E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi në Londër: Vdekja e Dianës, faj i shoferit e paparacëve

Princesha Diana u vra për shkak të neglizhencës së madhe të shoferit Henri Pol dhe paparacëve që e ndiqnin. Ky është rezultati në të cilin ka arritur juria që merrej me hetimin e rastit. Juria ka dalë me të njëjtin vendim edhe për të dashurin e saj, Dodi al Fayed. Juria gjithashtu ka specifikuar se ngjarja e makinës në gjendje të dehur nga shoferi, Henri Pol, dhe mosvënia e rripave të sigurimit kanë kontribuar në vdekjen e tyre. Juria ka pranuar kështu tezën e autopsisë franceze që ka gjetur në trupin e shoferit një nivel të lartë alkooli, dy herë më të lartë nga ajo e lejuar. Veç kësaj, ai po ngiste makinën me shpejtësi të madhe në mënyrë që t‘u shmangej fotografëve që ndiqnin çiftin e famshëm. Babai i Al Fayedit, Mohamed, nuk e pranoi vendimin. Ndërkohë, lordi Stivens, ish-shef i policisë, tha se ai shpresonte që vendimi i jurisë, t‘i jepte fund një herë e mirë kësaj çështjeje. Hetimi mbi aksidentin vdekjeprurës të ndodhur në Paris, më 1997-ën, zgjati gjashtë muaj. Juria ndërkohë ishte unanime në vendimin për vrasje për shkak të neglizhencës në ngjarje, por edhe neglizhencës së ndjekësve. Prokurori Skot Bejker, falënderoi jurinë për devocionin e madh të treguar në këtë çështje. Princesha Diana u vra pasi makina në të cilën ajo gjendej u përplas në tunelin Alma, në Paris, orët e para të mëngjesit të 31 gushtit 1997. Një deklaratë e Mohamed al Fayed, babait të të dashurit të saj, theksonte se vendimi i jurisë ishte i pabesueshëm për miliona mbështetës të tij në botë. "Për 10 vjet unë kam ndjekur dy hetime të policisë, asaj franceze dhe të "Scotland Yard"-it. Të dyja janë të gabuara. Dhe ky hetim e vërteton këtë. Ata thonë se ishte një aksident dhe zbulimet e tyre tani janë hedhur poshtë". Siç është bërë e ditur edhe në këtë gjyq të fundit, ai kishte thënë: "Gjëja më e rëndësishme është se kjo është një vrasje". Por, në anën tjetër, ish-shefi i policisë metropolitane, lordi Stivens, mirëpriti vendimin duke e quajtur atë një justifikim të hetimit të kryer mbi aksidentin fatkeq. Ai tha: "Shpresoj që kjo të mund ta mbyllë një herë e mirë atë që konsiderohet një ngjarje traumatizuese për shumë njerëz". "Zoti Al Fayed tha se ai do të pranojë vendimin e jurisë. Vendimi ishte i qartë. Ata thanë se janë absolutisht të sigurt se nuk ka asnjë konspiracion në këtë mes. Shpresoj që gjithkush tani ta marrë këtë vendim si të mirëqenë dhe si një zbardhje të këtij incidenti tragjik, në mënyrë që edhe njerëzit që humbën jetën në të, të mund të prehen në paqe", tha ai. Ndërsa motra e Princeshës Diana, ledi Sara MekKorkuodejl, u largua nga salla e gjyqit pa dhënë asnjë koment. Ministria e Drejtësisë konfirmoi se nuk ishte e mundur për shërbimin e prokurorisë të kurorës mbretërore të përndiqte shtetas të huaj për vdekjet e ndodhura jashtë vendit, edhe nëse viktima ishte britanike. Dhe në fakt, të gjithë paparacët e përfshirë në këtë rast, janë të huaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›