E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë historike në Kuvajt, në Parlament katër gratë e para

Ditë historike për Kuvajtin, ku katër gra u votuan për herë të parë, duke iu dhënë mundësia të ulen në Parlamentin e këtij vendi, Maxhlis al-Uma (Asambleja Kombëtare me një dhomë). Gratë e kanë fituar të drejtën e kandidimit në vitin 2005, por si në zgjedhjet e vitit 2006, ashtu edhe në ato të vitit 2008, nuk kishte ndodhur që një grua të fitonte një vend në Parlament. Por, kësaj here ushtria me vello ngulmoi edhe më tej dhe me rezultate.

Në emiratin konservator, mes demokracive shumë të pakta të Gjirit Persik, Parlamenti numëron 50 vende, froni është i trashëgueshëm dhe është sovrani ai që emëron Kryeministrin. Është emiri ai që gjithashtu vendos për të shkrirë Dhomën e Deputetëve.

Një prej të zgjedhurave, Masuma Al Mubarak, ishte bërë edhe një herë protagoniste, duke marrë një post ministror në vitin 2005. Të tjerat janë aktivistja për të drejtat e njeriut Rola Dashti, mësuesja e pedagogjisë Salva Al Jashar dhe profesoresha e filozofisë Asil Al Avadi. Avadi dhe Dashti, që të dyja kandidate liberale, kanë studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në votimet e djeshme u vërejt edhe një humbje e rëndë e mbështetjes së elektoratit të fondamentalistëve myslimanë, të cilët humbën tetë vende në Parlament, duke mbetur vetëm 16.

Kuvajti nuk i njeh zyrtarisht partitë politike. Kandidatët mund të jenë të pavarur, pjesëtarë grupimesh, apo thjesht përfaqësues tribune përkatëse. Para kutive të votimit, kuvajtianët thanë se janë të lodhur prej përplasjeve mes deputetëve dhe ekzekutivit, prej të cilëve janë zhvilluar tri zgjedhje parlamentare dhe janë ndërruar pesë qeveri vetëm në tre vjet.

Në fakt, krizat politike fajësohen si shkaktare të ngadalësimit të zhvillimit në këtë vend të pasur naftëmbajtës, në një çast kur i duhet të përballet me një presion të fortë nga komuniteti ndërkombëtar, i cili gjendet në pozita shumë të vështira për shkak të krizës financiare që ka pllakosur ekonominë botërore. Ajo që i ka përkeqësuar edhe më tej gjërat për Kuvajtin është ulja drastike e çmimit të naftës, gjë që ka ulur ndjeshëm të ardhurat e këtij vendi, ku tregtia e naftës përbën 90 për qind të fitimeve shtetërore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›