E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Qirjaqi në heshtje të përjetshme me veten

Teatri Kombëtar mban zi për aktorin Agim Qirjaqi, i ndarë nga jeta mesditën e 28 marsit, në moshën 59-vjeçare.


Kolegët rikthejnë nga kujtimet Qirjaqin aktor, inteligjent, elegant dhe gjithë finesë, regjisorin me mendje të hapur, si dhe njeriun e mbyllur që vuajtjen e mbajti për vete


Nga dje aktori Agim Qirjaqi nuk ka për ta përshkuar më oborrin e Teatrit Kombëtar me ecejaken që mbyllej me takimin me njerëz në kafene "Aleanca".


Kuvendi i zakonshëm, ku shpesh nuk merrte pjesë, por vetëm shikonte thellë gjithkënd që fliste. Kështu ditë me radhë në tre vjet, kur alzheimeri po i shteronte fuqitë. Agim Qirjaqi ndërroi jetë dy ditë më parë në qendrën e rehabilitimit Joshua Center, ku mori fund lëngata në shtrat për tre muaj.


Në homazhet e djeshme që u mbajtën pranë trupit të të ndjerit në hollin e Teatrit Kombëtar, kishin ardhur të gjithë, regjisorë të rinj e të vjetër, aktorë që nuk janë parë me kohë në dyert e teatrit, artistë që nuk i përkasin as teatrit, as filmit.


Një hije lodhjeje, trishtimi, përhumbje i kish mbërthyer, si një film pa zë, ku aktori flet vetëm me portretin e tij, i shoqëruar nga marshi funebër, me të cilën Banda Frymore e Tiranës interpretoi gjatë parakalimit të fundit të trupit pa jetë të aktorit në oborrin e teatrit.


Ishin aty për t'i dhënë përshëndetjen e fundit aktorit, regjisorit, pedagogut dhe gjithkush shprehej i gatshëm për të thënë dy fjalë për Gimin, pa përdorur në asnjë fjali kohën e shkuar. Për ta Qirjaqi është akoma.


"Sot, është një ditë e trishtë. Kur ikën një aktor, ka diçka që vdes nga memoria kombëtare. Është dyfishtë e trishtë sepse Agim Qirjaqi iku shumë shpejt.


Një aktor i madh, poliedrik, i shkëlqyer si në role pozitive dhe ato negative. Një njeri i madh, në sensibilitetin dhe urtësinë e tij", thotë Dhimitër Anagnosti pa harruar ato dy fjalë për njeriun.
Në vitin 1976, Anagnosti i caktoi Qirjaqit rolin e drejtorit fashist në filmin "Lulëkuqet mbi mure".


Tek të gjithë ata, kineastë dhe aktorë, që u afruan për të folur për Agim Qirjaqin, ndihej kujdesi me të cilin zgjidhnin fjalët, për të mos e tjetërsuar figurën e vërtetë të aktorit dhe regjisorit, për të treguar kontributin real të tij në kinema, në teatër, në frymën bashkëkohore të cilën ai u përpoq të japë në teatër.


Mateshin në dhënien e përgjigjeve, duke i qëndruar larg përshkrimeve standarde "aktor që emocionon", "zotëron mjeshtërinë", "di të komunikojë me partnerin".


Tek Agim Qirjaqi shihnin më tepër aktorin inteligjent, sesa emocional, elegant, me sharm, të përqendruar tek profesionalizmi, dhe "me një personalitet artistik deri tani të rrallë" sipas aktores Yllka Mujo, partnere e tij në disa vepra për teatër. Me një zë të pezmatuar ajo shton: "Është një aktor i cili krijoi një personalitet artistik deri tani të rrallë. Që kur kam qenë e vogël e kam pasur partner tek "Familja e Peshkatarit".


Në fillim e kam adhuruar, pastaj bashkëpunimet e tjera kanë qenë një marrëdhënie e ndërsjellë profesionale. Kam pasur disa bashkëpunime me të. Kjo është një humbje e madhe për kulturën dhe për artin shqiptar. Iku një nga shtyllat më të rëndësishme të teatrit.


Do ta kujtoj dhe do ta dua gjithmonë ashtu siç e kam dashur edhe kur ka qenë prezent. Ai ishte një njeri që nuk bëri kompromis me profesionin e vet, dhe mbeti përherë besnik i teatrit dhe i filmit. Mbeti përherë besnik i vetvetes në kuptimin artistik të fjalës. Një njeri me vizion, një njeri me një dashuri të pafundme për profesionin dhe për jetën."


