Agim Qirjaqi dhe ditët e pabarabarta
Në Rehovë na bënë përshtypje shtëpitë me porta të gdhendura dhe qemerë të skalitur, kalldrëmi, bulevardi. Ishte fshat me bulevard, ku dilnin në muzg çupkat dhe djemtë dhe fluturonin lulet.
Bulevardin e kishin sjellë mërgimtarët, që merrnin Gramozin e më tej pamporët me dhoga, se i tërhiqte Ameriqia. Në fund të rrugicës ishte porta e madhe, muzeale e shtëpisë së Naum Priftit, me sofat madhështor, me kopsht të madh, pemë të larta me hije të gjerë, kroje që gumëzhinin sikur një dorë trazonte bizhutë në një kuti. Në një shtëpi tjetër dykatëshe, pak hijerëndë si në tragjeditë Shekspiriane, me hir mistik kështjellash, kish lindur Agim Qirjaqi.
Këto të vinin nëpër mend në Rehovë, o Shekspiri, o Eskili, nuk e di përse. Mali i Gramozit, kalldrëmi i punuar me dorë mjeshtërish vendës, çezmat, gdhendjet e skalitjet me simbole pagane e biblike, fushëtirat si të dala pas ngritjes së një perdeje, udha përmes drurëve, mullarëve përskaj, sanës, duajve, ku rëndom kalon qerrja e barit e tërhequr nga një gërdallë e plogët.
Ishte një mbresë e mahnitshme, veçmas ajo shtëpi e fisme e Agim Qirjaqit, krejt e heshtur, pa njerëz brenda, vetëm me ndonjë plakë nga fisi që i bënte roje. Ato ishin shumë, se pothuaj të gjithë kishin mërguar, edhe te Naumi takuam një të tillë, një e dy e këndonin, fjalët i kthenin në këngë e këngët në fjalë, s'rrëfenin moshë, po ishin të vjetra sa s'thuhet. Kishin moshën e pritjes antike.
Kjo shtëpi e Agimit më kujtoi atë ditë kur e lutëm të luante te filmi "Misioni përtej detit". O zot, kujt i thonim, një skrupulozi, një kërkuesi të çmendur të ideales, që e gjente dhe e humbte dhe i vihej sërish ta gjente pa e gjetur kurrë.
More, e dini ju, na tha, unë s'kam shtëpi, ç'film të luaj unë.
Ai që kishte një nga shtëpitë më të bukura në atë fshatin e mahnitshëm, në Rehovë, padyshim një nga ato të rekuizitës Shekspiriane, s'kishte shtëpi në Tiranë. Fle herë këtu, herë aty, po kjo jetë kështu s'shtyhet më. Ishte viti '87, me sa më kujtohet.
Skenarist ishim Anastas Kondo dhe unë. Ia thamë Anastasit, që ishte i madh në atë kohë, anëtar i Komitetit Qendror, ai përgjigjej për artin dhe kulturën. Ai u mendua. S'më besohej që Agim Qirjaqi të mos kishte shtëpi. Po ai derëzi pse s'martohet. S'i ka ecur, i thamë. E pranoi rolin? Jo. Nuk i pëlqeu?
Atij s'i pëlqejnë pothuajse rolet. Ka shumë kërkesa. E di.
Dhe Agimi, në këmbim të një apartamenti, luajti rolin e tradhtarit në film. Ai, që kishte shtëpinë e "Shekspirit". Kështu ndodhte shpesh me artistët.
Pastaj e takova sërish në një rrethanë shtëpish të varura si në ajër. Atij s'i ecte me to, që atëherë sa kishte hequr branë këmbën prej Rehovës. Vila në Rrugën Mogadishu në Romë, e mbushur me kursantë entuziastë, që më '90- ën ëndërronin të bënin filma dhe të ngjisnin në skenë vepra të mëdha si në perëndim.
Ditën takohej me Strelerin, regjisorin e famshëm, në muzg gatuante bukë në vilë. Po, po, bukë, që të kursente, në atë shtëpinë që e kishte zënë ambasada me qira. I pahitur me miell gjer te bërryli, me gishtërinjtë të ngjitur në miell, na tregonte se sa masa miell dhe ujë, sa kripë dhe maja duheshin që të dilte një franxhollë e mirë.
Varfëri e madhe, e parrokshme sot. Kishte raste kur në ato pak shtretër të vilës flihej me turne, se ja, vinte Vath Koreshi, Pirro Milkani, Viktor Gjika dhe Agim Qirjaqi e gdhinte jashtë si një personazh i pastrehë i neorealizmit italian.
Krejt i vetëm, realisht teatri ishte shtëpia e tij, prapë, jo aq e bukur sa ajo e Rehovës. Atje e takoja, ashtu vetëm, të menduar, sikur përpiqej t'i tereziste ditët, t'i bënte të barabarta. Kjo e mundonte, idealja dhe realiteti. Krejt i pakënaqur më rrëfente:
Edhe Vangjush Furxhiu iku i gënjyer. Më kupton? Ne gënjejmë veten kur themi se me këtë rol do të mbetemi.
Vangjushi kërkonte shumë, zgjidhte, i linte, i zinte, i linte, koha ikte, ai mbetej më tepër te kjo mbresë e lënies. Këtu në teatër e kishte zemrën dhe s'iu afrua më. Sepse e kishte kuptuar. S'e arrinte. Edhe unë në këtë konkluzion kam ngecur: nuk e arrij.
Edhe këtë shtëpi, që thashë se ishte imja, s'e kam. S'kam shtëpi, Roland. E di ç'do të thotë kjo? Të pranosh atë që s'është e vërtetë për sytë që të duan, të atij publiku të mrekullueshëm që nuk na braktisi. Po unë kam forca, prandaj them, dua te iki.
S'të kuptoj, i thashë.
E di, më tha, sepse ikja e Vangjushit nuk ishte fizike, po morale. Ai e kishte arritur me kohë, po pikërisht prej kësaj nuk e kishte arritur. Ma kupton ku dua të dal? Sapo të duket se prek mjeshtërinë të dalin përpara malet ku ditët janë të pabarabarta. Tani ke punë me këto ditë që s'bëhen kurrë të barabarta.
E takoja te kafeneja e Galerisë së Arteve të armatosur deri në dhëmbë me vetminë e tij. Porosiste kafenë dhe e paguante menjëherë, sepse donte të ishte i lirë, të mos priste kush do të paguante në fund se tryeza e tij ishte si një magnet, aty mblidheshin 10 -15 veta, ngaqë Agim Qirjaqi, me atë trishtimin e tij të paarritjes dhe të pashtëpisë, i tërhiqte më shumë me këtë rol të ri, se me rolet e tjerë, adhuruesit e tij të shumtë.
Ai iku vërtet drejt një shtëpie tjetër, që thonë së është e fundit, po mund të jetë dhe e fillimit, ku ditët veç atje janë të barabarta. Ajme!
Nju Jork 2010