Ditë zie në Shqipëri

Qeveria e Shqipërisë ka shpallur ditën e sotme ditë zie kombëtare, për vdekjen e kreut të kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.
Haxhi Dede Reshat Bardhi u nda nga jeta të shtunën e kaluar, në moshën 76 vjeçare, pasi prej kohësh vuante nga probleme të rënda shëndetësore dhe dy herë i ishte nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike.
Të gjithë institucionet do të mbajnn sot flamujt të ulur në gjysmë shtize, kurse në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje.
Në një protokoll të posaçëm, të miratuar nga qeveria, nga ora 10 deri në ora 12:00 u zhvilluan homazhe në Pallatin e Kongreseve në Tiranë,për Kryegjyshin e Bektashinjve ndërsa trupi i të cilit, sipas ritit të këtij besimi do të varroset pranë kryegjyshatës, në orën 13.30 në një ceremoni të posaçme.
Qindra qytetarë gjatë këtyre dy ditëve kanë bërë homazhe para trupit të të ndjerit në selinë e kryegjyshatës, ndërsa nuk kanë munguar porosi ngushëlluese të autoriteteve më të larta, intelektualëve të vendit por dhe trupit diplomatik.