E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diverolët, një histori mashtrimesh

Të rejat më të fundit mbi Efraim Diverolin, presidentin e kompanisë AEY, e përfshirë në tregtinë e armëve nga Shqipëria, kanë pushuar faqet e internetit. Bëhet fjalë për një familje "tërheqëse", pjesëtarë të së cilës janë të dyshuar për abuzime të ndryshme. "Google News" ka njoftuar për 1866 lajme për këtë kompani, vetëm në pak ditë. Një shifër rekord që ka sjellë detaje të reja për familjen e Diverolëve, ndoshta për dy apo tri breza.

Sipas Steve Sailer, i cili ka shkruar një artikull të gjatë mbi disa familje të mëdha dhe krimet e tyre kur vijnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe gjyshi dhe nëna e Efraim Diverolit dyshohen për abuzime të ndryshme.

Kontrata qindra milionëshe

Më 27 mars 2008, gazeta prestigjioze "New York Times" shkroi një artikull të gjatë, të titulluar "Furnizuesi nën hetim për armët për Afganistanin", nga C.J. Chivers, mbi 22-vjeçarin nga Majami (SHBA), i cili e kishte lënë në mes gjimnazin, Efraim Diveroli. Zyrtarisht, ai është president i AEY Inc., kompania që kishte marrë një kontratë prej 300 milionë dollarësh nga Pentagoni, për të dërguar municione në Afganistan. Nuk habit aspak fakti se disa prej municioneve, rezultoi se ishin kinezë dhe pjesa më e madhe e një cilësie të dyshueshme. Kontrata është anuluar dhe ai tani akuzohet për mashtrim. Kjo histori ka qenë në të gjitha mediat dhe "Google News" raportoi se ka pasur plot 1866 lajme për AEY-në. Por ka pasur edhe spekulime nëpër faqe interneti, në lidhje me personat që qëndronin me të vërtetë pas këtij skandali. "Sigurisht, një 22-vjeçar, i vetëm nuk mund të bëjë një gjë të tillë! Dik Çenei apo Karl Rove mund të qëndrojnë prapa", shkruhej në një prej këtyre faqeve.

Nëna arkëtare

Por, pavarësisht nga kjo, pas katër ditësh, shtypi ende nuk ka gërmuar nën sipërfaqe për të zbuluar rrënjët e familjes "tërheqëse" Diveroli. Për shembull, nëna e tregtarit të ardhshëm ndërkombëtar të armëve, nënë e pesë fëmijëve, Ateret Diveroli, ka qenë dikur arkëtare e një organizate të dyshimtë bamirësie për fëmijët, të quajtur "Koha për fëmijët" që mblidhte (por nuk shpërndante) qindra e mijëra dollarë në emër të Majkëll Xheksonit. Lidhjet e biznesit mes yllit fatkeq të popit dhe nënës së Efraimit, ishin vendosur nëpërmjet vëllait të saj, dajës së Efraimit, Shmuley Boteach, i cili konsiderohej këshilltari më i mirë shpirtëror për Xheksonin dhe një numër personash të famshëm. Shmuley është tani i ftuar i rregullt në rrjetin televiziv TLC, në emisionin "Shalom".

Martesa false e gjyshit

Nga ana tjetër, Roxher Friedman, raportonte në "FoxNews", në vitin 2001, se organizata britanike bamirëse e Shmuleyt, kishte dalë nga biznesi, pas një raporti mbërthyes të Komisionit Britanik të Bamirësisë. Hetimi kishte përcaktuar se një numër pagesash të dyshimta ishin bërë rregullisht nga themeluesi i organizatës së bamirësisë, rabini Boteach dhe bashkëshortja e tij. Babai i Shmuleyt dhe gjyshi i Efraimit, është Yoav Botach, i cili gjithashtu kërcënohet së fundmi nga një padi gjyqësore, që ka si autore një grua, me të cilën ai kishte kryer martesë të pavlefshme. E vetmja gjë e vlefshme që shtypi ka përmendur deri tani mbi lidhjet e Efraimi Diverolit është trajnimi i tij për biznesin 300 milionë dollarësh në një dyqan, në Los Anxhelos, në pronësinë e dajës së tij, Bar-Kochba Botach. Sërish, hetimi nuk përmend "Botach Tactical" dhe reputacionin e saj në fushën e tregtisë së armëve. Nuk zbulon gjithashtu edhe se kongresmenja Maksine Uoters është përpjekur ta përjashtojë dyqanin e armëve nga komuniteti i dhunshëm i jugut të Los Anxhelosit.

Abuzimet "etnike"

As në shtyp dhe as në hetime nuk është përmendur po ashtu as fakti se kompanitë e shumta të kësaj familjeje, që veprojnë në fushën e tregtisë së armëve, janë të regjistruara në database-t federale si "në pronësi të minoriteteve" apo etnikisht të disavantazhuara. Tani vonë, ndër të tjera, është zbuluar edhe se një kompani, e quajtur "Worldwide Tactical", drejtohej nga Majkëll Diveroli, vepronte në të njëjtën adresë në Miami Beach dhe kishte të njëjtin numër faksi. Dhe siç shkruhet nga gazetarët, babai i Diverolit, ka përfituar gjithashtu nga preferencat etnike në kontratat qeveritare.

