Kirgistan, përleshje mes policisë dhe protestuesve, 17 të vdekur
Protestat antiqeveritare në Kirgizstan kanë degjeneruar në dhunë të ashpër, me 17 persona të vrarë gjatë përleshjeve me policinë në kryeqytetin Bishkek. Protestuesit kanë sulmuar zyrat e presidentit Kurmanbek Bakiyev dhe ato të radiotelevizionit publik, duke shkaktuar ndërprerjen e transmetimit. Presidenti Bakiyev ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e prekura nga protestat, që nisën ditën e martë në qytetin provincial të Talasit. Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur edhe në qytetet e Narynit dhe Talasit, pasi protestuesit përpoqën të merrnin nën kontroll ndërtesa qeveritare. Në Talas, ata morën peng dy ministra pasi ata arritën atje për të qetësuar situatën. Protestuesit janë të zemëruar nga rritjet e çmimit të energjisë dhe akuzojnë presidentin, Kurmanbek Bakiyev, se ka dështuar të luftojë korrupsionin. Kryeministri i përshkroi protestat si tradhti dhe tha se qeveria nuk kishte forca te mjaftueshme për të vendosur rregull. Shqetësim lidhur me ngjarjen në Kirgistan ka shprehur ambasada amerikane atje dhe në një deklaratë të saj thuhet: “Ambasada e SHBA-ve në Bishkek është shumë e shqetësuar për mungesën e qetësisë në Talas. Ata i bëjnë thirrje të gjitha palëve të respektojnë ligjin dhe i bëjnë thirrje qeverisë dhe demonstruesve të përfshihen në bisedime për të zgjidhur mosmarrëveshjet që kanë, në mënyrë paqësore dhe ligjore. Ambasada përkrah deklaratën e 6 prillit të OKB që bën thirrje për përmbajtje dhe dialog të menjëhershëm për ulje të tensioneve”.
Demonstratat pasojnë një ditë protestash në qytetin e Talas ku turmat sulmuan një ndërtesë qeveritare. Autoritetet u përgjigjën duke ndaluar disa politikanë kryesorë të opozitës duke përfshirë edhe kandidatin presidencial, Almazbek Atambayev.
8 Prill 2010