E Diel, 1 Nëntor 2026

SJELLJA E POLITIKES SI MAFIE

Pas një shkrimi të botuar ca javë më parë në po këtë gazetë nën titullin "Simbioza e politikës me krimin", një i njohuri im i cili gjithsesi nuk ka qenë së paku në këta nëntëmbëdhjetë vjet larg politikës dhe qeverisjes më shkruante në një mesazh edhe pyetjen: Po kur qeveria vetë sillet si mafia? Një pyetje kjo të cilës po përpiqem t‘i jap një përgjigje publike për shkak të interesit publik të substancës së saj.

1.

Lajmet që na vijnë nga bota janë pak a shumë si më poshtë: Pas zbulimit të një sëre të pafund falsifikimesh dhe abuzimesh me paret publike të deputetëve britanikë, shoku publik dhe mosbesimi ndaj politikës është në majat më të larta... Gruaja e diktatorit të famshëm ka në gardërobën e saj më shumë se x mijë fustane dhe y mijë palë këpucë e çanta… Vajza e z koloneli që ka qenë në pushtet në kohën e juntës, tash gëzon pronat e pafund të të atit… Vazhdon lufta me bankat zvicerane në lidhje me sekretin bankar…ish-kryeministri rus bleu diamantin më të shtrenjtë në Pragë… Aksioni i policisë spanjolle, i quajtur "Chamartin" zbuloi një rrjet të gjerë qeveritarësh të të gjitha niveleve që janë implikuar në tjetërsimin e pronave…

Ja ç‘shkruante një miku im para ca ditësh:

"…shtronin pyetjet e thelluara… - për Kryeministrin, aftësinë e tij për të shndërruar në sekret çdo gjë që është apo duhej të ishte publike, zhdërvjelltësinë e krijimit të rrjetit që shpërndarjen e parasë publike e sheh brenda kontekstit të ekonomisë familjare".

Dhe nuk e ka fjalën për Shqipërinë, por për shtetin më të ri të botës: Kosovën.

Por le të afrohemi te ne. Në rrëmujën informative të krijuar së fundmi në Shqipëri (dhe që duket se do të zgjerohet në përpjesëtim të drejtë me fushatën politike), mbizotërojnë tabulate telefonatash që komprometojnë në krime shtetërore familjen kryeministrore, ish-ministra, politikanë të të gjithë krahëve, gjeneralë kokulur të sojit të pulave… Mbizotërojnë komisione të njëanshme parlamentare që lidhen me dhënie lejesh ndërtimi dhe ajo çka është edhe më e spikatur, për biznesmenë (kryesisht të pashkolluar) që kontrollojnë segmente të rëndësishme të pushtetit politik, kartele ndërtimi e kështu me radhë. Mbizotëron edhe një ethe politike e të ashtuquajturave lista të partive për Parlamentin e ardhshëm, çështje e cila nuk meriton të anashkalohet as në kuadër të këtij shkrimi… Dy kolegë të mi kanë qenë me të drejtë të shqetësuar për ligjin e heshtjes që duket se ka vënë tashmë nën kontroll edhe tribunat e opinionit publik, mediat. Kjo është e vërtetë, por një e vërtetë që nuk ka pse të përjashtojë asnjërin krah të politikës.

2.

Në dy librat teje seriozë, me të cilët u morëm në shkrimin paraardhës ("Gomorra", i Savianos dhe "McMafia" i Glenit) lehtësisht mund të vërehet një ndryshim esencial: në realitetet e atyre që jemi mësuar t‘i konsiderojmë si demokraci të konsoliduara, vështirë të ndeshësh një implikim të strukturave shtetërore në aktivitetin e mafies. Përgjithësisht shteti është në një luftë të pandërprerë me aktivitetin kriminal e mafioz. Madje janë pikërisht këto struktura përgjegjëse para ligjit që shpien edhe politikanët në bankat e të akuzuarve. Krejt ndryshe ndodh në shtetet që sapo kanë dalë nga diktaturat (të çfarëdo krahu qofshin ato): në ta është pothuajse e pamundur që të ndash aktivitetin kriminal nga ai i strukturave të shtetit. Madje, jo rrallë janë shndërruar në struktura komplementare. Trafiqet e drogës, të "mishit", të armëve nuk do të mund të ngrinin strukturat e tyre në shtete funksionalë si ata që i përmendëm më lart.

Është kjo një çështje e brishtësisë së strukturave të shteteve që rishmë kanë hyrë në rrugën e demokracisë? Është keqkuptimi i qëllimshëm i funksionimit të vetë shtetit demokratik? Është thjesht produkt i kësaj ngarendjeje të përgjithshme dhe të ethshme të pasurimit të shpejtë? Është një recidivë e shtetit komunist totalitar i cili e kontrollonte po vetë edhe trafikimin, edhe paren publike (shoqërore)? Apo është edhe çështje mentalitetesh?

