Ditët e paraburgim për të pandehurit e Gërdecit, vendos Gjykata e Tiranës
TIRANË - Gjykata e Apelit riktheu në Gjykatën e Shkallës së Parë dosjen me kërkesat për lirimin nga burgu të tre personave të akuzuar si fajtorët kryesore të tragjedisë së Gërdecit. Gjykata e Apelit mori në shqyrtim dje kërkesën e avokatëve të Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Sokol Ngjeçit, duke vendosur rikthimin e çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë, për rillogaritjen e afateve të paraburgimit.
Avokatët kanë pretenduar se aktualisht, klientët e tyre po plotësojnë 100 ditë mbajtje në paraburgim jashtë afateve ligjore. Në dy vendime të mëparshme, gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka refuzuar lirimin e tre të pandehurve me argumentin se afatet e tyre në paraburgim janë brenda normave ligjore, pasi seancat gjyqësore janë shtyrë disa herë ndërkohë që llogaritja e mbajtjes në arrest është pezulluar.
Plagosja me thikë në internet kafe, prangoset autori
TIRANË - Policia e Tiranës bën të ditur se ka arrestuar personin e shpallur në kërkim për tentativë vrasje në një internet kafe pak ditë. Ngjarja ndodhi në zonën e Shkozës, në periferi të kryeqytetit. Specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, realizuan arrestimin në flagrancë të shtetasit Sokol Skënder Domi, 23 vjeç, banues në Shkozë Tiranë, tha policia. Sipas burimeve policore, arrestimi i Sokol Domit, u krye sepse dyshohet se më datë 14 dhjetor 2010, rreth orës 17.00’, në Shkozë, në ambientet e një lokal “Internet” në pronësi të një shtetasi, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë të ftohtë thikë, shtetasin Forcim Lita, 18 vjeç, me banim në Shkozë Tiranë.
“Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “Vrasjes me dashje”, e realizuar në bashkëpunim”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Qarkut Tiranë.
Loja me çiften i merr jetën 40-vjeçarit
SHKODËR – Loja me armën i ka kushtuar jetën një 40-vjeçari në Shkodër. Burimet zyrtare te policisë bëjnë të ditur se pasditen e së enjtes është vetëvrarë aksidentalisht me armë gjahu, në banesën e tij 40-vjeçari Muriqi, banues në fshatin Melgushë, të komunës Bushat, në rrethin e Shkodrës. Sipas tyre, “në vendngjarje, pikërisht pranë trupit të viktimës u gjet dhe u sekuestrua arma e krimit, tip armë gjahu çifte si dhe një gjerdan me 24 copë fishekë armë gjahu”. “Nga ana jonë u kryen te gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore si dhe u morën deklarimet e të afërmve dhe familjarëve të viktimës, ku rezultoi se ngjarja në fjalë ka ndodhur aksidentalisht”, - përfundojnë burimet policore.
Prangoset, iu gjet arsenali i pajisjeve policore
SHKODËR – Policia e Shkodrës sekuestroi një arsenal pajisjesh policore dhe armësh sportive, si dhe prangosi poseduesin e tyre. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 11.00 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Agim Shania, 54 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Vojo Kushi”, në qytetin e Shkodrës. “Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në dyqanin privat, në pronësi të këtij shtetasi, janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa armë dhe mjete policie”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës. Dyshohet se Shania i mbante këto lloj armësh, të ftohta dhe spotive me qëllim shitjen e tyre. Sipas burimeve policore, materialet në ngarkim të këtij shtetasi pritet ti kalojnë Prokurorisë.
MJETET E SEKUESTRUARA
16 copë thika metalike të madhësive të ndryshme
29 copë dorëza metalike përforcuese grushti
5 palë pranga, metalike (policie)
2 copë shkopinj gome
9 copë shkopinj metalikë
2 këllëf armë zjarri, pistoletë
18 Dhjetor 2010