E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i Lionit sulmon Lorik Canën

Drejtuesit e Olimpikut të Lionit nuk e kanë përjetuar me sportivitet humbjen 1-3 përballë Olimpikut të Marsejës, duke fajësuar për këtë edhe futbollistin shqiptar, Lorik Cana. Ndonëse kapiteni i marsejezëve u dhuroi një gol kundërshtarëve duke shënuar në portën e tij në pjesën e parë, presidenti i Lionit, Zhan Mishel Aulas, e ka cilësuar shumë agresive lojën e tij, duke akuzuar gjyqtarët për injorim të faulleve të rënda. Futbollisti shqiptar ishte kthyer në mbrojtje gjatë këtij takimi, sipas urdhrave të trajnerit Gerets, por që në minutat e para ai u detyrua të ndërhynte dy herë ndaj sulmuesit të Lionit, Fred, duke sjellë më pas edhe largimin e parakohshëm të këtij të fundit nga fusha e lojës për një dëmtim.

Kjo e ka acaruar së tepërmi Aulas, i cili nuk ka kursyer kritikat pas përfundimit të ndeshjes. "Marseja luajti fort, pasi e dinte që ishte shansi i fundit për të siguruar vendin e tretë, por ky intensitet nuk u përballua nga gjyqtari në pjesën e parë të ndeshjes. Ne kemi parë faulle të rënda të Canës dhe Rodriguez ndaj Fred, por ishte futbollisti ynë që u ndëshkua, pasi mori një shkelm. Ne nuk mund të bënim të njëjtën gjë me lojtarët e tyre, pasi kjo do të kthehej në një betejë rruge", u shpreh presidenti i Lionit. Shtypi francez i ka dhënë shumë hapësirë kësaj deklarate, pasi skuadra e Lionit është kryesuese e kampionatit dhe po ecën drejt titullit të 7-të radhazi në Francë. Në të njëjtën kohë, është kujtuar se Lorik Cana po u afrohet të gjitha rekordeve të Olimpikut të Marsejës për sa u përket ndëshkimeve të marra gjatë ndeshjes, duke marrë nofkën "mbreti i kartonëve". Me kartonin e verdhë të marrë gjatë takimit të djeshëm, Cana ka çuar në 13 numrin e ndëshkimeve të këtij sezoni në të gjitha aktivitetet me Olimpikun e Marsejës. Sipas statistikave, ai nuk është larg rekordit të kartonëve të verdhë të skuadrës marsejeze, ndonëse i është bashkuar asaj vetëm në vitin 2005. Cana ka marrë 44 kartonë të verdhë në 130 ndeshje ku është aktivizuar, ndërsa i mungojnë katër ndëshkime të tjera për të arritur Bernard Kasoni, i cili me 48 kartonë të verdhë mban vendin e parë në podiumin e më të ndëshkuarve në historinë e Olimpikut të Marsejës.

Por Cana nuk duket se shqetësohet shumë nga kjo statistikë negative dhe ka preferuar që pas ndeshjes të festojë iniciativën e tij të veçantë në ndihmë të fëmijëve të varfër shqiptarë. Mesfushori bëri të mundur që gjatë ndeshjes mes Olimpikut të Marsejës dhe Olimpikut të Lionit, të siguroheshin të ardhura për fondacionit "Fëmijët e Shqipërisë", i cili ka si presidente znj. Liri Berisha. Në stadium ka qenë e pranishme zv/presidentja e këtij fondacioni, deputetja Lajla Përnaska, ambasadori shqiptar në Francë, Ylljet Aliçkaj, si dhe koordinatori për futbollin i Ministrisë së Brendshme franceze, Mishel Lepua. Ky delegacion është takuar me Canën pas përfundimit të takimit, duke e falënderuar për kontributin që ka dhënë në këtë iniciativë të veçantë, që do të përsëritet në të ardhmen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›