Një profesor sociologjie nga universiteti katolik i Nantës na vjen në ndihmë me një shënim pas një vëzhgimi të kryer pikërisht në Shqipëri diku nga fundi i viteve ‘90. Ja ç‘shkruan ai:

"Duket se qytetarët e këtij vendi kanë një mentalitet krejt të ndryshëm në lidhje me shtetin dhe funksionet e tij. Nëse dikush bëhet polic i zonës, gjëja e parë që bëjnë familjarët e tij është pikërisht abuzimi dhe mosrespektimi i ligjeve të shtetit. Në tri krahina ku është kryer ky vëzhgim (Vlorë, Gjinar-Elbasan dhe Maminas-Durrës) familjarët e punonjësve të strukturave të forta të shtetit (policë, gjykatës, prokurorë, punonjës të shërbimeve sekrete) rëndom rezultojnë autorë krimesh duke filluar nga mosrespektimi me brutalitet i rregullave të qarkullimit, e deri te kultivimi dhe trafikimi mjaft fitimprurës i drogës…" (Pierre-Louis Lefèvre, "Udhëtim në Shqipërinë postkomuniste, 1998-1999, fq.18-19, dorëshkrim)

Më poshtë ai shpjegon se krejt e kundërta vihet re si rregull në Francë apo Gjermani. Ndërsa Misha Gleni na provon se e njëjta situatë vihet re edhe në të tjerë vende ish-diktatorialë apo ende gjysmë diktatorialë.

3.

Pyetja mund të shtrohet edhe ndryshe, jo krejt në mënyrë hipotetike: si mund të reagojë shoqëria kur struktura të tëra të rëndësishme të shtetit janë përfshirë në veprimtari kriminale apo, thënë më "butë", korruptive? Mjafton të lexosh një shkrim të Alba Malltezit "Rrënimi i shtetit" (Gazeta Shqiptare, 14 maj 2009) dhe ta kuptosh se në atë që ndodhi në Gërdec është përfshirë e gjithë struktura shtetërore. Mjafton të dëgjosh deklarimin e Kryeministrit Berisha se vendimin për rrugën Durrës-Kukës e ka marrë qeveria. Mjafton të kujtosh se lejet e ndërtimit që ka dhënë Rama, në të vërtetë janë dhënë nga struktura përkatëse e Bashkisë. Mjafton të kujtosh se aty nga mesi i viteve ‘90, me një vendim të padëgjuar, qeveria nuk mbante as procesverbale të mbledhjeve të saj… Mjafton të kujtosh se edhe në Parlamentin që sapo u shpërnda ishin krijuar "grupe parlamentare" fiktive vetëm për të rritur të ardhurat "e ligjshme" të ndo ca deputetëve. Mjafton t‘i kujtosh të gjitha këto veprimtari "konform ligjeve" për ta rindërtuar pyetjen disi më ashpër: kur strukturat shtetërore kolektivisht janë përfshirë në veprimtari kriminale, si ndëshkohen ato? Vërtet që Kushtetuta e mbron aktivitetin e qeverisë duke presupozuar ndëshkimin e gabimeve dhe të keqqeverisjes me votë, por ajo nuk ka pasur parasysh përfshirjen e saj në aktivitet të mirëfilltë kriminal. E njëjta gjë është e vërtetë dhe po aq shqetësuese edhe për të ashtuquajturat struktura sikundër janë këshillat për (C‘)rregullimin e territoreve, komisionet, bordet administrative, këshillat bashkiake e të komunave, e kështu me radhë…

Thënë ndryshe kush do të mund të përballej me këtë realitet kur mafia jo vetëm që nuk është e ndarë nga shteti, por ka akaparuar vetë strukturat shtetërore?

4.

Përpos të tjerash, zgjedhjet që po afrohen, kanë për të qenë një test tjetër i rëndësishëm edhe në këtë këndvështrim: a do të ketë dëshirë politika shqiptare të ndahet nga kjo "legacy" e fëlliqësisë demokratike? Deri tani shenjat janë se kjo nuk shenjë për të ndodhur, as në krahun e politikës së re, as në atë të politikës së vjetër, as në partitë me traditë demokratike, as në ato që rëndom thirren "një njeri-një parti". Ndryshimet kushtetuese u dhanë pushtet të paimagjinueshëm kryetarëve respektivë, të cilët janë edhe të akuzuarit kryesorë si kuratorë të kësaj dukurie. Anashkalimi i dukshëm i strukturave (qofshin edhe ato partiake) në procesin e selektimit të kandidaturave është provë për këtë. Duket se pasi akaparuan strukturat partiake, kartelet tashmë do të ngjiten edhe në Parlament. Termat bazë të kulturës demokratike politike sikundër janë integriteti moral dhe profesional, konkurrenca e vlerave, meritokracia, ekspertiza, përveç të tjerash, flasin edhe për një shpërfillje totale ndaj ndjeshmërisë publike. Nga eksperienca e përzgjedhjes përmes kritereve, u kalua në një eksperiencë të re: ndërtohen kriteret në funksion të përzgjedhjeve… Media, shoqëria civile, komunitetet janë ose të përjashtuara, ose të komprometuara e të militantizuara duke e bjerrë besimin e publikut.

5.

Dhe atëherë kur besimi publik rrënohet deri në këtë derxhe, mbetet që të kthehen sytë nga strukturat e forta të shtetit dhe sigurisht te drejtësia. Mirëpo, strukturat e forta të shtetit janë thellësisht të partizuara e reformat në drejtësi ka për detyrë t‘i përcaktojë dhe miratojë klasa politike. Duket se shoqëria ka hyrë në një qerthull të cilin shumëkush e konsideron si rreth vicioz në prag të diçkaje, të cilës askush nuk ia thotë emrin…


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›