E Diel, 1 Nëntor 2026

Diveroli: Më mashtroi qeveria shqiptare

Pronari i kompanisë AEY, Efraim Diveroli, i ka kthyer përgjigje Prokuroisë Shqiptare në lidhje me trafikun e armëve nga fabrika e Gërdecit. Me një letër-porosi, Diveroli deklaron se është furnizuar me armë, të cilat i dërgonte më pas në Afganistan. Por ai ka mohuar në mënyrë kategorike se armët kanë qenë kineze. Ai deklaron se ka lidhur kontratë me firmën shtetërore të shitblerjeve të armëve në Shqipëri MEICO. Por ka pohuar se është mashtruar nga qeveria shqiptare për armët e marra në Shqipëri. Ai ka detajuar të gjithë lidhjen e kontratës, nga firma nënkontraktore firma "EDVIN ltd" me qendër në Qipro e deri te lidhjet me Henri Tomein, shtetasin zviceran që ka ndërmjetësuar. Por burime nga Prokuroria e Përgjithshme janë treguar mjaft të rezervuara në dhënien e informacioneve rreth përmbajtjes së saktë të letër-porosisë, duke u mjaftuar se ajo është duke u përkthyer. Mësohet se përgjigjja e Diverolit është rreth 20 faqe ku është dëshmia e tij, dhënë autoriteteve të drejtësisë amerikane, si dhe dokumente nga lidhja e kontratës me MEICO-n.

Hetimet
40 ditë para përfundimit të hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, prokurorët shqiptarë kanë tashmë në dorë dëshminë kyçe të partnerit amerikan të kompanisë shtetërore MEICO dhe kompanisë private "Albademil", drejtuesit e të cilave janë në burg. Pronari i kompanisë amerikane AEY, Efraim Diveroli, akuzon qeverinë shqiptare se e ka mashtruar në lidhje me municionin luftarak që kjo e fundit i ka shitur. Kompania AEY nuk e ka blerë me dashje municionin kinez, por që atë ia ka shitur me mashtrim qeveria shqiptare dhe që Diveroli nuk ka shkelur ligjin amerikan, i cili ndalon blerjen e armatimit të prodhuar nga Republika Popullore e Kinës. Disa muaj më parë, avokati i Diverolit tha se "klienti im nuk ka blerë asnjë lloj municioni prodhim kinez, qoftë ‘direkt apo indirekt" nga asnjë kompani ushtarake komuniste kineze, por ia ka blerë atë qeverisë shqiptare". Sikundër argumenton avokati, "ligji amerikan zbatohet vetëm për armët kineze të prodhuara pas vitit 1989, si përgjigje për shtypjen e dhunshme të protestës pro-demokratike në sheshin e Tienanmenit. Ndërkohë, municioni që AEY ka blerë nga Shqipëria, është prodhuar në Kinë ndërmjet viteve 1960 dhe 1970". Ndërkohë, prokurorët shqiptarë kanë nisur po ashtu letër-porosi nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë edhe në Zvicër për të marrë dëshminë e Henri Tomeit, i njohur me pseudonimin Zot i Luftës. Letër-porosia e tretë u është drejtuar autoriteteve qipriote për të marrë informacion për firmën "Evdin LTD" dhe për të zbardhur transaksionet e saj bankare.

Të akuzuarit
Në qelinë e tij, para hetuesve të çështjes, Ylli Pinari, ka folur për trafikun e fishekëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Ai hodhi poshtë të gjitha pretendimet e drejtuesit të kompanisë AEY, Efraim Diveroli, sipas të cilit shqiptarët e kishin gënjyer për origjinën e municioneve kineze. Pinari ka sqaruar për hetuesit e çështjes edhe një detaj, duke kujtuar se Diveroli para se të firmoste kontratën ka provuar disa fishekë kinezë nëse ishin në gjendje të mirë. "Diveroli, para se të firmoste kontratën, ka provuar 1000 fishekë në poligonet e qitjes në Shqipëri. Ai e dinte shumë mirë që ishin produkt kinez", mësohet se ka thënë Pinari para hetuesve të çështjes. Ai thekson në dëshminë e tij se ka vepruar në bazë të kërkesave të ardhura nga përfaqësuesi i firmës amerikane dhe në bazë të kontratës me Ministrinë e Mbrojtjes. "Gjithçka ka sqaruar ish-drejtori i MEICO-s, janë të shënuara në procesverbalet që i janë dërguar firmës AEY". Dëshmia e Pinarit është në të njëjtën linjë me reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare, sipas të cilës, Efraim Diveroli ka gënjyer për origjinën e fishekëve. "Ndërmarrja MEICO i ka ofruar Kompanisë "EDVIN ltd" materialet e kërkuara, duke i prezantuar ndër të tjera edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të tyre. Ky dokument mban datën 18 prill 2007", deklaroi disa muaj më parë Ministria e Mbrojtjes. Sipas saj, kontrata e lidhur midis ndërmarrjes MEICO si shitës dhe Kompanisë EVDIN ltd për AEY inc, më datë 18 maj 2007 përmban vitin e prodhimit të municioneve. Në këtë kontratë thuhet se malli shitet ashtu siç është dhe blerësi ka të drejtën e kontrollit dhe provës ndaj tij duke kryer inspektime.

Në Shqipëri, hetim për trafik municionesh

Prokuroria Shqiptare deklaron se ka nën hetim të gjitha pistat që sollën tragjedinë e Gërdecit. Burime zyrtare nga institucioni qendror i akuzës thanë dje se po punojnë për zbardhjen e të gjitha pistave nga implikimi i zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes në momentin kur ndodhi tragjedia e deri te pretendimet e familjarëve të viktimave. Nën hetim janë edhe mënyra e dëmshpërblimit të qeverisë ndaj të prekurve. 16 hetuesit e çështjes po punojnë në disa fronte, ku disa po vazhdojnë të marrin të dhëna nga Shtabi i Përgjithshëm. Por megjithëse po kryejnë disa veprime, hetuesit e tragjedisë janë të bindur se dëshmia e Diverolit mund të sjellë zhvillime të dobishme për hetimet shqiptare. Sipas të dhënave, Diveroli bleu nga Ministria jonë e Mbrojtjes miliona dollarë municione kineze dhe i shiti në Afganistan sikur të ishin hungareze, nëpërmjet një sekseri të njohur nga të gjitha agjencitë inteligjente të botës si trafikant ilegal armësh. Nga pala shqiptare, në këtë skandal është implikuar ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari. Diveroli, vetëm 22 vjeç, është arrestuar dhe është lënë i lirë më pas me akuzën e shitjes së paligjshme të armëve kineze për llogari të qeverisë amerikane në Afganistan. Licenca e Diverolit dhe firmës së tij AEY u bllokua në mars të vitit të kaluar, vetëm pak ditë pas skandalit të Gërdecit në Shqipëri dhe shkrimit të botuar në gazetën "Neë York Times" në lidhje me këtë çështje. Ai kishte shënuar në dokumente se municionet e kallashnikovit ishin prodhim hungarez i viteve 1965-1975, por në fakt ato ishin prodhim kinez. Ato ishin blerë në Shqipëri në bazë të disa kontratave me firmën shtetërore MEICO dhe skandali ka dalë në dritë vetëm pas procesit të ripaketimit në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›