Ditëlindja e RD, ditëlindje e lirisë së fjalës dhe e shtypit të lirë në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha nderon ata që sakrifikuan për lirinë krijuese të njeriut, duke i dhënë jetë gazetës së parë të mendimit të lirë
Gazetarë, analistë dhe politikanë kremtuan dje 20-vjetorin e themelimit të gazetës së parë opozitare në Shqipëri, “Rilindja Demokratike”. Në përshëndetjen e tij, kryeredaktori i RD-së Bledi Kasmi u ndal në rëndësinë historike të themelimit të RD-së, si gazeta e parë opozitare dhe që shenjon edhe themelimin e shtypit të lirë në pluralizëm. Zoti Kasmi evokoi disa nga stacionet në të cilat ka kaluar kjo tribunë e shtypit të lirë, duke veçuar kontributin e saj në vitet 91-92 apo edhe shembullin e qëndresës që ajo ka dhënë pas vitit 1997, duke u shndërruar në një pol mediatik, e cila vazhdimisht kishte si hipotekë të sajën publikimin e të vërtetës, pavarësisht rrezikut që mund të sillte ajo me vete. Më pas, në fjalën e tij, kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha nderoi të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë krijuese të njeriut, nderoi atë grup djemsh dhe vajzash, që 20 vjet më parë patën shansin e madh, fatin e bardhë, guximin dhe kurajën, të bëhen kalorës të fjalës së lirë dhe t’i japin jetë gazetës së parë të mendimit të lirë. “Përshëndesim sot ata të rinj dhe të reja që 20 vjet më parë u bënë kalorës të fjalës së lirë dhe i dhanë vendit të parën gazetë opozitare në vend. Dy janë shtyllat kryesore të lirisë themelore të njeriut, fjala e lirë dhe vota”, tha Berisha me anë të këtij mesazhi, në ceremoninë e 20 vjetorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, duke përgëzuar të gjithë gazetarët për sakrificat dhe të vërtetat e rëndësishme të cilat i kanë mbrojtur. Sipas tij, liria e fjalës është kryesorja në lirinë e njerëzimit. “Kombi shqiptar ka njohur vështirësi të jashtëzakonshme. Këtij kombi i takon që të vijë në shekullin e XX, me një larmi trashëgimie, nga modernet tek mesjetaret dhe para mesjetaret. Me ligjet e saj më të hekurta të ketë shkruar nenin e artë të fjalës së lirë. Fjala e lirë në 20 vite ka rënë. Ajo u shndërrua në idealin e një populli të shtypur. Ajo është dhe mbetet themeli i dinjitetit njerëzor, qytetar, leva e Arkimendit për të gjetur të vërtetën në univers. Diktatura hoxhiste ishte qelia më heretike dhe barbare e lirisë së fjalës. Ne arritëm në vitin 1990 në censurën më të thellë, ku fjalët ‘të drejtat njerëzore’ dhe ‘liri e shprehjes’ nuk ekzistonin dhe kur ato shqiptoheshin, paguheshin me litar”, tha kryeministri. Berisha vijoi më tej duke shtuar se “gjatë këtyre 20 viteve, fjala e lirë ka dhënë në këtë vend gjithçka mund të japë liria”. “Ajo është dhe mbetet gjithnjë themeli i dinjitetit qytetar dhe njerëzor, është dhe mbetet leva e Arkimedit për të gjetur të vërtetën. Ndaj dhe ne sot e këto 20 vite, duhet të përulemi ndaj atyre djemve dhe vajzave të rinj të asaj kohe, që themeluan në atë kohë, të parën gazetë opozitare”, theksoi kreu i Partisë Demokratike. Ai vuri në dukje se ligji i pashkruar “Lajmësi nuk preket”, funksionon më shumë se asnjëherë tjetër. “Ndaj në këto 20 vite duhet të përulemi atyre të rinjve që themeluan gazetën e parë opozitare. Sot de facto, ligji se lajmi nuk preket, i pashkruar, funksionon në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër”, tha kryeministri. Në këtë kuadër, ai theksoi se qeveria ka ndaluar që në vitin 2005 çdo lloj procesi civil apo penal ndaj gazetarëve dhe ka ndaluar të gjitha agjencitë që të kërkojnë me ngulm burimin e informacionit. “Kjo qeveri ka ndaluar çdo lloj procesi civil apo penal ndaj lajmeve. Ka ndaluar të gjithë agjencitë që të kërkojnë burimin e lajmit, për përpjekje të mëdha që raportet të jenë sa më të civilizuar. Fjala e lirë, konsolidimi i kësaj lirie është një proces i cili shpreh në mënyrën më të madh, maturinë. Ka dhe do të ketë revolucionin e vetë, por e lirë ajo mund të japë nivelet më të larta të maturitetit”, deklaroi në përshëndetjen e tij, kryeministri Sali Berisha. Gjatë kësaj ceremonie, Berisha ndau dhe dekorata në shenjë mirënjohje për të gjithë ata të cilët punuan në gazetën e parë opozitare, si Frrok Çupi, Mitro Çela, Astrit Patozi, Vera Isaku, Blendi Fevziu, Edi Paloka, Blen Blushi.
...