“Ditë e shënuar - vitin tjetër e festojmë edhe më të gëzuar me fitoren e merituar në zgjedhje”

Kryeministri Berisha uron besimtarët myslimanë për “Kurban Bajramin”
Kryeministri Sali Berisha uroi dje besimtarët myslimane për festën e Kurban Bajramit, duke shprehur urimet më të mira për këtë ditë të shënuar të besimtarëve myslimanë që frymëzon mirëkuptim, dashuri, respekt e tolerancë. “Është një ditë e shënuar, për t’ju uruar të gjithë besimtarëve të Zotit, këtë ditë të madhnueshme të sakrificës për të mirën, ditën e Kurban Bajramit, ditën që i kujton çdo njeriu se sakrifica është themeli i të gjitha mirësive njerëzore e kombëtare, ditë që frymëzon mirëkuptim, dashuri, respekt e tolerancë”, tha kryeministri në urimin e tij. Kreu i ekzekutivit vizitoi selinë e komunitetit mysliman ku u prit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman shqiptar Haxhi Selim Muça dhe përfaqësues të tjerë të këtij komuniteti. Kryeministri shprehu nderimin më të madh për udhëheqësit shpirtëror të Komunitetit Mysliman shqiptar dhe të të gjitha komuniteteve të tjera fetare, të cilët po konsolidojnë gjithnjë e më shumë thesarin më të çmuar të kombit shqiptar, respektin e ndërsjellë për besimin e njëri-tjetrit dhe tolerancën fetare. “Duke uruar gëzuar këtë ditë, shpreh nderimin më të madh për udhëheqësit shpirtëror të Komunitetit Mysliman shqiptar dhe të të gjitha komuniteteve të tjera fetare, të cilët, me një mençuri të madhe, me një përkushtim të madh dhe besim të pakufishëm te Zoti, po konsolidojnë gjithnjë e më shumë traditën, trashëgiminë, thesarin më të çmuar të kombit shqiptar, respektin e ndërsjellë për besimin e njëri-tjetrit, tolerancën fetare, dëshmi kjo e një qëndrimi të pashembullt qytetar të besimtarëve shqiptarë”, u shpreh kryeministri.
Sikurse, kryeministri Berisha uroi dhe për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 2013-s. “Edhe njëherë, uroj gëzuar dhe uroj që Kurban Bajramin tjetër ta festojmë më mirë, më gëzuar, me një fitore të re të merituar”, përfundoi ai.