E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama nis procesin e paqes për Lindjen e Mesme

Në orët e paradites së sotme, Presidenti Barak Obama do të presë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë Kryeministrin izraelit, Beniamin Netaniau. Me të mbaruar pesë minutat e para të takimit, të mbushura me këmbime qëndrimesh të përzemërta dhe rreth 30 sekonda për një kafe të shpejtë, 84 minutat e mbetura do të përdoren për të nisur ndoshta përpjekjet më ambicioze të vendosjes së paqes në Lindje, që janë vërejtur në dekadën e fundit. Edhe një herë duke i qëndruar besnik motos "Po, ne mundemi", Obama po lëviz në atë terren ku të tjerët as guxojnë të vënë këmbë. Maji do të jetë i mbushur me një seri takimesh të jashtëzakonshme për Presidentin e ri: Netaniau do të pasohet në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti i Egjiptit Mubarak dhe Mahmud Abaz, Presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez. Do zhvillohen konsultime të ethshme me aleatë të tjerë të këtij rajoni, do të nisen me shpejtësi të dërguar të posaçëm, do të lajkatohen disa liderë botërorë. Dhe më pas, në javën e parë të qershorit, Obama do të fluturojë drejt Egjiptit, ku do të mbajë një fjalim historik, në të cilin jo vetëm do të shpalosë strategjinë e vet për paqen në Lindjen e Mesme, por do të riformatojë gjithë raportin e Amerikës me botën myslimane, i dëmtuar rëndë gjatë viteve të fundit.

Zor se kontrasti me paraardhësit e tij në postin e kreut të shtetit amerikan mund të ishte më i madh se kaq. Presidenti Bush u ishte përkushtuar përpjekjeve për izolimin e Iranit, ndërsa luftonte në Irak, duke i ofruar mbështetje të pakushtëzuar Izraelit; Obama po bën ç‘është e mundur të rinisë marrëdhëniet me Iranin, të tërheqë trupat nga Iraku dhe ka shpalosur një përqasje shumë të ndryshme nga ajo e deritashmja ndaj Izraelit.

Në ajër ndihet një lloj vullneti i ethshëm për të ndërruar rrënjësisht gjërat. Sipas Suzan Rais, ambasadore amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Uashingtoni është në kërkim "të rezultateve të vërteta". Deivid Miliband, sekretari i jashtëm britanik, u kthye nga Uashingtoni, ku gjendej për një takim me Hilari Klinton, analogen e tij amerikane, duke u thënë reporterëve se administrata "Obama" "ishte përfshirë tërësisht në procesin e paqes".

Gjithashtu raportohet se vetë Obama është zhytur tërësisht në studimin e historisë dhe gjeografisë së rajonit. Toni Bler, i dërguari në Lindjen e Mesme i kuartetit të përbërë nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Rusia, është i bindur se diçka shumë e rëndësishme po ndodh. Ai tha para Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan javën e shkuar, se "Obama është në gjendje të ringjallë kredibilitetin e rrugës së paqes".

Por, siç raporton e përditshmja britanike "The Guardian" në një artikull të hollësishëm mbi këtë temë, në terren ndihen nota të forta skepticizmi. Për Efraim Inbar, profesor shkencash politike në Universitetin Bar Ian të Tel Avivit, "politika e jashtme amerikane është karakterizuar historikisht nga shpërthime të papritura optimizmi dhe naiviteti".

Së pari, vazhdon "The Guardian", ndihet një lodhje prej negociatave; popullsitë e këtij rajoni janë bërë "alergjike ndaj të ashtuquajturit proces paqeje". Së dyti, palestinezët janë të ndarë mes të moderuarve të Bregut Perëndimor dhe ekstremistëve të Hamasit, organizata e armatosur islamike që vepron në Rripin e Gazës, që do të thotë se ekzistojnë pak gjasa për qëndrime të përbashkëta të të dyja palëve. Ndërkaq, dhuna e shkaktuar gjatë ofensivës izraelite në Gaza në fillim të vitit e ka helmuar edhe më tej një atmosferë që ishte edhe para kësaj tepër e nderë, për shkak të viteve të tëra të mbushura me dhunë e polarizime të skajshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›