E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë e re, liri e re

20/02/2012  Bismarku e ka quajtur Ballkanin “këneta e fundit”. Ne në Ballkan asnjëherë nuk kemi qenë të kënaqur me kësi perceptimesh dhe me filma të mirë të prodhuar në Ballkan, shpesh suksesshëm i kemi demantuar ato. Së fundi edhe me filmin shqiptar që së shpejti pritet të vijë edhe në Shkup për shfaqje të rregullt në kinematë e këtuhit: Ballkan Bazar. Por si duket aq sa kemi qenë të mirë si regjisorë dhe aktorë, aq kemi dështuar si shikues. Si duket edhe me filmin e fundit të Anxhelina Xholi, që është filmi i parë i saj si regjisore, do dalim sërish shikues të këqij! Filmi ende nuk është shfaqur tek ne për ta parë atë, dhe vetëm më pas për ta vlerësuar. Por që tani mund të konstatohet se ky film do bëjë të flitet për këto vende tona të vogla, më shumë seç kanë bërë që të flitet për to, gjithë ato reklama të shtrenjta nëpër stacionet televizive botërore!

Ashtu nëse arrihet që gjithë Ballkani të ankohen për këtë film, bashkërisht, dhe kërkohet që Xholi të bëjë edhe një film tjetër për Ballkanin por këtë herë një film të lumtur, me fund të lumtur, atëherë pata një propozim konkret për këtë gjë. Ashtu pasi filmi do duhet të xhirohet në një lokacion të fshehur ky vend do duhej të ishte Maqedonia. Kjo pasi nuk ka vend më të fshehur se vendi i parë në botë për mizëri për të xhiruar ndonjë film të lumtur. Pasi askujt nuk do i shkonte ndërmend se një kësi filmi do mund të xhirohej mu këtu. Por duke qenë se filmi do duhej të mos kishte asnjëfarë përkufizimi ligjor do ishte mirë që ti caktonim si ndihmës drejtorin, ende aktual, të fondit filmik të Maqedonisë, një farë Bashevski, i cili edhe pse vjet shpalli rezultate skandaloze për përkrahjen shtetërore të filmave sivjet vazhdon të jetë ende në atë post. Është ky një njeri mbi ligjin që shumë do mund të kontribuonte për xhirimin e filmit të ardhshëm të Xholit, shkaku se si një film i lumtur do duhej medoemos të kishte një palaço në ekipë. Por për të patë ende më shumë liri artistike do duhej të bëhej diçka më shumë. Kjo do ishte një risi në historinë politike botërore: Anxhelina Xholi të adoptonte shtetin tonë! Aktorja që është aktive në shoqëri dhe që është e njohur mes tjerash edhe për adoptimet e shumta që ka bërë nëpër botë do mund tia ofronte vetes edhe këtë. Të adopton një shtet të tërë si Maqedonia. Ashtu disa prej këtuhit më në fund edhe legjitimisht do mund të prezantoheshin nëpër botë si të birësuarit e nënës së Lekës së Madh, pasi kjo aktore gjatë karrierës së saj ka luajtur edhe këtë rol! Nuk di sa është buxheti dhe të ardhurat vjetore të çiftit të njohur Branxhelina, por sigurisht janë më real se buxhetet e tanishme shtetërore të Maqedonisë, që vërehen se janë shumë virtuale. Kjo kuptohet nga vet fakti se sa përqindje e madhe e buxhetit shtetëror bartet prej një viti në vitin tjetër!

Por jeta nuk është film dhe këtë ne shqiptarët e Maqedonisë mund ta vërtetojmë çdo ditë. Ashtu që gjatë kohë ne këtu përdorim versione të tjera të shumta për fjalinë e njohur: ditë e re, nafakë e re! Ashtu për të përshkruar ditën tona kjo herë bëhet: “ditë e re, sharje e re”, herën tjetër; “ditë e re, bela e re” dhe më e dhimbshmja: “ditë e re, shitje e re”! Ashtu kushdo na shanë, kujt ti kujtohet na provokon për bela dhe kush mundet na shet. Na shesin si në ndonjë aksham pazar, për kot fare! Dhe kjo shitje gjithmonë tentohet të mbulohet ose të tollovitet në opinion duke tentuar të promovojnë shtypje të fjalës së lirë ndër shqiptarë! Ashtu siç ia kanë arritur deri diku tek pjesa e opinionit në maqedonisht. Ashtu edhe shqiptarët nuk arrijnë të lexojnë, në gazetë të këtushme se me kë krejt është takuar ministri i mbrojtjes gjatë vizitës në Serbi kurse për vizitën e anuluar e të njëjtit për në Kosovë; që në titull përmendet bora! Në këto qytete, mëhalla të papastruara dhe fshatra tërësisht të izoluara nga bora nuk ka nevojë të përmendet bora askund! Ajo nënkuptohet pasi është kudo, këtu tek ne! Vetëm nëse bora në titull nuk është sikur në natyrë: mbulon fëlliqësirat, por zbulon gjurmët! Nga ana tjetër BFI, që sipas definicionit do duhej të përfaqësonte gjithë myslimanët e vendit, marrin guximin që të dëbojnë televizionin e shqiptarëve të këtuhit, Alsat-M, nga një konferencë publike e shtypit!

Liria kërkon më shumë se vizita “Muzeut të Lirisë”. Nga fjalët më të mira të thëna për lirinë mbetet ende: se liria çdo ditë, duhet sërish të fitohet. Dhe mu këtë shqiptarët e kanë bërë shumë herë. Edhe pse shumë herë disa janë shitur, e disa kanë dashur ti shesin shqiptarët. Gjithmonë njerëzit janë ndërruar, e në vend të tyre kanë ardhur krejt tjerë. Që u kanë dëshmuar praktikisht atyre më parë, që kanë dashur ti shesin, se: Hesapi i shtëpisë nuk del në pazar!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›