Për të qenë më të qartë, administrata e Presidentit të atëhershëm amerikan, Regan, në vitin 1984, i ka përfshirë hebrenjtë - "Hasid" (një lëvizje mistike hebreje) në listën e minoriteteve të disavantazhuara, me qëllim që të zhvillohej më tej biznesi mes minoriteteve. Dhe siç është zbuluar, AEY, kompania e drejtuar nga Efraim Diveroli, është listuar në qeverinë federale si nën pronësinë e një personi të "disavantazhuar" etnikisht. Por a janë Diverolët hebrenj-hasidikë? Duket se jo. Emri ngjason më shumë me një emër hebreo-roman, thotë Sailer, dhe preferenca etnike është përzgjedhur për shkak të përfitimeve nga kontratat qeveritare.

Largimi

Diveroli ikën nga SHBA

Efraim Diveroli, 22-vjeçari që dyshohet për përfshirje në aferën e armëve nga Shqipëria, nuk ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej disa ditësh, flitet, se ai është larguar për në një shtet tjetër, ndaj nuk është prangosur ende. Megjithatë, nuk dihet nëse ka apo jo një urdhër-arresti për të nga autoritetet amerikane. Zyrtarisht dihet vetëm se Diveroli, së bashku me zëvendësin e tij, janë thirrur për të dëshmuar nga Kongresi Amerikan. Po ashtu, nga Kongresi Amerikan është kërkuar për dëshmi edhe biznesmeni shqiptar, Kosta Trebicka, kompania e të cilit u shmang nga paketimi i fishekëve që do të merreshin në Shqipëri. Efraim Diveroli i AEY do të dëgjohet në Kongres më 17 prill.

Hetimet

Lidhjet e mistershme të Delijorgjit

I arrestuari për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji, aksioner edhe në firmën qipriote "Evdin ltd". Pas zbulimit se fantazma amerikane "Southern Ammunition" zotëronte vetëm 25% të aksioneve të "Albademil"-it të Delijorgjit, prokuroria ka zbuluar një tjetër aferë të dyshimtë në kontratën e dytë të MEICO-s, që nuk lidhet me fabrikën e Gërdecit, por me armët që përfundonin në Afganistan. Në një hetim paralel me tragjedinë e Gërdecit, prokuroria ka ngritur dyshimet se Delijorgji është ortak edhe me përfaqësuesin e firmës qipriote "EVDIN ltd", Henri Tomei, i hetuar nga disa organizma për trafik ndërkombëtar armësh. Nga ana e tij, Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-s, gjithashtu i arrestuar, nuk ka firmosur një kontratë direkte me kompaninë amerikane AEY, që ka fituar tenderin për furnizimin me armë të ushtrisë së Afganistanit, por me Henri Tomein, i cili është prezantuar në Tiranë si komisioner i AEY, në një kohë që ishte ortak me Delijorgjin.

Ortaku:

Dëshmoj, po më siguruat

Ortaku dhe nëndrejtori i kompanisë AEY të Diverolit, David M. Packouz, ka pranuar të dëshmojë në lidhje me korrupsionin e kryer në blerjen e fishekëve në Shqipëri në këmbim të sigurisë së tij. Avokati i tij ka dërguar një letër në Kongresin Amerikan, duke pohuar se është i gatshëm të tregojë gjithçka në rast se i garantohet imunitet për t‘u mos hetuar nga ana e prokurorisë. Nëse arrihet kjo marrëveshje, atëherë do të dalin në dritë shumë detaje "të pista" të çështjes së tregtisë së armëve, ku dyshohet se janë implikuar zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. Por në këmbim të bashkëpunimit, 25-vjeçari, i cili ka një licencë për masazhator, ka kërkuar imunitet nga hetimi i prokurorisë dhe FBI-së.

Statusi

Afera, nga Shqipëria në Hungari

Edhe statusi i Efraim Diverolit është vënë në diskutim nga ana e hetuesve amerikanë. Ai është implikuar në një tjetër çështje të dyshimtë të tregtimit ilegal të fishekëve nga Sllovakia në drejtim të SHBA-së. Për sa i përket "çështjes shqiptare", Kongresi Amerikan ka vërtetuar se fishekët e shënuar në dokumente sikur ishin hungarezë, në të vërtetë ishin municione kineze të blera në Shqipëri. Për këtë çështje, kompania hungareze "MFS 2000" ka bërë gati një kallëzim në ngarkim të 22-vjeçarit Efraim Diveroli. Sipas kompanisë hungareze, Diveroli ka keqpërdorur emrin e saj dhe se ajo nuk ka asnjë lidhje me fishekët kinezë. Të gjitha këto dokumente janë përfshirë në dosjen hetimore të Kongresit Amerikan në lidhje me këtë çështje. Efraim Diveroli është njoftuar që të paraqitet në Kongres më 17 prill, por gjatë kësaj kohe do të merren në pyetje Kosta Trebicka, si dhe ortaku i Diverolit, David M. Packouz. Dëshmitë e tyre mund t‘ia bëjnë shumë të vështirë punën 22-vjeçarit, i cili për vite të tëra ka përfituar kontrata shumëmilionëshe pa i rënë në sy të askujt. David M. Packouz ka deklaruar se ka dhënë dorëheqjen nga kompania, por duket se ai ka ende në dorë materiale që mund të implikojnë vetë atë, por edhe Diverolin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›