Celularët, dritë jeshile në avionë
Të flasësh me celular në bordin e një avioni? Shumë shpejt kjo është e mundur, tamam si nëpër trena apo metro. Komisioni Evropian ka miratuar dje një paketë të re masash që do të lejojë menaxherët, biznesmenët dhe udhëtarët normalë të telefonojnë, të dërgojnë sms dhe të kontrollojnë postën elektronike edhe në qiell, në mënyrë krejt të sigurt dhe pa interferenca. Gjithsesi, telefoni duhet të qëndrojë i fikur derisa avioni të ketë arritur të paktën në kuotën e 3 mijë metrave dhe komandanti i avionit të mund të vendosë për të çaktivizuar shërbimin në rast se do të krijoheshin situata të rrezikshme. Shërbimi që do të jetë aktiv në të gjithë avionët evropianë, brenda gjashtë muajsh, do t‘u lejojë kompanive ajrore të lidhin telefonat celularë me tokën nëpërmjet satelitit dhe tarifat do të fiksohen nga operatorët telefonikë. Nuk dihen ende detajet mbi koston e telefonatave, por komisionerja e BE-së, përgjegjëse për telekomunikacionin, Viviane Reding, ka garantuar se komisioni do të ndjekë nga afër situatën me qëllim që t‘u garantojë konsumatorëve oferta transparente nga ana e operatorëve. "Nëse konsumatorët do të marrin një faturë të fryrë nuk do të jenë të interesuar për shërbimin", ka shpjeguar komisionerja luksemburgeze, duke u kërkuar kompanive ajrore dhe operatorëve, të krijojnë kushtet e nevojshme në bordin e avionëve, edhe për të siguruar qetësinë e pasagjerëve që nuk duan të shqetësohen nga fqinjët llafazanë. Disa kompani madje, po mendojnë të krijojnë sektorë të veçantë në avion, të rezervuar për pasagjerët që nuk përdorin telefonin.