Aktorja Luiza Xhuvani, partnerja e Qirjaqit tek "Vdekja dhe Virgjëresha", "Kopshti me dallëndyshe" me regji të Kiço Londos sjell këto impresione: "Kam pasur eksperienca të jashtëzakonshme me Gimin. Gjithë teatri do ta ndiejë mungesën e tij. Si partner ishte i mrekullueshëm, me karakteristika krejt të ndryshme nga çdo aktor tjetër, me një inteligjencë absolute. Kishe kënaqësi ta kishe partner."


Një tjetër aktore, kolege e tij, duket sikur me fjalët e saj për Qirjaqin e përmbush tablonë e tipareve, që aktori ka shpërfaqur në role.


Ermira Gjata flet për sjelljen e tij plot finesë, elegancë dhe sharm në skenën e Teatrit. "Agim Qirjaqi ka qenë dhe mbetet një aktor elegant. Kishte mënyrën e tij të interpretimit me shumë finesë, me sharm. Ishte aktor që punonte jashtëzakonisht me veten e tij, dhe njëkohësisht ndihmonte të tjerët.


Ai pa zhurmë dhe bujë bënte punët e tij, dhe e bënte detyrën me nivelin më të lartë profesional", pohon aktorja që ka luajtur me Qirjaqin në filmin "Rrethi i kujtesës" (1987, regjisor Esat Mysliut). Gjata ka ndjerë edhe një detyrë morale për kontributin që Qirjaqi ka dhënë si pedagog në Akademinë e Arteve me mësimdhënien nëpërmjet leksioneve, por edhe nëpërmjet artit që ka krijuar.


"Sot, kur mora vesh për humbjen e tij kam hyrë në studio, u thashë studentëve të mbajmë një minutë heshtje për këtë aktor të madh, i cili meriton të lëvdohet si një ndër aktorët më të mirë të shkollës sonë. Kishte mënyrën e vet, shkollën e tij të interpretimit nga e cila, unë për vete kam mësuar shumë, por besoj se do të mësojnë edhe brezat që vijnë."


Këto janë gjurmët që lënë pas njerëzit e artit, gjurmë mbi të cilat do të ecin të tjerë, gjurmën që i bëjnë të paharrueshëm.


Këtë e përmblodhi në fjalën e tij edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, i pranishëm dje në homazhet në Teatrin Kombëtar: "Mendoj se për brezin e ri dhe për brezat që vijnë, të aktorëve dhe aktoreve, do të jetë më e lehtë, sepse për shkak se aktorë si Agim Qirjaqi, dhe të tjerë që janë ndarë nga ne më përpara, kanë lënë pas një eksperiencë të paçmuar, që pa asnjë dyshim u shërben si pikë referimi, atyre që japin mësimin e këtij arti të madh, dhe atyre që e marrin këtë mësim", pohoi Rama.


Qirjaqi ka luajtur në kinema nga viti 1973 deri më 2005-ën. E filloi me "Rrugë të bardha" të Viktor Gjikës (1973), më tej me "Lulëkuqet mbi mure" të Dhimitër Anagnostit (1976), "Dimri i fundit" të Kristaq Mitros&Ibrahim Muçajt (1976), "Radiostacioni" të Rikard Ljarjës (1979) dhe një vit më vonë, 1980, me po të njëjtin regjisor tek "Skëterrë 43", "Në prag të lirisë" (1981) të Kristaq Mitros&Ibrahim Muçajt.


Përsëri me këta dy regjisorë tek "Apasionata" (1983). Deri në vitin '90, ka interpretuar në filmat: "Tela për violinë" (1987), "Stolat në park" (1988) dhe "Misioni përtej detit" (1988). Vitet e fundit ka interpretuar rolin protagonist tek "Kolonel Bunker" (1998) të Kujtim Çashkut, dhe disa karaktere satiriko-komikë tek "Dasma e Sakos" të Vladimir Priftit (1998), "Slogans" (2001) dhe "I dashur armik" (2004) të Gjergj Xhuvanit dhe "Kronikë provinciale" (2009) të Artan Minarollit.


Të pranishmit nuk lanë pa përmendur kontributin si regjisor për një frymë bashkëkohore në teatër. Pedagogia e Akademisë së Arteve, Ermira Gjata pohon që Qirjaqi regjisor ngriti lart regjisurën, me mënyra bashkëkohore të interpretimit dhe të të bërit teatër. Këtë e thekson edhe një koleg tjetër i tij, regjisori Gëzim Kame.


"Në vitet '90, ai futi elementë të një teatri shumë të veçantë, pasi erdhi nga specializimi në Itali. U futën elementët e parë të teatrit të absurdit. Dukej që i kishte me pasion dhe i kishte të fshehura brenda vetes dhe filloi t'i shpalosë në teatrin shqiptar.


