencën e pandershme, evazionin fiskal dhe piraterinë në biznesin privat", - tha Sema.

Fillon ndërtimi i gazsjellësit "Nordstream", Rusi-Gjermani

Ka filluar nga puna ndërtimi i gazsjellësit mes Rusisë dhe Gjermanisë "Nordstream" (rryma e veriut), i cili do të rrisë sigurinë e furnizimit energjetik të Evropës perëndimore në të ardhmen. Agjencitë e lajmeve duke iu referuar gjigantit rus të energjisë, “Gazprom”, raportojnë se projekti disa miliardësh në Detin e Veriut ka filluar me vendosjen e tubacionit të parë. Këtë javë është planifikuar edhe ceremonia e hapjes së punimeve.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›