E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditëlindja e profetit Muhamed, Berisha: Frymëzues i pavdekshëm

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në aktivitetin e zhvilluar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në Pallatin e Kongreseve, me rastin e Ditëlindjes së Profetit Muhamed, ku theksoi se në këtë ditë të shënuar "lindi i dërguari i Perëndisë, Profeti Muhamed, që me mësimet e Zotit ndriçoi mendjen, rrugën e njeriut dhe njerëzimit". 

Sipas kreut të qeverisë, "Profeti me mësimet e Zotit ndikoi më shumë se kushdo tjetër, së bashku me Jezu Krishtin dhe Budën, në moralin njerëzor. Një botë që po degradonte do t’i rikthehej rrugës së dritës. Ai është themeluesi i madh i arsimit dhe dijes në kohërat e tij dhe më vonë. Me mësimet e Zotit se boja e shkrimit të fëmijëve tanë është më e shenjtë se gjaku i martirëve, ai çau errësirën që mbulonte planetin dhe shoqërinë. Mësimet e tij janë dhe mbeten frymëzuese e të pavdekshme. Kushdo që e lexon do të gjejë se tek mësimet e tij qëndron themelimi i magjisë më të madhe të njerëzimit, i tregut të lirë dhe lirisë së individit". 

Duke folur për lirinë fetare dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, Berisha u shpreh se "ky komb ringjalli lirinë e besimeve fetare me besimin tek njëri-tjetri. Në këtë trashëgimi qëndron mesazhi më i fuqishëm, virtyti më i shkëlqyer i shpirtit të madh shqiptar". 

"Në vende dhe kombe të ndryshme, mjerisht abuzohet dhe përdoren besimet fetare për të nxitur njerëzit kundër njëri-tjetrit për të justifikuar akte ndër më të shëmtuarat, por shembulli shqiptar është shembulli më frymëzues dhe ky shembull çdo vit e më shumë do të shkëlqejë në mbarë Europën dhe botën", u shpreh Kryeministri Berisha.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›