Kaos në Bregun e Fildishtë
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, i ka kërkuar Presidentit të Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara që të hetojë vdekjet e shkaktuar nga mbështetësit e tij.
Ban Ki-Moon është shprehur i alarmuar mbi raportet nga qyteti i Duekoue, por Ouattara është shprehur se mbështetësit e tij nuk janë përfshirë në këtë masakër.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Bregun e Fildishtë ka bërë të ditur se nga luftimet në këtë vend kanë mbetur të vrarë 800 persona.
Konflikti në shtetin afrikan ka nisur pas zgjedhjeve presidenciale, mes forcave të atij që njihet nga ndërkombëtarët si fitues i zgjedhjeve, Alassane Auattara dhe Laurent Gbagbo, presidenti që refuzon të lërë pushtetin.
Zyrtar të OKB-së flasin për 330 të vdekur vetëm në përplasjet në qytetin e Duekoue.
Drejtori i OKB-së në Bregun e Fildishtë thotë se nga përplasjet mes grupeve kanë mbetur të vdekur 220 persona prej sulmeve të forcave të Outtaras dhe 100 tjerë janë vrarë nga forcat e mbështetësve të Gbagbos.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë identifikuar 320 trupa, por numri i të vdekurve mund të jetë më i madh.
Dy grupet po luftojnë për marrjen e kontrollit në qytetin më të madh të vendit, Abidjan.
Si pasojë janë zhvendosur nga vendbanimet 1 milion njerëz, nga 4 milion që ka gjithsej ky qytet.