Firmëtarë për referendum

Mbështetës të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano dhe deputetët e aleatit po të PS-së, Skënder Gjinushi bashkuan firmat me Lëvizjen Socialiste për Integrim në kërkesën për zhvillimin e referendumit në popull mbi pranimin ose jo të vendimit të Kuvendit për ndryshimet kushtetuese.
Që të martën e deri dje pasdite, Lëvizja Socialiste për Integrim ka arritur të mbledhë rreth 21 firma deputetësh. Firmat e para e siç thonë burimet, filluan të hidheshin që gjatë seancës plenare të ditës së martë. Atë ditë firmosën rreth 6 deputetë, ndërsa pjesa tjetër gjatë ditës së djeshme. Fleta ka kaluar dorë më dorë, nga Spartak Braho tek Ndre Legisi, Pëllumb Xhufi, më pas tek Neritan Ceka rreth mesditës, ndërsa i është dorëzuar më vonë edhe kreut të Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi. Sipas vetë disa prej atyre që pranuan se kishin firmosur, numri i deputetëve kishte arritur në rreth 21. Dozën më të madhe të firmave e kanë dhënë vetë nismëtarët e LSI-së: Ilir Meta, Pëllumb Xhufi, Dritan Prifti, Spartak Braho, Ndre Legisi e Nikollaq Neranxi. Po në të njëjtat shifra është edhe kontributi i PSD-së, për objektivin referendum popullor. Nga 7 deputetë që ka grupi parlamentar i PSD-së, 6 prej tyre kanë vendosur firmën, ndërsa Pilo Keri mbetet në pikëpyetje. Ndërkaq, 5 është numri i deputetëve të pavarur që i kanë bashkuar firmat e tyre për të kërkuar referendum. Dy deputetët e përjashtuar nga PS-ja, Taulant Dedja dhe Durim Lamaj, figurojnë në listë. Vetë Dedja e kishte deklaruar që përpara se LSI-ja ta ndërmerrte nismën, se do të ishte i gatshëm të firmoste. Por ajo që bie në sy, është fakti që janë pikërisht mbështetës të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nanos, ata që kanë mbështetur referendumin, duke kundërshtuar miratimin e ndryshimeve kushtetuese, për të cilat socialistët dhanë votën e tyre. Ndërkaq, po atë ditë kur Meta bëri publik zyrtarisht fillimin e mbledhjes së firmave, u pa të ecte krah për krah me Ylli Dylgjerin, bashkëpunëtor i afërt i ish-kryetarit të tij, Nano, vetëm disa minuta pas deklaratës për shtyp. Është po një nga deputetët e PS-së, i njohur si mbështetës i Nanos, Luan Memushi, që sipas burimeve ka firmosur. Ky i fundit votoi kundër edhe në seancën plenare kur u miratuan ndryshimet kushtetuese. Një tjetër firmëtar është deputeti i larguar nga PS-ja, fill pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, Petro Koçi. Mandej, të bie në sy emri i avokatit Spartak Ngjela. Ky i fundit ishte një nga kundërshtarët më të ashpër të ndryshimeve dhe sipas vetë firmëtarëve, ka bashkuar firmën me ta te kërkesa për referendum popullor. Veç Ngjelës, që vazhdon të jetë “i ngrirë” brenda PD-së, deputeti i larguar nga kjo parti, Gilman Bakalli, është pjesë e firmëtarëve. Po ashtu nuk mungon as kaligrafia e presidentit të Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, dhe kryetarit të Demokracisë Sociale, Paskal Milo. Firmëtarët kërkojnë që të jetë populli, ai që të vendosë për mënyrën sesi do të duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës dhe nëse është “dakord” ose “jo” me 9 nenet kushtetuese që u ndryshuan me konsensus të gjerë në Kuvend. Që kërkesa të quhet e vlefshme, duhen të paktën 28 firma. Pra, nëse deri dje, ashtu siç thonë burimet, janë 20, duhen edhe 8 firma të tjera për të mundësuar shprehjen e vullnetit të popullit lidhur me ndryshimet kushtetuese. saqellari@korrieri.com
21 firmëtarët
PAD
Neritan Ceka
PSD
Skënder Gjinushi
Engjëll Bejtaj
Diana Çuli
Gëzim Musabelliu
Angjelina Kola
Albert Divjaka
Pilo Keri
LSI
Pëllumb Xhufi
Ndre Legisi
Ilir Meta
Dritan Prifti
Spartak Braho
Nikollaq Neranxi
PDS
Paskal Milo
PS
Luan Memushi
Të pavarur
Petro Koçi
Taulant Dedja
Durim Lamaj
Gilman Bakalli
Spartak Ngjela