E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e librit shqip në New York

Rreth 130 krijues dhe botues u paraqitën para disa ditësh, në një panair të hapur në mjediset e Kolegjit Monro, në Nju Jork, vend i cili për disa orë u shndërrua në qendrën e njohjes dhe lidhjeve mes artistëve dhe krijuesve të vjetër dhe të rinj. Ka qenë Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane (SHSHSHA), e cila ka realizuar të parin panair me libra të autorëve shqiptarë që jetojnë në SHBA. Veprat e prezantuara përfaqësonin një gjeografi të shkrimit shqip me përkatësi shqiptarët nga Ballkani, por që prej shumë vitesh janë "ngulur"në SHBA. Autorët bashkëkohës erdhën në panair si pasardhëse të penave të ndritura, Konica, Noli, Pipa, Frashëri, Floqi, Xhaferri e shumë e shumë të tjerë që lidhën zhvillimet e qytetërimit perëndimor me vendin e tyre, Shqipërinë. Krijimet letrare, botimet dhe përkthimet kanë mbetur i vetmi dokument i shkruar i historisë për mëse një shekull dhe njëkohësisht ura e lidhjes shpirtërore me brezin e ri të emigrantëve poetë, shkrimtarë e studiues. Ndjehet se është përmendur shpesh vlera e paraardhësve, por Panairi i Librit 2009-Nju Jork, përcolli diçka më shumë në nismat e përbashkëta të artistëve shqiptarë. Adnan Mehmeti, president i SHSHSHA-së dhe Albana Mëlyshi, një nga veprimtaret e njohura të këtij organizmi, në përshëndetjen e tyre e vunë theksin në procesin e vështirë, por të shëndetshëm të hedhjes shtat të kësaj shoqate. Krahas rritjes se numrit të botimeve, kërkesat e shoqatës do të përqendrohen në të ardhmen edhe në njohjen më të gjerë të publikut, duke punuar më shumë me tregun e botimeve dhe përkthimet e autorëve. Mëhill Velaj prezantoi me radhë tryezat e autorëve, ku ndeshje një pjesëmarrje të grave shkrimtare. Konsulli i Republikës së Shqipërisë, dr. Albert Jerasi, i pranishëm në panair e vlerësoi atë si një arritje të çdo krijuesi dhe çmoi rolin e tyre në zhvillimin e letërsisë, kulturës dhe lidhjes së kësaj tradite në breza për kombin shqiptar. Në panair u dorëzuan çmime dhe stimuj për disa autorë. Një vend i veçantë dhe shumë përgëzime u drejtuan për shkrimtarin Ramiz Gjini mbi romanin Atdheu prej Dëbore, një botim i ri që sapo është përkthyer në gjuhën rumune.      

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›