Nuk e zgjati shumë këtë gjë sepse iu kthye përsëri fuqishëm aktrimit", pohon Kame që është regjisori i fundit me të cilin Qirjaqi bashkëpunoi në teatër për dramën "Pjata prej druri". "Ishin të dy brilantë në atë shfaqje.


Gimi nuk shquhej për emocione të fuqishme, por kishte një intelekt, një logjikë aktoriale, por çuditërisht në atë episod, së bashku me Sulejman Pitarkën u bë një aktor me emocione po aq të fuqishme. Ishte lamtumira e të dyve bashkë, edhe e Sulejman Pitarkës edhe e Agim Qirjaqit nga kjo shfaqje dhe përfundimisht nga teatri".


Këto kohë, Kame tregon se aktorit iu shfaqën shenjat e para të sëmundjes, ai filloi të vuante shumë në këtë periudhë, pa e ndarë shqetësimin e tij me të tjerët. "Mua më bënte përshtypje që një aktor gjigand kishte këto elementë të mungesës së kujtesës.


Fillimisht nuk fliste për sëmundjen. E shikoja që kishte një stërmundim të madh për të duruar simptomat e para të sëmundjes. Sikletosej me veten më tepër, pavarësisht se ne nuk kuptuam gjë, vetëm se kishte herë pas here mungesë vëmendjeje."


Tërheqja tek vetja që aktori po e bënte dalëngadalë u vu re më vonë dhe aq hapur sa që edhe ai që nuk e njihte karakterin e artistit, mund të kapte me një vështrim atë nevojë për qetësi që portreti i tij gjeneronte, një nevojë për një botë sa më të vogël, ku ta kishte më të lehtë të vendoste rregullat.


"Ka qenë pak i mbyllur në raport me komunitetin, por me një fisnikëri të jashtëzakonshme. Ishte një natyrë që nuk bëhej pjesë e intrigave, fjalëve. Të afërmit humbën njeriun, ne humbëm kolegun, por kombi humbi artistin e madh", nuk mund të lërë diçka pa thënë për Qirjaqin mik, aktorja Luiza Xhuvani.


Në orën 14.00, trupi i Agim Qirjaqit u largua përfundimisht nga Teatri Kombëtar. Askush nuk kishte mundur ta largonte perden e përhumbjes që i kish zënë sytë. Një mundim që nuk të lë të zgjohesh, për ta parë sërish aty, tek "Aleanca" në heshtjen e përjetshme me veten.


Nuk është i fundit regjisori Kiço Londo që do të flasë për aktorin. Londo ka bashkëpunuar për disa pjesë, madje në vitet e fundit Qirjaqi është parë kryesisht në regjitë e Londos. "Ne sot jemi akoma më të varfër.


Është njeriu që i detyrohemi shumë si qenie artistike, si një njeri që na ka dhuruar kënaqësi sa herë që merrte përsipër të bënte diçka. Jemi të përulur para tij, për artin e tij të madh dhe për faktin se është një nga njerëzit, që falë kontributit të tij, ky Teatër Kombëtar vazhdon të jetë në këmbë."


*********************

Skena dhe ekrani humbet një aktor me talent që la një pasuri rolesh ndër vitet 80-'00. Aktori u shua dje pas agonisë së gjatë në një qendër rehabilitimi.


Homazhet sot në mesditë në hollin e Teatrit Kombëtar i cili shfaqjen e djeshme të "Elektrës" ia kushtoi Agim Qirjaqit

"Shfaqja e sotme nis me një ngjarje jo të zakonshme. Aktori Agim Qirjaqi u nda nga jeta sot në mesditë. Këtë shfaqje ia dedikojmë kolegut Qirjaqi. Le ta duartrokasim këtë artist ashtu siç kemi bërë kur ka qenë i gjallë."


Lajmin e drejtorit të Teatrit Kombëtar Kristaq Skrami e ndoqi një uau e zgjatur e spektatorëve që prisnin fillimin e shfaqjes "Elektra". Pastaj erdhën duartrokitjet për nder të Agim Qirjaqit. Drejtori Skrami tha se shfaqja e radhës po i kushtohej aktorit që mbylli sytë dje në moshën 59-vjeçare pas një agonie të gjatë. Në një karriget e radhës së parë ai vendosi një tufë lule.


Deri në vjeshtë të vitit 2009 aktori frekuentonte mjediset e teatrit, sado që kishte kohë që nuk ngjitej në skenë për shkak të sëmundjes së alzheimerit që po e shpinte përditë në dekadencë shëndetin e tij fizik dhe mendor. Prej tre muajsh Qirjaqi ndodhej i shtruar në spital deri dje në mesditë, rreth orës 13.00 kur dha shpirt në qendrën e rehabilitimit Joshua Center.


