E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, skema e re e financimit, si do të funksionojë modeli i kuponëve



Jonida Tashi

Skema e re e financimit të universiteteve në vendin tonë do të përfshijë edhe studentët. Bëhet fjalë për mbështetjen e tyre me të ardhura nga buxheti i shtetit, duke futur në “lojë” modelin e kuponëve. Këshilltari i kryeministrit për Arsimit, Bardhyl Musai, tregon të gjitha detajet që do të ketë skema e re e financimit të institucioneve të arsimit të lartë, si dhe çfarë do të përfitojnë studentët nga modeli i kuponëve. Sipas Musait, një model financimi, i cili po zbatohet në shumicën e vendeve sot në mbarë botën, është ai i bazuar në parimin “Paraja ndjek studentin”, i emërtuar ndryshe edhe sistemi i bazuar në kuponë (vouchers), që ka në themel arritjen e pesë objektivave kryesore: kontributi në rritjen ekonomike, eficienca, barazia, qeverisja dhe qëndrueshmëria fiskale. Duke marrë në konsideratë këto objektiva kryesore, si edhe bazuar në përvojat më të mira të grumbulluara në zbatimin e modeleve të reja të financimit, Shqipëria është duke ndërtuar modelin e saj, duke marrë parasysh edhe specifikat që kemi: gjendja aktuale e sistemit, infrastruktura, personeli akademik, situata ekonomike e familjeve, diferencat në zhvillim midis rajoneve të ndryshme, perspektiva e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, etj.
Sistemi
Këshilltari i kryeministrit për Arsimin shpjegon se karakteristikat kryesore të sistemit bazuar në parimin “Paraja ndjek studentin” u jep këtyre të fundit lirinë e zgjedhjes, duke u siguruar atyre të drejta të barabarta. “Nga ana tjetër ky sistem e bën arsimin e lartë më të shumëllojshëm dhe u përgjigjet kërkesave të studentëve nga njëra anë, dhe atyre të tregut, nga ana tjetër. Burimet e financimit shumëfishohen, ato janë nga buxheti i shtetit (taksapaguesit), prindërit, studentët dhe institucione të tjera filantropiste. Po ashtu, sistemi bazuar në parimin “Paraja ndjek studentin” u siguron mundësi të barabarta studentëve për shkollim. Nga ana tjetër, duke qenë se studentët e bëjnë vetë zgjedhjen, atëherë interesimi dhe motivimi i tyre për drejtimin e studimeve është më i lartë. Një aspekt i rëndësishëm është se ky parim rrit ndjeshëm autonominë e institucioneve përmes një qeverisjeje më të mirë bazuar edhe në planet e zhvillimit strategjik. Duke qenë se arsimi i lartë është një e mirë publike, modeli i financimit ndërtohet i tillë që të mos ndryshojë misionin kryesor të tij, prandaj ai orientohet nga tri pyetje themelore: Kush paguan? Kush përfiton? Kush duhet të paguajë?”,- ka shpjeguar Musai.
Kuponët
Parimi kryesor në përdorimin e sistemit të kuponëve është se ai nxit konkurrencë më të madhe midis ofruesve të shërbimit arsimor, përmes politikave mbështetëse drejtpërdrejt nga konsumatorët se sa nga shteti. Sistemi do të funksionojë duke u dhënë studentëve nga një kupon, i cili ka një vlerë të caktuar për shpenzimet e studimit në arsimin e lartë. Madhësia e vlerës do të përcaktohet nga lloji i studimeve që do të ndiqen. Për shembull, studimet në një degë të Shkencave sociale do të kushtojnë shumë më lirë se ato të Shkencave mjekësore. Sipas këtij modeli, programet e studimit do të grupohen në disa shporta sipas kostos së tyre. Përsa i përket numrit të studentëve që do të pajisen me kuponë, Musai shprehet se kjo do të përcaktohet nga sasia e parave që ka shteti në dispozicion për arsimin e lartë. “Nëse i gjithë buxheti u shpërndahet të gjithë studentëve aplikantë, atëherë është e qartë se këta kuponë nuk përballojnë koston reale të shpenzimeve për studime, për pasojë nuk garantohet cilësia dhe mund të jetë e papërballueshme për disa studentë të kompensojnë pjesën tjetër të shpenzimeve”,- shprehet Bardhyl Musai. Nëse kuponët do të mbulojnë kostot e shpenzimeve të studimit, atëherë përfitues mund të jetë një pjesë e studentëve, gjysma, diçka më shumë ose më pak. Por ky numër do të përcaktohet teknikisht në varësi të buxhetit dhe më pas do të shpërndahet sipas programeve të studimit, bazuar në kërkesat e studentëve, por edhe të nevojave që ka shteti për disa programe studimi që edhe mund të mos jenë të parapëlqyer shumë nga studentët.
Degët
Duke qenë se një nga objektivat kryesore është rritja ekonomike dhe tashmë është vërtetuar roli që ka arsimi i lartë, impaktin pozitiv në rritjen ekonomike e kanë degët e shkencave të aplikuara, ato teknike dhe inxhinieritë, biologjike-mjekësore, të shkencave të natyrës, etj. Por edhe këtu, sipas Musait, u duhen dhënë përgjigje shumë pyetjeve të tilla si: Financimi me kuponët mbulon koston e plotë të studimeve apo edhe të jetesës? Nëse ky financim mbulon edhe koston e jetesës, atëherë studentët do të parapëlqejnë universitetet e kryeqytetit dhe mund të ndodhë një pakësim i ndjeshëm i numrit të studentëve në universitetet rajonale. Duke qenë se shoqëria nuk ka interes që kjo të ndodhë për shumë arsye, sipas Musait, në këtë drejtim do të ketë masa mbrojtëse. Ndërkaq, ende nuk është vendosur përfundimisht se si do të ndahen kuponët midis studentëve, nëse ndarja do të bëhet bazuar vetëm në rezultate, pra do të përfitojnë ata që kanë rezultate më të larta dhe ata me rezultate më të ulëta duhet të financojnë vetë studimet? Sipas Musait, ndoshta zgjidhja më e mirë që shpërndarja të bëhet në bazë të të ardhurave, me qëllim që të mos krijohen padrejtësi sociale. Kurse studentët jo përfitues të kuponëve duhet të përballojnë vetë shpenzimet përmes lehtësirave të ndryshme, si kreditë me interesa të favorshme dhe shteti mund të jetë garant e të marrë përsipër shlyerjen vetëm të interesave.

