NYT: SHBA-të nuk e mbështesin presidentin e Jemenit

E përditshmja "New York Times" raporton se Shtetet e Bashkuara, privatisht, kanë filluar të kërkojnë që presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, të largohet nga ky post, që paraqet një ndryshim të qartë në politikën ndaj këtij aleati amerikan.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara nuk e kanë kritikuar publikisht liderin e Jemenit, që konsiderohet aleat kryesor në përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për ta luftuar terrorizmin, bile edhe kur protestat kundër qeverisë së tij u shndërruan në të dhunshme.
Por, duke cituar burime të paidentifikuara qeveritare të SHBA-ve dhe Jemenit, New York Times raporton se administrata e presidentit Barak Obama, tani beson se qëndrimi i zotit Saleh në zyrë është i pamundshëm dhe se ai duhet të largohet.
Gazeta citon zyrtarët e Jemenit, që kanë thënë se Uashingtoni po kërkon qeveri të tranzicionit në këtë vend.
Të paktën 52 vetë kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur prej fillimit të protestave anti-qeveri në Jemen, në muajin shkurt.
Këto protesta u bënë pas trazirave të ngjashme në Tunizi dhe Egjipt.