E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia, jemi ne që e bëjmë

Disa e quajnë ekonomi natyraliste. Në fakt është një mënyrë shumë interesante e të parit të realitetit tonë të përditshëm dhe ekonomisë njëherazi. Janë shembuj që tregojnë se si pavarësisht se shumëkush e konsideron ekonominë një lëndë komplekse e të pakuptueshme, parimet e saj bazë janë të thjeshta dhe kuptimplota.

Përse femrat e durojnë mosrehatinë e takave të larta?

Takat e larta janë jo të rehatshme dhe vështirësojnë të ecurit. Përdorimi i gjatë i tyre mund të sjellë dëme për këmbën. Po përse atëherë shumë gra i veshin përditë? Përgjigjja që të vjen në mend menjëherë është se me taka të larta ato do të tërheqin më shumë vëmendje se me këpucë të sheshta. Përveçse të zgjasin, takat e larta e vendosin trupin në pozicion të tillë që kraharori del përpara, ndërsa fundi i kurrizit pozicionohet më mbrapa, duke nxjerrë kështu më në pah një figurë femërore. Por nëse të gjitha femrat do të vishnin taka të larta, atëherë të gjitha do të kishin këtë pamje dhe sigurisht rezultati do të ishte shumë më i vogël. Gjatësia, në fund të fundit, është një fenomen relativ. Një femër mund të jetë më e gjatë, një tjetër më e shkurtër, por nëse të gjitha do të vishnin taka të larta rezultati do të ishte i njëjtë si në rastin sikur të gjitha të kishin veshur këpucë të sheshta. Nëse gratë do të mund të zgjidhnin së bashku se çfarë këpucësh të vishnin, të gjitha mund të binin dakord për të sheshtat. Ato i veshin takat, sepse jo të gjitha e bëjnë këtë, duke fituar kësisoj paraqitje tjetër.

Përse veshjet e femrave dhe të meshkujve i kanë kopsat në kahe të kundërta?

Standardet e kopsave për veshjet femërore janë të kundërta me ato mashkullore. Përse ndodh kjo, kur edhe për femrën nuk do të përbënte asnjë lloj ndryshimi, në rast se kopsat do të vendoseshin në të djathtë të këmishës e jo në të majtë, siç ndodh aktualisht? Në fund të fundit, 90% e popullsisë së planetit përdor dorën e djathë si parësore, pra ky dallim nuk kishte pse të ekzistonte. Për këtë rast na vjen në ndihmë historia. Kur kopsat u shfaqën për herë të parë në shekullin e 17-të, ato ishin vetëm pjesë e veshjeve të të pasurve. Në atë kohë, sipas zakonit, meshkujt e pasur visheshin vetë, ndërsa femrat visheshin nga shërbëtoret. Nëse kopsat e veshjeve femërore do të ishin në të majtë të veshjes kjo do t‘ua lehtësonte shumë punën shërbëtoreve të zonjave. Në rastin e burrave, kopsat në krahun e djathtë të veshjes ishin më komode, jo vetëm se meshkujt visheshin vetë, por edhe se një zgjidhje e tillë përkonte më mirë me mbajtjen e shpatës. Sot, sigurisht që asnjë femër nuk vishet nga shërbëtoret, ndaj përse kopsat vazhdojnë të qëndrojnë në atë krah si 300 vjet më parë? Në ekonomi, kur vendoset një normë është shumë e vështirë që të ndryshohet. Kjo vlen për kopsat, por edhe për shumë gjëra të tjera.

Përse shoferët e taksive vendosin ta mbarojnë ditën e punës më herët kur moti është me shi?

Në shumë qytete të mëdha, kur moti është me diell, është shumë e lehtë që të gjesh një taksi, ndërsa kur bie shi vështirësia shtohet. Një shpjegim i mundshëm i kësaj është se shumë njerëz, që në kohë të mirë preferojnë të ecin në këmbë, në mot me shi marrin taksi. Por një shpjegim tjetër është edhe se shoferët e taksive e mbarojnë më shpejt ditën e punës në mot të keq. Po përse? Sipas një sondazhi të fundit, arsyeja është se mjaft shoferë taksie punojnë derisa të arrijnë objektivin e të ardhurave ditore. Në ditët me diell do t‘u duhen më shumë orë për ta arritur këtë gjë, ndërkohë që kur bie shi ata e realizojnë objektivin shumë më shpejt, për shkak të kërkesës së vazhdueshme. Largimi i tyre më i shpejtë në ditët me shi është në kundërshtim me rregullin se pikërisht në një ditë të favorshme puna duhet zgjatur më shumë.

Përse është e ligjshme që t‘i japësh makinës kur je duke ngrënë apo pirë, por jo kur je duke folur në celular?

