E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, pavarësia, serbët dhe paratë

Serbia nuk e ka njohur deri tani, të paktën, publikisht pavarësinë e Kosovës, por ama, ajo që është e çuditshme, është se afro 34 000 serbë të Kosovës marrin rregullisht çdo muaj paga, pensione, ndihma sociale dhe kompensime fëmijësh me vlerë të përgjithshme prej më se 1,8 milionë eurosh nga fondet e qeverisë së Kosovës. Kështu vinte në dukje, ditët e fundit, media e Beogradit, sipas së cilës, pensione nga qeveria e Prishtinës marrin të gjithë burrat serbë që kanë mbushur 65 vjeç dhe të gjitha gratë serbe që kanë mbushur 60 vjeçe, pavarësisht se kanë punuar ose jo atje, dhe pavarësisht nëse jetojnë ose jo në Kosovë! Kështu që, në kushte të tilla, sipas medias serbe, 24 820 serbë marrin pensione nga qeveria e Prishtinës në masën 45 euro në muaj, ndoshta shumë jo fort e madhe, por duhet të kihet parasysh se ata (serbët e Kosovës), në të njëjtën kohë, marrin pensione e ndihma sociale të tjera, në vlera më të mëdha, edhe nga Beogradi.

Z. Veton Hajdari i Ministrisë për Pensionet dhe Sigurimin Social të Kosovës i tha ditët e fundit gazetës së përditshme serbe "Kurir" se pensionet mund t‘i marrin pa asnjë lloj problem të gjithë personat, qoftë edhe ata të shpërngulur, që kanë kartën e identitetit të lëshuar nga UNMIK-u. "Ne e dimë se pensionistë të tillë deklarojnë vetëm, në mënyrë fiktive, se jetojnë në Kosovë, por ne përpiqemi të tregohemi sa më elastikë dhe nuk bëjmë verifikime se ku jeton ky ose ai person gjatë dhënies së pensioneve", tha z. Hajdari, duke saktësuar se 6 740 serbë në Kosovë marrin ndihma sociale dhe kompensime fëmijësh, ndërkohë që 2 140 serbë marrin rregullisht rroga nga qeveria e Hashim Thaçit dhe se në grupin e këtyre të fundit bëjnë pjesë ata serbë që punojnë në dy ministri të qeverisë së Kosovës, si dhe ata të punësuar në sektorin e arsimit dhe në ndërmarrjet, si ajo e hidrocentralit "Gazivoda" në Zubin Potok. Si rregull, sikurse vë në dukje media serbe, të gjithë ata serbë që marrin rroga nga qeveria e Prishtinës, marrin rroga rregullisht edhe nga Beogradi! Faktin e mësipërm e konfirmon edhe z.Nenad Rashiç, ministër i Punës dhe i Mbrojtjes Sociale në qeverinë e Kosovës, sipas të cilit shifra për numrin e pensionistëve që marrin paga nga qeveria këtu (Prishtinë), është e saktë. "E di se, sa i përket sektorit tim, numri i pensionistëve që marrin pensione, është më shumë sesa 24 000. Njerëzit kanë shfrytëzuar mundësinë që me kartën e identitetit të lëshuar nga UNMIK-u, të marrin pensione e ndihma të tjera sociale", tha ai.

Por zyrtarët serbë në Beograd, edhe pse atyre nuk u pëlqen shumë fakti që serbët e Kosovës pranojnë të marrin atje pensione dhe kompensime të tjera sociale nga qeveria e Prishtinës, pasi të gjithë hallin e kanë se mos kjo konsiderohet njohje e pavarësisë së Kosovës, nxitojnë të deklarojnë se serbët e bëjnë këtë nga gjendja e vështirë ekonomike, në të cilën ndodhen, megjithëse vështirë të kuptohet se për çfarë gjendje ekonomike të keqe të tyre bëhet fjalë, kur ata marrin rroga pensione e kompensime të tjera sociale si nga qeveria e Prishtinës, ashtu edhe nga Beogradi. Pra, me një fjalë, numri më i madh i serbëve në Kosovë ha me dy lugë, kur një numër i konsiderueshëm shqiptarësh në Kosovë mezi ha vetëm me një lugë. Zv.ministri në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën dhe Metohinë të Serbisë, Bojan Anxhelkoviç, deklaroi këto ditë se "edhe pse dikush merr pension ose ndihmë sociale nga institucionet e përkohshme të Prishtinës, kjo nuk do të thotë se ka njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk duhet t‘i gjykojmë këta njerëz nga një këndvështrim i tillë, pasi ndodhen në një gjendje të vështirë ekonomike", tha ky zyrtar i lartë serb. Por, në këtë rast, të bën shumë përshtypje fakti interesant, i cili, në të njëjtën kohë, përgënjeshtron në shkallë të konsiderueshme deklaratën e mësipërme të zyrtarit të lartpërmendur serb të Beogradit, se midis këtyre serbëve në Kosovë që qenkan në "vështirësi jetese" dhe marrin paga dhe kompensime sociale të tjera si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi, ka profesorë serbë, delegatë të të ashtuquajturit kuvend serb të Kosovës, anëtarë të komiteteve të komunave serbe, mësues serbë që japin mësim në shkolla serbe dhe disa qindra të tjerë të punësuar serbë në ndërmarrje të tjera serbe në Kosovë. Duke bërë të ditur faktin e lartpërmendur gazeta "Kurir" shkruante këto ditë, në përpjekje për ta justifikuar këtë kategori të punësuarish në "kushte të vështira ekonomike e jetese", se paraja (euro) nuk ka shenja nacionale.

Sikurse duket qartë, për një numër të konsiderueshëm serbësh të Kosovës mosnjohja e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë, është e leverdishme dhe fitimprurëse për shkaqe praktike, shumë më jetësore dhe aspak patriotike e parimore, sikurse përpiqet t‘i mbushë mendjen botës Beogradi zyrtar, dhe, natyrisht, që në kushte të tilla ata (serbët) dëshirojnë që kjo lloj gjendjeje të vazhdojë sa më gjatë. I këtij mendimi është, pak a shumë, edhe prof. i sociologjisë nga pjesa veriore e Mitrovicës, Miroljub Virijeviç, sipas të cilit njerëzve, në përgjithësi, nuk u intereson politika dhe në çdo mënyrë duan të mbërrijnë deri te paratë, pavarësisht se nga vijnë ato. Ata nuk bëjnë pyetjen se kush i jep paratë, boll që paratë jepen, thotë ky profesor serb.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›