Shën Joan Vladimiri bashkon besimtarët elbasanas
Manastiri i Shijonit, vetëm 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit është bërë dje mikpritësi i qindrave besimtarëve të feve të ndryshme, edhe përtej kufijve të këtij rrethi. Nën simbolin e legjendës së shpirtit të Shën Joan Vladimir, priftit malazes, të cilit iu pre koka nga Mbreti bullgar rreth shekullit X-XI , besimtarëve ortodoksë nga Elbasani dhe rrethe të tjera do tu bashkoheshin qindra besimtarë të tjerë myslimanë dhe bektashinj në nderim të emrit që mban Manastiri si dhe varrit të kryepeshkopit të parë shqiptar, At visarion Xhuvani.
Komua Bradashesh, 4 Qershorin, në vitin 2007, do ta shpallte si festë zyrtare për të gjithë banorët, pa dallim feje e krahine. E quajtur "Dita e mirëkuptimit dhe e harmonisë", me qindra besimtarë të feve të ndryshme kanë marrë pjesë dje në pelegrinazhin e organizuar për çdo vit në këtë manastir. Besimtarët kanë ndezur qirinj, si dhe kanë marrë pjesë në meshën e mbajtur nga At Stavri Cipi, i cili në fund ka bekuar të gjithë besimtarët. Ndërsa kryetari i komunës, Sabri Sollaku, i cili çdo vit pret miq nga e gjithë Shqipëria ka dhënë urimin e tij në këtë ditë të bekuar për të gjithë komunitetin e zonës për mirëkuptime paqe mes të gjithëve. Më pas në fushën e fshatit Shijon është zhvilluar një koncert artistik ku kanë marrë pjesë këngëtarë të njohur të muzikës popullore. Të pranishmit, pas riteve të përshpirtjes në kishë, kanë festuar secili sipas dëshirës dhe mënyrës së vet, në natyrën piktoreske që ofrojnë mjediset e manastirit dhe fshati për rreth.