Drejtori i Teatrit Kombëtar bëri të ditur se sot ora 13.00-14.00, ndërsa pritet ardhja nga larg e vajzës së tij të vetme, do të kryhen homazhe në hollin. Ky është vendi ku Qirjaqi pati një aktivitet të gjatë dhe produktiv si aktor, regjisor, drejtues.


Krahas kinematografisë, teatri është prova që Qirjaqi dha në jetë. Hera e fundit në skenë ishte në vitin 2006 për dramën "Pjata prej druri" me regji të Gëzim Kames. Por puna e tij me teatrin ka qenë e shumanshme. Vjeshtën që shkoi u ngjit në skenë një komedia e absurdit "Këngëtarja tullace" e Ionescos me regji të Spiro Dunit.


Është një përkthim i pasur i Qirjaqit kjo vepër të cilën ai e pati vënë në skenë në fillimet e viteve nëntëdhjetë kur në rolin e regjisorit ai u përpoq për një teatër të ri.
Sapo ishte kthyer nga një përvojë 2-vjeçare në Itali, pranë Giorgio Strehler-it në Il Picolo Teatro të Milanos dhe pastaj në Teatrin Eliseo të Romës.


Aktor i trupës së Teatrit Popullor dikur, ai e gjeti veten shumë shpejt të përfshirë me nevojat për një situatë tjetër në teatër. Vë në skenë "Rikardi III" të Shekspirit, "Fando e Lis" të Fernando Arrabalit, kontribuon në përgatitjen e aristëve të rinj si pedagog në Akademinë e Arteve.


Pak më vonë e sheh në një bashkëpunim të gjatë me regjisorin Kiço Londo, në produksione private dhe të Teatrit Kombëtar, në dramën "Vdekja dhe virgjëresha", në komeditë "Pleshti në vesh" dhe "Kopshti me dallëndyshe" etj.


Drejton për një vit, Teatrin Kombëtar, është viti më i vështirë që kalon ky institucion, sepse vihet në pikëpyetje ekzistenca e tij. I vënë në krye të artistëve sindikalistë, Qirjaqi mbron çështjen e Teatrit, del kundër shembjes së tij dhe kundër ligjit "Për Teatrin". E kësaj kohe është vepra e tij e fundit regjisoriale në TK, "Armiku i Popullit" i Ibsenit.


Në kinema fillimet e tij lënë gjurmë menjëherë. I aftë në realizimin e roleve komikë dhe dramatikë, asnjëherë i njëjtë, në gjendje ta transformojë energjinë tragjikomike dhe ta ketë njëherësh nën kontrollin e arsyes.


Pas studimeve më 1973 në Institutin e Lartë të Arteve u shfaq me një rol të vogël në filmin e Viktor Gjikës "Rrugë të bardha", por më 1976 Dhimitër Anganosti i jep një rol protagonist, drejtori fashist në filmin "Lulëkuqet mbi mure", i cili shpallet filmi më i mirë vitit dhe Qirjaqi aktori më i mirë.


Në vazhdim interpreton në "Dimri i fundit" (1976), "Radiostacioni" (1979), "Skëterre 43" (1980), "Në prag të lirisë" (1981), "Apasionata" (1983), "Tela për violinë" (1987), "Rrethi i kujtesës" (1987), "Stolat në park" (1988), "Misioni përtej detit" (1988).


Duket se ka mbetur jashtë vëmendjes një vepër e tij televizive. "Dorina" quhet, e realizuar më 1979. Personazhi është një grua që ka arritur në një moment ku jeta e saj është bllokuar.


Pas viteve nëntëdhjetë ai realizonnjë kinema një rol të rëndësishëm. Është i ashtuquajturi Koloneli Bunker në filmin me të njëjtin titull të regjisorit Kujtim Çashku. Ky realizim i vitit 1998 propozohet atë vit për çmim Oscar si filmi më i mirë në gjuhë të huaj. Me figurën dramatike të gjeneralit mund të thuhet se mbyllet puna krijuese që aktori ka ndaj vetes dhe ndaj regjisorit.


Qirjaqin e gjejmë pothuajse në gjithë filmat e prodhuar në vitet e fundit, por në asnjërin prej tyre nuk gjen një karakter të plotë e që të lërë gjurmë si tek Kolonel Bunker.


Interpreton tek "Dasma e Sakos" (1998), në dy filma të Gjergj Xhuvanit "Slogans" (2001) dhe "I dashur armik" (2004). Në kinema është parë së fundi tek "Kronikë provinciale" (2009) i Artan Minarollit.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›