E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nazarbaev rizgjidhet president

Nga Express më 04 prill 2011 në ora 13:01

Presidenti aktual i Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev, e ka siguruar edhe një mandat pesëvjeçar në këtë post, pasi i mori pothuajse të gjitha votat në zgjedhjet presidenciale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se të dhënat paraprake tregojnë se 70 vjeçari Nazarbaev ka fituar 95.5 për qind të votave në zgjedhjet, të cilat u zhvilluan të dielën.

Më herët, Komisioni kishte njoftuar se dalja në zgjedhje ishte afro 90 për qind.
Kandidatë në këto zgjedhje ishin edhe tre politikanë të tjerë, por të gjithë ata publikisht e kishin mbështetur Nazarbaevin, kështu që pjesëmarrja e tyre shihej si simbolike.

Forcat politike opozitare në këtë vend kishin bërë thirrje për bojkot, duke thënë se votimi paraqet turp, pasi është e sigurt se do të rezultojë edhe me një mandat për presidentin aktual, i cili e udhëheq Kazakistanin për më tepër se 20 vjet, prej shkatërrimit të ish-Bashkimit Sovjetik.

Zgjedhjet presidenciale në Kazakistan janë kritikuar nga OSBE-ja, e cila theksoi se votimet e së dielës “kanë zbuluar mungesa të ngjashme, si ato që janë theksuar në zgjedhjet e mëparshme”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›