Pyetjet dhe paqartësitë për funksionimin e modelit
Financimi me kuponët mbulon koston e plotë të studimeve apo edhe të jetesës?
Nëse ky financim mbulon edhe koston e jetesës, atëherë studentët do të parapëlqejnë universitetet e kryeqytetit dhe mund të ndodhë një pakësim i ndjeshëm i numrit të studentëve në universitetet rajonale?
Ndarja do të bëhet bazuar vetëm në rezultate, pra do të përfitojnë ata që kanë rezultate më të larta dhe ata me rezultate më të ulëta duhet të financojnë vetë studimet?
Studentët që do të përfitojnë kuponët lejohen të shkojnë te universitetet private?
Nga ky model do të përfitojnë edhe universitetet private njëlloj si ato publike?
Nëse një universitet do të ketë kërkesa më të mëdha për pranime, jo vetëm nga kuponët, por edhe nga ato që paguhen nga studentët, a do të lejohen të zgjerojnë numrin?
A do të kenë mundësi universitetet të përcaktojnë vetë kostot e studimeve apo do të ketë kosto reference për të shmangur përfitime të pamerituara?

Përparësitë dhe mangësitë e modelit të kuponëve
Modeli i financimit sipas parimit “Paraja ndjek studentin”, sipas këshilltarit të kryeministrit për Arsimin ka disa përparësi. Së pari, ai nxit më shumë konkurrencën midis universiteteve për të financuar shpenzimet e veprimtarive të tyre duke e bërë më eficient sistemin. Së dyti, modeli zgjeron mundësinë e përzgjedhjes nga studentët, duke inkurajuar qasje më të gjerë edhe në zhvillimin e sektorit privat të arsimit. Së treti, nëse studentët do të përfitojnë kuponë bazuar në të ardhurat e tyre, atëherë kjo me gjasë do të çojë në rritjen e cilësisë. Por, modeli i financimit me kuponë paraqet edhe disa vështirësi. Sipas Musait këto vështirësi janë: së pari, e bën më të vështirë administrimin sipas mënyrës tradicionale dhe mbase mund ta bëjë jo eficient sistemin. Kërkohet një sistem modern i menaxhimi të të dhënave dhe informacionit; së dyti, sistemi nuk është i përshtatshëm për studentët me moshë më të madhe se ata që sapo kanë mbaruar shkollën e mesme si edhe për ata që vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme; e fundit, nëse studentët përzgjidhen nga të ardhurat familjare, kuponët mund të krijojnë pabarazi.

Dje, Dita Botërore e Shëndetit
ISHP: Është rritur numri i pacientëve që vuajnë nga patologjitë
Sëmundjet kardiovaskulare dhe tumorale, pasuar me ato infektive janë më të përhapurat në vendin tonë. Dje, në Ditën Botërore të Shëndetit, strukturat e shëndetësisë kanë raportuar një rritje të numrit të pacientëve që vuajnë nga patologji të ndryshme, në zonat urbane. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, sëmundjet që listohen të parat në vendin tonë janë ato kardiovaskulare dhe tumorale, por nuk mbeten pas dhe sëmundjet infektive. Moshat më të prekura, janë ato të treta. “Pa dyshim dominojnë sëmundjet që ne po i quajmë kronike, joinfektive, që prekin më shumë moshat e mesme, apo moshat e treta, duke filluar nga sëmundjet kardiovaskulare, kanceret, problemet kronike të mushkërive, por gjithashtu probleme të rëndësishme ngelen aksidentet, traumat”,- tha Ylli. Ndër faktorët që kanë ndikuar në përhapjen e patologjive të ndryshme, kryesisht në zonat veriore dhe verilindore janë ndotja, trafiku, por edhe kequshqyerja. “Nga ndotja mjedisore, që janë të lidhura me mënyrën se si i ndërtojmë në qytetet, me mënyrën se si ne rregullojmë trafikun apo dendësinë e trafikut, e deri tek ekspozimi ndaj faktorëve modernë të riskut, ushqyerja e gabuar, sendentarizmi”,- shpjegoi Alban Ylli. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 1.2 milionë njerëz, do të vdesin nga ndotja e ajrit në zonat urbane.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›