Shembujt e ndryshëm në lidhje me përdorimin e celularëve në momentin e dhënies së makinës kanë çuar në formulimin e ligjit që e ndalon përdorimin e tyre, përveç rastit kur shoferi përdor kufjet dhe i ka duart e lira. Por, përveç celularit shoferët mund të kryejnë njëherazi me ngarjen e makinës edhe veprime të tjera njësoj të dëmshme, si për shembull ata mund të hanë, mund të pinë, të ndryshojnë CD, e madje në disa raste edhe të bëjnë tualet. Po përse edhe këto veprimtari nuk janë të paligjshme? Një përgjigje e mundshme është se telefoni celular është më shpërqëndrues se veprimet e tjera. Shoferët që diskutojnë gjatë kanë më shumë shans që të humbasin vëmendjen se ata që janë duke ngrënë për shembull. Por, për sa i përket të folurit që qenka kaq i rrezikshëm, ai nuk i ndalohet shoferit, kur është rasti i pasagjerëve të tjerë në makinë. Nga ana tjetër, nuk qenka rasti i bisedave, pasi nëse do të kesh kufje mund të flasësh lirshëm dhe të jesh brenda ligjit. Kur ndodh që të gjitha shpjegimet për të justifikuar racionalitetin e një ligji bien poshtë, një strategji e mirë do të ishte që të shihje se si një ligj ndikon në të ardhurat e njerëzve që preken prej tij. Kështu, nëse ligjvënësit do ta kishin ndaluar ngrënien e hamburgerëve dhe pirjen e lëngjeve gjatë dhënies së makinës, atëherë shitjet e ushqimeve në fast-food do të kishin rënë ndjeshëm. Kjo do të thotë se ligjvënësit nuk merren me një ligj të tillë nga frika e reagimit të korporatave të fuqishme, të cilat do të bënin namin. Ndërkohë, duke lejuar bisedën me celular përmes kufjeve, ligjvënësit nuk përballen me asnjë lloj rreziku, duke qenë se shitësit e celularëve nuk do të pësonin as humbjen më të vogël, për shkak se ligji lejon përdorimin e kufjeve. Madje, përfitimet e tyre do të ishin shumë më të mëdha, duke qenë se njerëzit do të blinin kufje në këtë rast.

Përse është më e lehtë të gjesh një partner të ri, kur ndërkohë e ke një të tillë?

Një burrë i ri zuri një miqësi të ngushtë me një femër shumë tërheqëse, por miqësia e tyre ishte thjesht platonike. Një mbrëmje, gruaja e ftoi mikun e saj në një bar, duke i thënë: "Dua të të ndihmoj që sonte të takosh ndonjë vajzë interesante". Kur të dy ndodheshin në lokal, mikesha nisi që të sillej shumë ngrohtë me shokun e saj, duke i përkëdhelur krahun e duke u sjellë me të sikur të kishte pasur vërtet lidhje intime. Gjatë gjithë qëndrimit të tyre ata ndodheshin në qendër të vëmendjes së shumë personave përreth. Në një moment gruaja tha se i kishte ardhur koha për t‘u larguar, e ndërkohë e ftoi për një kafe të nesërmen. Kur ajo u largua, disa nga femrat tërheqëse që ndodheshin në lokal tentuan të kontaktonin me mashkullin që kishte mbetur vetëm. Një fakt i tillë e befasoi shumë edhe atë vetë. Përse befas, gjithë këto femra simpatike po tregonin interes ndaj tij? Një ditë më pas, ndërsa miqtë po pinin kafe, mikesha nuk u çudit aspak nga ajo çfarë i kishte ndodhur mikut një natë më parë në bar, pas largimit të saj. "Unë e dija shumë mirë se çfarë do të ndodhte. Është pak e vështirë që të vendosësh për dikë, nëse ia vlen apo jo t‘i afrohesh vetëm duke e parë nga jashtë, por nëse sheh që ai ka vëmendjen e një femre tërheqëse, tregon se mashkulli ka vlera vërtet dhe ky është një sinjal shumë i fortë, sepse ia vlen që të avancosh në drejtim të tij", i tha mikesha shokut të saj. Në këtë rast shkon shumë edhe thënia e Biblës: "Atij që ka do t‘i jepet".

Përse janë balenat dhe jo pulat speciet në zhdukje e sipër?

Zor se kalon ndonjë vit pa demonstrata e protesta masive të ambientalistëve aktivistë, të cilët dënojnë dhe denoncojnë vrasjen e balenave e gjuetinë ndërkombëtare, që ka çuar në shpalljen e këtij gjitari deti "specie në zhdukje". Ndërkohë, nuk ka pasur asnjëherë, qoftë edhe ndonjë mbledhje të vogël, në lidhje me dënimin e therjeve të pulave. Po përse ky dallim? Përgjigjja e shpejtë që na vjen është se pulat nuk kanë qenë kurrë specie të rrezikuara. Por nga del pyetja tjetër se përse disa specia janë të rrezikuara e të tjera jo? Arsyeja e pakësimit të numrit të balenave është se ato nuk kanë pronar. Ato notojnë në ujëra ndërkombëtare dhe vende të ndryshme refuzojnë që të respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare që kanë synuar dhe synojnë mbrojtjen e gjitarit më të madh të planetit. Japonezët dhe norvegjezët e kuptojnë fare mirë se praktikat e tyre të kapjes së balenave e kërcënojnë seriozisht specien, por, ndërkohë, çdo gjuetar balenash e di mirë se nëse nuk do të jetë ai që do ta kapë gjitarin, një tjetër në vend të tij do ta bëjë një gjë të tillë, ndaj askush nuk heziton të kapë një "mall" që nuk ka pronar. Në të kundërt të balenave, pulat kanë pronar. Gjithmonë është dikush që i mban apo i mbarështon për të marrë mishin, vezën apo puplat. Nëse dikush do të vrasë një pulë, atëherë ai do të ketë në pronësi një pulë më pak dhe kjo do të thotë që nënproduktet e pulës do të jenë më të pakta, e si pasojë fitimi më i vogël për pronarin e pulës. Pulat dhe balenat janë njësoj të vlefshme, por diferencën këtu e bën pronësia. Pulat kanë pronarë, ndërsa balenat jo, ndaj të gjithë rendin të bëjnë të tyrin një "mall" pa zot. Si pasojë, balenat janë më të kërcënuarat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›