Ditëlindja e Nënë Terezës koncert jubilar në Teatrin e Operas
TIRANE- Ditëlindja e Nënë Terezës, 26 gusht, do të kujtohet në Tiranë me një sërë aktivitetesh. "Rruga e jetës" është titulli i koncertit jubilar që do të organizohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Me regji të Milto Kutalit, skenografi të Platon Bardhi dhe dirigjent Kori Dritan Lumshin, në këtë koncert do të ketë edhe një pjesëmarrje të veçantë të recitueses Roza Anangnosti. Dirigjent i këtij koncerti është Zhani Ciko (Mjeshtër i Madh). Solistët që do të interpretojnë janë Marjana Leka, Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Shpresa Beka, Armando Likaj si edhe kori me Orkestrën Simfonike të T.K.O.B. Mësohet se të ftuar nga Kalkuta e Indisë janë Debapriya Adhikary, Samanwaya Sarkar dhe Madhurjya Ranjan Barthakur. Ndërkaq pritet që në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të jetë hapur ekspozita "Dymbëdhjetë shenjtorët", ku do të paraqiten vepra për Nënë Terezën dhe për figura të tjera të fesë së krishtere që kanë lidhje me botën shqiptare, të shpallur shenjtore nga Selia e Shenjtë. Në ambiente të hapura do të shfaqen filma dokumentarë e po më datën 26 gusht, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar hapet një ekspozitë kushtuar Nënë Terezës, me foto dhe objekte të saj.
(s.g/GSH/balkanWeb)
(s.g/GSH/balkanWeb)