E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja që qeveris "në hije" Indinë

Nëse ka diçka që nuk duhet përmendur kurrë në publik lidhur me Sonia Gandin, është fakti që quhet Edvige Antonia Albina Maino dhe se ka lindur në një fshat italian. Dhe kjo, jo sepse i duhet të fshehë ndonjë të shkuar të sikletshme, por sepse origjina e saj shkon ndesh me krenarinë e nacionalizmit hindu. Ajo është thjesht e huaj. Megjithëse ka një shoqëri të përbërë nga një pafundësi racash, etnish, gjuhësh, traditash e besimesh fetare, problemi i përkatësisë etnike është tepër i mprehtë në këtë shtet të stërmadh.

Është pikërisht shpirti heterogjen indian ai që shpesh bie nën presionin fanatik të intolerancës. Duhej forca këmbëngulëse e perandorisë antike të Raxhëve për të mbajtur bashkë popujt e këtij shteti gjigand që sot numëron më shumë se 1 miliard banorë. Më pas qe radha e predikimeve utopike të Gandit dhe aftësia diplomatike e Xhavarhalal Nehrusë, që i hapi rrugën pavarësisë dhe bashkëjetesës nën një flamur të vetëm. Por gjithsesi bëhet fjalë për një shoqëri tepër të fragmentarizuar - ndarja e Pakistanit, e shoqëruar me thuajse 5 milionë viktima, është një provë më se e qartë - e cila shpesh bie pre e shprehjeve të forta të dhunës masive, të shkaktuara nga eksponentët e kastave të ndryshme apo nga persekutimet fetare, mes myslimanëve e hinduve, apo mes hinduve e katolikëve.

Është një parti, Bharatija Janata, një lloj lidhjeje hindu, e cila i kërkon dhe i interpreton publikisht shtysat drejt intolerancës etnike, dhe është një tjetër parti që i kundërvihet, Partia e Kongresit, duke propozuar trashëgiminë e Nehrusë, e karakterizuar nga ndjenja të spikatura kombëtare, por me doza të forta tolerance.

Zjarrit të indinjatës ndaj "të huajës" i fryhet nga Bharatija Janata, ndërsa në mbrojtje i del Partia e Kongresit; dhe jo vetëm pasi rrënjët kulturore të kësaj gruaje janë të ndryshme, por sepse "e huaja" është liderja e padiskutueshme e kësaj force politike. Dhe në këtë formë, çështja e identitetit kthehet në një çështje politike. Sonia u kthye në gruan e njohur si "e huaja" kur rrjedha e një jete, që dukej se kishte interesa tërësisht të tjera, e shtyu papritmas drejt politikës.

E lindur në një provincë të Italisë, në moshë shumë të re vendosi të largohej për të mësuar anglisht në Angli, ku për të studiuar në Kembrixh i duhej të punonte paralelisht si kameriere. Pikërisht në këtë universitet u njoh me një të ri - edhe ai i huaj si ajo - i cili gjithashtu kishte ardhur në Angli për të studiuar dhe që në një pikë i kërkoi të martoheshin.

I riu mbante një mbiemër me peshë, quhej Rajiv Gandi, bir i Indirës, Kryeministre e Indisë dhe mbesë e Nehrusë. Për vajzën nga provinca qe si ato historitë në kufijtë e të pabesueshmes që lexonte nëpër revista. Politika, ajo e vërteta, e niveleve më të larta, nuk kishte të bënte fare me jetën e çiftit, pasi Rajivit i pëlqente së tepërmi pilotimi i avionëve dhe për të pasuar Indirën në krye të Partisë së Kongresit qe caktuar natyrshëm i vëllai, Sanxhai brilant, tepër aktiv, manovrues i shkëlqyeshëm fraksionesh e rrymash politike.

Por rruga e Rajivit ndërroi prerazi me vdekjen e Sanxhait në një aksident ajror, duke e hedhur në një terren që nuk i kish interesuar kurrë. Dhe me historinë e Rajivit në mënyrë të pashmangshme ndërroi edhe rrjedha e jetës së zonjës italiane. Kur më pas Rajiv u vra nga një nacionalist amil, zonja italiane e pa veten të tërhiqej me forcë për të marrë në dorë atë trashëgimi që dukej se ky shtet ia vishte me detyrim: nga Xhavarhalal Nehruja tek Indira Gandi, te Rajivi, India e kishte bashkuar fatin e vet me atë të kësaj dinastie, e përshkuar nga lodra të pabesueshme fati, të cilat mund të luhen vetëm nga zotat - dhe është e pamundur të shkosh ndesh me ato që vendosin zotat.

Ajo, "italiania", ndërkaq qe bërë qytetare indiane, fliste gjuhën e vendit të saj të ri, vishej me rrobat tradicionale, festonte me urtësi e zgjuarsi festat zyrtare të tokës që i kishte ofruar mikpritjen.

Por projekti, i cili e shpuri në drejtimin e Partisë së Kongresit dhe të hynte si lidere e madhe në ndërtesën e Dhomës së Ulët të Parlamentit, u konsiderua menjëherë fyerje e papranueshme. Kurrë në sallën kryesore të asaj ndërtese, që prej kohës së Pavarësisë, nuk kishte komanduar dikush që nuk kishte lindur në Indi, megjithëse mund të vishet si gratë indiane ("por që i rrinë keq, duket që nuk është indiane"), që nuk lë pa marrë pjesë në asnjë ceremoni tradicionale, që flet më së miri gjuhën vendase ("e shpifur me atë aksentin italian, tamam e bezdisshme").

Sot Sonia nuk është më zonja "italiane"; por është kthyer në "e huaja" që duhet dëbuar me çdo kusht nga skena. Ndërkaq, Partia e Kongresit është një forcë politike shumë e fortë, me aftësi të spikatura në menaxhimin e interesave të shumta që përshkojnë politikën indiane. Edhe pas një krize të përkohshme, të shkaktuar nga përpjekjet për transformimin e partisë, e cila i hapi për njëfarë periudhe dritaren e qeverisjes partisë nacionaliste Bharatija Janata, "e huaja" diti të ngrihej përsëri më këmbë përmes një këmbënguljeje e mençurie të pabesueshme, falë së cilës mposhti shpejt jo vetëm çdo kundërshtar të jashtëm politik, por edhe duke vënë nën kontroll të plotë partinë e vet. Por liderja gjithsesi nuk mund të mos i përmbahet projektit më të rëndësishëm politik: të bëjë të harrohet se gjithsesi mbetet "e huaja". Deri në atë çast nuk do të nënshkruajë kurrë ndonjë dokument shtetëror falë të cilit do t‘i vërsulen pa pikën e mëshirës, duke i kujtuar origjinën nga një tokë tjetër.

Kështu që sakrifikohet, nuk pranon të bëhet shefe e qeverisë, bën mënjanë; roli i saj ndalet tek udhëheqja e partisë, e cila është vetë shpirti i traditës demokratike indiane. Por si Nehruja, si e vjehrra, Indira, edhe Sonia përgatit pak nga pak terrenin për trashëgiminë dinastike, e cila do kalojë te Rahuli, një djalë i ri që ka treguar aftësi të shkëlqyera prej lideri dhe që, pasi ka studiuar në Angli e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ditur t‘i sigurojë vetes edhe një vend në Parlament, i ndihmuar nga aftësitë e shkëlqyera promovuese të Prijankës, motrës karizmatike, e cila, sipas asaj që thonë vetë indianët, ka trashëguar karakteristikat më të mira të së ëmës, Soanias. Ndërkaq, janë të shumtë ata që e shohin Prijankën, indiane e lindur në Indi, si trashëgimtaren e vërtetë të Indira Gandit - në çastin që do të mbyllet qarku i "së huajës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›